Home KRYESORE Kriza/Basha: Të monitorohet nga ndërkombëtarët, ulja me Ramën spekulim

Kriza/Basha: Të monitorohet nga ndërkombëtarët, ulja me Ramën spekulim

Ideja e uljes së opozitës në një tryezë me Edi Ramën kryeministër është një spekulim mediatik sipas kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në një intervistë televizive, Basha deklaroi se ai dhe partia e tij kanë dhënë dakordësinë për një proces politik të propozuar nga faktorët ndërkombëtarë, gjë që sipas tij është referuar nga kryeministri Rama.

“Janë spekulime mediatike. Unë dhe PD kemi dhënë dakordësinë tonë për një proces politik të propozuar nga faktori ndërkombëtar në të cilën PD dhe opozita e bashkuar do të ishin të gatshëm si një trupe e vetme të jepnin kontributin për daljen nga kriza. Refuzuesi i vetëm ka qenë Edi Rama. Pak rëndësi ka ulja apo mosulja në një tavolinë. Ne si opozitë kemi dhënë angazhimin tonë, është Edi Rama që i trembet pranisë së faktorit ndërkombëtar sepse i trembet gjykimit të pavarur të atyre që duan të mirën e Shqipërisë dhe njësoj si opozita, si qytetarët shqiptarë nuk vënë interesin e tyre para interesave të vendit” tha Basha.

Në lidhje me propozimet e opozitës ai tha se ato janë të fokusuara në Reformën Zgjedhore dhe se është i gatshëm t’ja paraqesë ato faktorit ndërkombëtar.

Si opozitë jemi terësisht të fokusuar për të ndërtuar rrugën e daljes nga kjo krizë. Kemi propozimet tona dhe në rrafshin e reformës zgjedhore, përfshirë edhe ndryshimet legjslative. Pjesa më e madhe janë ato që thotë OSBE/ODIHR, vullneti politik, ndëshkimi i personave që janë kapur duke vjedhur dhe blerë votat në bashkëpunim me krimin, ndërtimi i një administrate zgjedhore që nuk është nën kontrollin qeveritar.

Deklaratat e mbrëmshme vetëm rikonfirmojnë para shqiptarëve se kush është shkaktari i krizës dhe kush e mban peng Shqipërinë. Ndërkohë që kushtet shtohen, Edi Rama feston hapjen imagjinare të negociatave. Kjo duhet të marrë fund. Opozita është e angazhuar të paraqesë para faktorit ndërkombëtar, para qytetarëve, por edhe para faktorëve të tjerë politikë rrugën e zgjidhjes së kësaj krize, planin antikrizë. Ky është tashmë investimi jonë kryesor si opozitë” deklaroi Basha. /Opinion.al

Share: