Home KRYESORE Edi Rama reagon pas raportit të “Venecias” për Metën

Edi Rama reagon pas raportit të “Venecias” për Metën

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me publikimin raportin përfundimtar të Komisionit të Venecias për presidentin Ilir Meta. Përmes një postimi në “Facebook” Rama ka paraqitur tre përfundime thelbësore të Komisionit të Venecias, duke shkruar se qeveria ka zhvilluar zgjedhjet konform ligjit.

Kryeministri thekson gjithashtu se raporti përfundimtar i “Venecias” ka konfirmuar qëndrimin dhe pretendimet e qeverisë në lidhje shkeljen e Kushtetutës nga ana e Metës me nxjerrjen e dekretit për të anuluar zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

“TRE PËRFUNDIME THELBËSORE të Komisionit të Venecias, që konfirmojnë pa asnjë ekuivok, drejtësinë e qëndrimit tonë para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 30 qershorit😊”-shkruan Rama.

Sipas shefit të qeverisë tre përfundimet e Komisionit të Venecias janë;

I.Bojkoti elektoral i subjekteve politike, edhe nëse ata përfaqësojnë një pjesë të madhe të votuesve nuk mund të ndalojë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta. Përndryshe, këto parti do të fitonin mundësinë të pengonin çdo proces zgjedhor.

II. Anulimi i zgjedhjeve dhe më tej shtyrja e tyre cënoi të drejtën e shtetasve për të zgjedhur.

III. Presidenti veproi në mungesë të bazës ligjore kur anuloi zgjedhjet dhe vendosi shtyrjen e tyre pa pasur një kompetencë të tillë në kushtetutë e në ligj”

Ndërkohë, zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi u shpreh se qeveria ka shpërndarë materiale të rreme në lidhje me raportin e Komisionit të Venecias. Blushi akuzoi hapur kreun e Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, si personi që ka shpërndarë materiale jo të sakta nga ai i vlerësimit të “Venecias”.

Në raportin e Komisionit të Venecias, i cili u publikua ditën e stome thuhej; “ Presidenti mund të ketë vepruar përtej kompetencave të tij kushtetuese, ka të dhëna se veprimet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre që mund të justifikojnë shkarkimin e tij”./ Opinion.al E.Xh.

30

Share: