Home KRYESORE Luan Rama: LSI e gatshme të ulet në tryezën e dialogut

Luan Rama: LSI e gatshme të ulet në tryezën e dialogut

Nën kryetari i LSI-së, Luan Rama ka deklaruar se “Lëvizja Socialiste për Integrim gatshme të ulet në tryezën e dialogut”.

“Lëvizja Socialiste për Integrim është e gatshme të ulet në tryezën e dialogut dhe të nisim nga puna për të reflektuar me përgjegjshmëri në përmbushje të të gjitha kushteve dhe detyrimeve që t’i çelim udhë integrimit europian të Shqipërisë” deklaroi Luan Rama në një konferencë për mediat.

Ai bëri apel për reflektim pas vendimit të Budestagut gjerman për çeljen në parim të negociatave për anëtarësim me Shqipërinë.

“Reflektim do të thotë para së gjithash, pranim i realitetit problematik, pranimi i situatës së krizës së përgjithshme në të cilën gjendet Shqipëria, mbi të gjitha të krizës së besimit ndaj institucioneve, ndaj shtetit, të krizës qeverisëse, të krizës parlamentare, të krizës ekonomike, të krizës së besimit dhe të tjera. Pra, në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke e lexuar me realizëm mesazhin që na vjen nga Parlamenti Gjerman, edhe një herë apelojmë mbi domosdoshmërinë që merr në këto kushte dialogu politik, jo si farsë, jo si teatër por si institucion. Si një institucion në një shoqëri demokratike ku interesat e vendit dhe prioriteti kombetar i integrimit Europian të Shqipërisë prevalon dhe vihet mbi gjithçka tjetër” tha ai.

Por numri dy i LSI-së shtoi gjithashtu se vullneti i opozitës për dialog është përballur me një “qëndrim të papërgjegjshëm” të kryeministrit Rama duke e bërë atë përgjegjës për krizën në vend.

“Natyrisht është për të ardhur keq që vullnetit të mirë të shprehur nga opozita për t’u ulur në dialog, për t’i marrë të gjitha kushtet që duhet të përmbushë Shqipëria një për një, për të nxjerrë përgjegjësinë dhe për t’u angazhuar në plotësimin e tyre, ka gjetur një qëndrim refraktar dhe të papërgjegjshëm nga ana e Kryeministrit të vendit. I cili natyrisht, duke qenë përgjegjës për këtë situatë vazhdon të thellojë më shumë përgjegjshmërinë e vet duke reflektuar nga ana e tij mungesë vullneti për dialog, mungesë vullneti për të parë realisht situatën politike në vend dhe mbi të gjitha mungesë vullneti dhe angazhimi për të kapërcyer dhe për të zgjidhur krizën politike në vend” tha Rama.

Sa për vendimin e Bundestagut për ti vënë kushte Shqipërisë Rama shtoi se kjo duhet të shihet si dështim e jo si fitore.

“Ajo çfarë është projektuar të votohet sot në parlamentin gjerman, pra miratimi në parim i çeljes së negociatave, por me kushte specifike për Shqipërinë. Në fakt është një mesazh që kërkon reflektim, që kërkon përgjegjshmëri dhe që kërkon një qasje tjetër nga e gjithë politika shqiptare. Është për t’u habitur dhe për të ardhur keq, në fakt që pushteti, mazhoranca, qeveria në mënyrë butaforike vazhdon ta trumbetojë si fitore dhe si festë atë që në fakt është një dështim” tha ai. /Opinion.al

Share: