Home KRYESORE Hendeku politik shqiptar: 99 me 1, asgjë në mes

Hendeku politik shqiptar: 99 me 1, asgjë në mes

Nga Linda Karadaku

Sikur politika në Shqipëri të mos ndikonte aq shumë sa ndikon në gjithçka në jetën tonë të përditshme, edhe ne do ishim më mirë, edhe politika vetë do ishte më mirë. Çdo ndryshim në qeverisje sjell pa diskutim ndryshime në vendet e punës, në hierarkinë në administratë, ndryshimin e ligjeve në mënyrë shpesh radikale, probleme në çështjen e pronave, kalimin ndonjëherë nga njëri ekstrem në tjetrin, ikjen e një grupimi dhe onturazhi të tërë dhe zëvëndësimin me një tjetër deri tek pastrueset. Sjell gjithashtu ndryshimin e asaj që është e ligjshme dhe asaj që është e paligjshme de facto, e asaj që është e pranueshme dhe asaj që është e papranueshme, siç është rasti i ndërtimeve me leje e pa leje, ndryshimet në komunikacionin rrugor, taksat dhe tatimet e plot të tjera si këto. E thënë më thjeshtë, qeverisja, shteti, herë mbyll një sy e herë tjetrin, siç ishte rasti i kanabisit, ku një palë mbyllte një sy për Lazaratin në kohë të vet dhe pala tjetër për zonat e tjera po në kohë të vet apo ndërtimet pa leje, që një palë mbyllte sytë dhe i lejonte ndërsa tjetra hapte syrin dhe i prishte.

Politika na dikton jetën dhe ka, për fat të keq, aftësinë që të të bëjë të mendosh dhe të ndërtosh të ardhme këtu ose të ikësh sa më parë duke mos parë dritë në fund të tunelit dhe duke thënë se të gjithë janë njësoj. Pavarësisht nga ligjërimet politike që përpiqen të orientojnë njerëzit në të tashmen, duke thënë se gjithmonë faji për këtë situatë është ose i këtij grupimi që është në pushtet, ose i atij që është në opozitë, në fakt, ky sindrom, alla-shqiptar, është akt dhe pasojë e gjithë klasës politike në këto 29 vjet, por edhe shoqërisë shqiptare, që nuk ka arritur të krijojë në periudhën post-komuniste rregulla, vlera dhe ligje afatgjata, që i qëndrojnë kohës, modernizojnë shtetin dhe shoqërinë dhe e çojnë atë përpara.
Besoj se ajo që e shkakton një mënyrë të tillë të menduari e për pasojë të sjelluri është shkëputja e klasës politike nga baza, nga qytetarët, nga jeta që bëjnë ata dhe problemet që kanë. Çuditërisht ne nuk kemi politikanë të varfër, madje as shtresë të mesme; nuk kemi zyrtarë të lartë të administratës as të varfër, as të shtresës së mesme, megjithëse rrogat e shtetit janë për të ardhur keq. Prandaj, shkëputja mes tyre dhe popullsisë bëhet hendek gjithnjë e më i madh dhe në këtë hendek hyn që nga abuzimi me pushtetin dhe korrupsioni, deri tek krimi, droga, prostitucioni, çmenduria e kështu me rradhë.

Ky lloj hendeku i lë të varfërit gjithmonë e më të varfër dhe të pasurit gjithnjë e më të pasur. Shtresë të mesme nuk ka. Kush mendon se shtresë e mesme mund të quhet ai ose ajo që marrin një rrogë të vogël shteti dhe nuk arrijnë të mbyllin muajin ose larg qoftë, të sëmuren dhe nuk arrijnë as të paguajnë shpenzimet bazike në spital, e ka gabim. Kush mendon se shumica bazike e administratës së shtetit, mësues, policë, infermierë, e kështu me rradhë, hyjnë në shtresën e mesme, me ato rroga që marrin, e ka gabim.

Për fat të keq, fjala ndërtim apo hartim politikash është nga më të përdorurat në qeverisjet shqiptare. E keqja është se sikur vërtetë të kishte pasur politika të sinqerta dhe efikase për të ndërtuar një shtet social ku diferenca midis të pasurve dhe të varfërve të mos ishte 1 përqind me 99 përqind në kurriz të varfërisë, pa asnjë shtresë shoqërore diku në mes, situata do kishte qenë ndryshe. Dhe ne do kishim qenë ndryshe. Politika vetë do kishte qenë më njerëzore dhe trysnia shoqërore mbi të më e madhe dhe më cilësore. Do të protestonim të gjithë bashkë për ujë, drita, rrugë, cilësi në arsim dhe shëndetsi dhe jo për axhendat politike të njërit apo tjetrit. Jo për karrike pushteti, po për vete, për familjet tona dhe fëmijët që po i rrisim dhe shkollojmë këtu!

Share: