Home KRYESORE Tahiri: Gabimi i vetëm që kam bërë! E di mirë kë kam...

Tahiri: Gabimi i vetëm që kam bërë! E di mirë kë kam rrotull

Duke mohuar me forcë se nuk ka bërë asnjë veprim për të cilin mund të dënohet për shpërdorim detyre, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, tregoi në konferencën e sotme gabimin që, sipas tij, ka kryer gjatë ushtrimit të detyrës.

“Bëra gabimin e madh që thashë se në çfarë mase mbillej kanabisi në Shqipëri. E dija se sa më shumë ta luftoja në çdo cep të Shqipërisë, aq më shumë do të ishin akuzat. Ata që e zhytën vendin në krim, sot më akuzojnë mua”, u shpreh Tahiri.

Sipas Tahirit, edhe përpara se PS të vinte në pushtet në 2013-ën, kanabisi mbillej në të gjithë vendin dhe jo vetëm në Lazarat. I pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratat e ambasadës së SHBA dhe asaj Britanike, si dhe qëndrimin e ish-ministrit Fatmir Xhafaj që shprehte pëlqimin për këto deklarata, Saimir Tahiri u përgjigj: “Do vijë dita që unë të kem një përgjigje për të gjitha këto. Nuk dua të abuzoj me asgjë dhe të bëj komente. Të jesh e bindur që unë e di shumë mirë kë kam rrotull, nuk jam nga ata që nuk e di”.

Prokuroria kërkoi javën e shkuar dënimin prej 12 vitesh burgim, duke e akuzuar ish ministrin për të paktën tre vepra të rënda: Trafik i narkotikëve kryer në bashkëpunim në formën e grupit të struktuar kriminal; Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe Kryerja e veprës në grup të strukturuar kriminal.

Por gjykata i rrëzoi ato, duke vlerësuar se nuk kishte prova që të mbështesnin këto akuza, por se megjithatë, ishin sipas saj të mjaftueshme për ta dënuar zotin Tahiri për shpërdorim detyre./ Opinion.al

Share: