Home KRYESORE Presidenti Thaçi kërkon njohjen e Kosovës nga Vatikani

Presidenti Thaçi kërkon njohjen e Kosovës nga Vatikani

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se njohja formale e Kosovës nga Selia e Shenjtë do të kurorëzonte gjithë angazhimin e saj për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë.

Ai i bëri komentet gjatë një takimi me sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Pietro Parolin.

“Populli i Kosovës gjithmonë është udhëhequr nga vlerat e Shën Terezës, vlera të tolerancës, paqes dhe bashkëjetesës. Jemi mirënjohës për mbështetjen që Selia e Shenjtë i ka dhënë popullit të Kosovës. Krejt çfarë ka mbetur është njoha nga Vatikani”, ka shtuar presidenti Thaçi.

Në një komunikatë nga zyra e presidentit Thaçi, thuhet se ai e ka informuar sekretarin Parolin, për harmoninë fetare në Kosovë, për bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve si vlera mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.

Nga ana tjetër, sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, Pietro Parolin ka thënë se Selia e Shenjtë është e përkushtuar për paqen, tolerancën dhe stabilitetin në Kosovë.

Takimi është zhvilluar në Nju Jork ku po i mban punimet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Më herët gjatë ditës, presidenti Thaçi takoi edhe kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, me të cilin ka biseduar për forcimin e raporteve dypalëshe.

Greqia është një nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës./ Burimi: REL

Share: