Nga Ramadan GJANA
As 25 vite nuk u mjaftojnë viktimave, xhelatëve dhe mbarë shoqërisë njerëzore, për të harruar dhe fshirë gjakun e masakrave gjenocidale.
Humanizmi si vlerë dhe kategori morale me origjinë hyjnore, krahas kujtesës njerëzore, ashtu si “fantazma e Bankos”, do të përndjekin përjetësisht xhelatët në udhëtimin e tyre të përgjakshëm deri në fund-jetë.
Më 7 prill 2019 u përkujtua 25-vjetori i fillimit të Gjenocidit të Tutsi-ve të Ruandës.
Si studiues dhe specialist i Afrikës dhe Mesdheut, kam qenë gjithnjë i joshur dhe i ndjeshëm ndaj fatit tragjik të Tutsi-ve të Ruandës. Ndaj dhe kam lexuar e studiuar pothuajse gjithë literaturën ekzistuese, si dhe raportet e organizatave ndërkombëtare e atyre të pavarura, që trajtojnë e dëshmojnë krimet dhe masakrat e kryera ndaj Tutsi-ve në Ruandë.
Por si intelektual dhe bir i një populli të masakruar ndër shekuj nga armiqtë e tij historikë, jam tronditur thellë kur kam mësuar se edhe shteti dhe shtetarët shqiptarë të asaj kohe rezultojnë fajtorë dhe ndihmës-xhelatë në gjenocidin e tmerrshëm të Ruandës.
Gjenocidi ndaj Tutsi-ve i vitit 1994 zgjati tre muaj dhe la pas, sipas burimeve të ndryshme, ndërmjet 800 mijë dhe 1 milion viktima.
Pothuajse 90 % e popullit “Tutsi” të Ruandës u shfaros nga urrejtja e gjakatarëve “Hutu” të Juntës së kohës në pushtet, që sikurse nazistët, projektoi dhe zbatoi “zgjidhjen përfundimtare të problemit Tutsi”.
Për të zbatuar këtë projekt gjenocidist, të gjitha institucionet shtetërore të Ruandës u vunë në dispozicion të kriminelëve, që, për t’i zënë viktimat e tyre në grackë, ngritën barrikada në çdo rrugë e rrugicë të qyteteve dhe fshatrave.
Madje as objektet e kultit nuk shërbyen si mburojë për viktimat, pasi shumica e Tutsi-ve të pafajshëm u vranë dhe u dogjën për së gjalli nëpër kishat e Ruandës, ku ishin strehuar me shpresë se aty do të gjenin shpëtim.
Fatkeqësisht, raportet dhe dëshmitë tregojnë se në shumicën e rasteve priftërinjtë bashkëpunonin me xhelatët…
250-300 mijë gra, vajza të reja, përfshirë këtu dhe fëmijë të mitur, u përdhunuan nga trupat ushtarake, para-ushtarake si dhe ato të komitetet e civilëve Hutu (Interhahamwe), para se të masakroheshin. Madje ideologjia raciste urdhëronte çdo Hutu që t’i përdhunonte viktimat Tutsi para vrasjes.
Për shumë ushtarakë, diplomatë, intelektualë dhe specialistë të Afrikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, gjenocidi i Tutsi-ve shënon një nga barbaritë më të turpshme e më të përgjakshme të historisë së njerëzimit.
Atëkohë, ekzistonte baza ligjore për një ndërhyrje efikase ushtarake, që do ta kishte pamundësuar gjenocidin. Por Komuniteti Ndërkombëtar bëri qorrin dhe shurdhin, madje arriti deri aty sa i tërhoqi trupat paqeruajtëse që kish dërguar më herët në Ruandë, duke lënë atje vetëm një kontigjent afrikan me 500 ushtarë gjithsejt ; “paqeruajtës” këta të OKB, nën drejtimin e gjeneralit kanadez Roméo Dallaire. Ky ushtarak ishte dërguar në Ruandë qysh në vitin 1993, në bazë të Rezolutës nr. 872 të KS të OKB.
Por pavarësisht se ndërkombëtarët në Ruandë, personalisht gjenerali Dallaire, si dhe agjensitë e huaja, njëkohësisht paralajmëruan se Junta e xhelatëve Hutu po përgatiste shfarosjen e Tutsi-ve, Kombet e Bashkuara nuk e zgjeruan mandatin e ndërhyrjes së kaskave blu për ta pamundësuar gjenocidin!?!
Vetëm një muaj pas fillimit të masakrave, më 17 maj 1994, Këshilli i Sigurimit i OKB miratoi rezolutën nr. 918, që impononte “Embargon” mbi armët me destinacion Ruandën. Kjo Rezolutë theksonte shprehimisht detyrimin “… që të gjitha shtetet të parandalojnë shitjen ose dorëzimin në Ruandë, nëpërmjet territorit të tyre, ose nëpërmjet shtetasve të tyre, ose me anije që përdorin flamurin e tyre, apo avionët që kanë shtetësinë e tyre, të të gjitha llojeve të armatimeve dhe materialeve të ngjashme, duke përfshirë armë dhe municione, automjete dhe pajisje ushtarake, pajisje policore, paraushtarake dhe pjesë rezervë…”.
Koha tregoi me fakte se shumë shtete nuk e respektuan këtë embargo, duke filluar nga Franca, (njëri nga 5 anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB).
Atëkohë, Franca e konsideronte atë pjesë të Afrikës si zonën e saj ekskluzive të influencës dhe e vlerësonte luftën për mbijetesë të “Forcave Patriotike Ruandeze të gjeneralit Paul Kagame” (Tutsi) si produkt i një “komploti anglo-amerikan” me synim fundor pakësimin e ndikimit dhe prezencës franceze në Afrikë.
Embargoja formale jo vetëm që nuk i ndaloi, por i nxiti trafikantët e armëve të përfitonin e të furnizonin ilegalisht xhelatët Hutu për të realizuar masakrat mbi Tutsi-të. Kësisoj, trafikantët u përdorën nga shtete të ndryshme për ta shkelur Rezolutën e OKB që kishin miratuar vetë.
Faktet rrëqethëse treguan se edhe Shqipëria nuk mbeti pas në ndarjen e këtij turpi…