Home KRYESORE Rama komenton lajmin për tërmetin, niset drejt SHBA për të takuar Trump

Rama komenton lajmin për tërmetin, niset drejt SHBA për të takuar Trump

Kryeministri Rama është nisur drejt SHBA-ve për të takuar Presidentin e Shteteve të Bashkuara në kuadër të takimeve që po zhvillohen në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork.

“Sot për Shqipërinë nis një ditë e zakonshme si të gjitha të tjerat dhe prandaj edhe unë, vendosa të rimarr udhëtimin e punës për në Nju Jork, ku do të takohem me Presidentin e Shteteve të Bashkuara e me të tjerë kryetarë shtetesh e qeverish apo personalitete me rëndësi, si edhe do të flas në emër të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara” njofton Rama.

Në një postim në Facebook, kryeministri ka komentuar përsëri lajmin e rremë për tërmetin mbrëmjen e së dielës duke e quajtur, “kriminal”, “ligësi” dhe autorin “idiot”.

“Miqtë e mi, jam thellësisht i revoltuar, që një idiot apo disa syresh së bashku, përhapën një Fakenews kriminal për ardhjen e një tërmeti shkatërrues dhe kallën mbrëmë panikun në shpirtin e shumëkujt prej jush! Po njëkohësisht, jam thellësisht i keqardhur, që shumë prej jush, ranë pre e asaj ligësie të pashoqe, të prodhuar e shpërndarë me shpejtësi, nga marrëzia e kujt verbërisht kërkon sherr, rrëmujë, kaos mundësisht, për arsyet e panjerëzishme të Mosarsyes” shkruan Rama.

Ndër të tjera në mesazhin e tij kryeministri nuk ka lënë pa përmendur punën e strukturave të shtetit për përballimin e situatës.

“Si asnjëherë më parë, strukturat e shtetit reaguan menjëherë edhe falë riorganizimeve të qenësishme të bëra vitet e fundit; që nga sistemi i ri i Urgjencës Kombëtare, deri tek sistemi ende në reformim e sipër i Emergjencave Civile. Protokollet spitalore të gjendjes së emergjencës u aktivizuan në çast dhe përgjigja e krejt stafit të bluzave të bardha, megjithëse në një ditë pushimi të fundjavës, ishte mbresëlënëse. Skenarët e ndryshëm të financimit të krizës së mundshme, ishin gati vetëm pak orë pas goditjes së fortë sizmike dhe kontaktet me partnerët ndërkombëtarë u morën në kohë rekord, në nivelet më të larta e si asnjëherë më parë” shkruan kryeministri. /Opinion.al

Share: