Home KRYESORE Flet këshilltarja e Haradinaj:Në Samitin e Berlinit Rama gjeste jo serioze

Flet këshilltarja e Haradinaj:Në Samitin e Berlinit Rama gjeste jo serioze

Përplasjet mes kryeministrit në ikje të Kosovës Ramush Haradinaj dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama janë duke vijuar. Mbrëmjen e së enjtes në emisionin “Opinion”, Rama u shpreh se do të padiste Haradinajn pasi sipas tij ky i fundit ka gënjyer lidhur me deklaratat e tij për shkëmbin territoresh.

Pas këtyre deklaratave këshilltarja e kryeministrit në ikje, Haradinaj, Meliza Haradina-Stublla, ka shkruar një status në Facebook ku shprehet se kur ndodheshin në Samitin e Berlinit, Rama bënte veprime për të rënë në sy, pavarësisht se kishte veshur atlete.

Më tej, ajo ka sqaruar skenat në Berlin,sipas saj kur Rama dhe Hashim Thaçi i kishin bërë presion Haradinajt të hiqte taksën ndaj Serbisë.

Statusi i plotë i Meliza Haradinajt:

JA E VËRTETA E RAMËS

Domosdoshmëria e zgjidhjes së nyjes Kosovë – Serbi, nuk i jep rol paternalist Edi Ramës që të imponohet si ndërmjetësues. Megjithatë, ai provoi këtë rol edhe në diskutimet informale në Berlin, duke u afruar pa ftesë tek tavolina ku kancelarja Merkel dhe presidenti Macron i ftoi për pije liderët e Kosovës dhe Serbisë. KM Rama ‘kërcente’ në diskutimet që filluan aty – pa rend e pa respekt ndaj diskutuesve. Dikur filloi të kapte Presidentin Thaçi për krahu, duke tentuar ta tërhiqte më larg kryeministrit Haradinaj, për të gjetur një bashkëbisedues për dokrrat e tij gjeopolitike që si dëgjonte kush.

Dikur kur u bind që Kosova ka lider që zëshëm dhe logjikshëm e argumenton realitetin e Kosovës, dhe atë madje edhe në anglisht edhe në frëngjisht, u spostua në kolltuqet anash hollit të Zyres së Kancelares, duke pozuar para fotoaparatit të Ministrit të tij në detyrë. Më pas vazhdoi pa ndonjë rol, duke ofsharë nëpër hollet e katit të 5të, e duke bërë gjestikulacione joserioze për një kryeministër për të shfaqur pakënaqësinë e tij për mungesë vëmendjeje, edhe pse me mbathje atraktive.

Në fakt, do të ishte shumë më mirë nëse Rama do preokupohej me rrugën eurointegruese të Shqipërisë, e mos të humbte kohën e mundësinë duke fshehë dështimet e tij qeverisëse prapa këshillave ‘kreative’ që ia jepte Kryeministrit Haradinaj se si të zgjidhej çështja Kosovë – Serbi, apo si të veprohej me taksën 100%.

E vërteta është një, si privatisht, ashtu edhe publikisht: që Kosova nuk është mall as tokë që mund të shkëmbehet nga tregtarë aksidental!

Veprimet specifike të shqiptarëve që i përgjigjen agjendës serbe, do të kenë kualifikim të veçantë në historinë kombëtare… e kjo s’është punë e kësaj gjenerate! Ma thuani cilit shqiptar i duhet ‘e vërteta’ e Ramës me dëshmitar Vuqiqin e Thaçin?!/Opinion.al/

Share: