Shqiperia dhe Kina Kane Nevojë për Ide qe të Zgjerojne Marrëdhëniet
Nga Genc Mlloja
Kam qënë gjithnjë shumë kurioz mbi Kinën që në rininë e hershme. Duke patur parasysh Shqipërinë, qytetin tim ku u rrita deri ne 18 vjec – Shkodrën, pra në një hapësirë të vogël e në numër po të vogël popullsie, habitesha për atë vend me një popullësi prej rreth 1 miliard njerëz që shtohej cdo vit me shpejtësi, me kulturë të lashtë, me një histori të vrullshme dhe zhvillime dinamike deri në ditët e sotme. Zhvillimet në atë vend në mes të viteve 1960 e vetë Revolucioni Kulturor, i cili zbriti deri në Shqipëri me vecoritë e veta më shtonin kureshtjen, e jo vetëm mua. Nga ana tjetër populli – njeriu kinez, të cilin e kishim parë në Shqipëri me sjelljen e tij gati-gati spartane: punë e banesa, pa asnjë kontakt me shqiptarët vec atyre ku punonin në orarin e punës, të gjitha këto më ngjallnin kureshtje për tërësine e tij njerëzore, kulturore e shpirtërore.
Kam patur një profesor kinez në vitin 1969 në vitin e 4-të të Universitetit në Tiranë, i cili na mësonte anglisht. Kishte studjuar në Londër. Ai më është ngulitur në mëndje për modelin e intelektualit kinez- i veshur jo si ‘Gardistët e Kuq’ të kohës së Revolucionit Kulturor, por elegant, ala perëndimor, me një anglishte të përkryer dhe kulturë të gjërë aq sa ai na lejonte të depërtonim. Në një rast i bëmë një vizitë në shtëpi këtu në Tiranë, dhe më kujtohet se cdo gjë dukej tamam si jeta jonë e asaj kohe. Nuk kam dije për fatin e tij të mëvonshëm se në 1970, në kulmin e Revolucionit Kulturor, u largua; e transferuan në Kinë.
Puna në Agjencinë Telegrafike Shqiptare nga 1970 deri më 1980 koincidoi me ngjarje dramatike ndërkombëtare për të cilat mësoja cdo ditë. E pikërisht kthesa- viti 1978, shënoi për atë vend ndryshimin e kursit politik e ekonomik me hapjen drejt perëndimit duke sjellur edhe prishjen e madhe midis Tiranës dhe Pekinit. U ndanë rrugët ‘socialiste’ dhe sikurse analizohet edhe në librin tim ‘Kina, një vështrim shqiptar’ (China, an Albanian Insight), ajo kineze e drejtoi vendin kah zhvillimi ekonomik e shoqëror, kurse rruga jonë po ngushtohej vazhdimisht deri në fillim të viteve 1990 kohë kur shënoi vendosjen e pluralizmin demokratik dhe një rikthim të lidhjeve shqiptaro-kineze. Pas vitit 1993 me fillimin e shkëmbimit të vizitave në nivel të lartë dukej sikur nuk kishte ndodhur asgjë dhe pauza – 1978-1990 – nuk kishte prekur marrëdhëniet tradicionale miqësore midis dy vendeve. Në këtë mes, sikurse e kam vënë në dukje në libër, në shumë raste influenconte mirënjohja e thellë e Kinës, e të gjithë shtresave politike pa dallim, për kontributin e Shqipërisë në pranimin e vendit të tyre OKB, në vendin i cili në fakt i takonte, por që i ishte privuar që nga krijimi I R.P. të Kinës më 1 tetor 1949.
Deri ne vitin 2012 cdo gjë rreth Kinës ishin për mua cfarë shkruhej dhe shikohej në televizione, dhe vizita e parë atje në maj-qershor tëatij viti ishte ballafaqimi me realitetin, cka jam përpjekur ta pasqyroj sa kam mundur me shkrime prej andej. Koha prej tre javësh e qëndrimit, mundësitë për të takuar elitën politike, akademike e kulturore, por edhe studentë, njerëz të thjeshtë në raste spontane, programi i larmishëm me vizita në pjesë të ndryshme të vendit i hartuar nga Akademia e Zyrtarëve të Biznesit Ndërkombëtar (AIBA) që varej nga Ministria e Tregtisë, më krijuan kushte që të shkruaja. Nga ky tundim arrita të botoj prej Kine rreth 11 shkrime shumica e të cilave janë përfshirë në librin ‘Kina, një Vështrim Shqiptar’, i cili i ndarë në tre pjesë përmban 44 artikuj, analiza, reportazhe dhe intervista. Ai është botuar në shtator të vitit 2018.
Ndër shumë vizita, takime e biseda gjatë vizitave në Kinë më ka bërë përshtypje vizita e parë në maj-qershor 2012 në Akademinë për Zyrtarët Ndërkombëtarë të Biznesit pranë Ministrisë së Tregtisë në Pekin me një grup nga vende të Europës Juglindore. Programi përfshinte biseda me profesorë e specialistë të fushave të ndryshme dhe të binte në sy objektiviteti i tyre: asnjë pyetje e jona nuk mbeste pa përgjigje. Profesoresha Liu Saili e Universitetit për Politikën e Jashtme më tha më 1 qershor 2012 në një bisedë se në leksionin e saj kishte paraqitur Kinën e vërtetë sikurse është – një vend që ecën përpara, por që ka problem në rrugën e saj të zhvillimit. “Ajo ka akoma rrugë të gjatë për të bërë dhe ne nuk kemi kopjuar modele të vendeve të tjera. Po bëhet cfarë ka nevojë populli kinez. Nëse do të kishim kopjuar dhe zbatuar jo këtë model tonin, por të një vendi tjetër, kjo nuk do të ishte e mirë për vendin dhe popullin tonë”, më tha profesoresh.
Por surpriza që më bëri Znj. Saili ishte e madhe kur gjatë bisedës filloi të këndonte një këngë shqiptare. Brezi i Vitebsk 60-70 intelektualë kishin nostalgji për kulturën shqiptare e tregonin se akoma i pëlqenin filmat shqiptarë, kulturën tonë. Në këtë mes vura re dëshirën e kësaj shtrese inteluaktualësh për të mbajtur gjallë edhe në brezin e ri kulturën shqiptare, të shkuarën e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe ambicjen për ti zhvilluar Aktualisht edhe më tej.
E meqë po flas për brezin e ri në Kinë sikurse e pashë është krijuar një potencial kolosal njerëzor rinie të ditur dhe të apasionuar në fusha të ndryshme te shkencës dhe teknikës e aftë për të përballuar zhvillimet bashkëkohorë në cdo fushë. Por ajo ishte po aq e prirur ndaj cdo pune, përfshi edhe fshatin. Në një bisedë në një TV kinez i vura në dukje bashkëbiseduesit se për mendimin tim një ndër arritjet më të mëdha të Kinës është krijimi i njeriut të ri kinez. “Te ndërtosh një gratacielë është e lehtë për një vend si Kina, por të krijosh një brez avangardë e zhvillimit bashkëkohor boteror të vendit është një vepër me përmasa të jashtëzakonshme jetike”, i thashë gazetarit. Kjo arritje është impresionuese!
Në cdo rast takimesh me figura të larta të fushave të ndryshme një gjë ishte e përbashkët: dëshira për bashkëpunim në të gjitha fushat midis Kinës dhe Shqipërisë. Do të përmënd një rast konkret se është edhe original në vetvete. Në një intervistë me zëvëndës presidentin e Shoqatës Kineze për Mirëkuptim Ndërkombëtar (CAIFU) Ai Ping në 22 mars 2017 në Pekin më bëri përshtypje vëmëndja e tij ndaj burimeve ujore.
“Ju keni një potencial të madh burimesh ujore që mund të përdoren për prodhim energjie dhe vaditje. Por nuk paraqitet kështu situata në Kinë: në jug ne kemi ujë me bollëk ndërsa në veri kemi pak ujë. Cdo vend ka pikat e veta te forta dhe te dobta. Dhe iniciative ‘Një Brez, Një Rruge’ ka ndër të tjera këtë qëllim: komplimentarizmin, bashkërendimin e pikave të dobta dhe të forta të vendeve të ndryshme. Në fushën e energjisë Kina dhe Shqipëria kanë disa mësime nga e kaluara”, tha Z. Ai Ping, i cili e kishte vizituar Shqipërinë para disa vitesh. Dhe Z. Ping nuk ishte i vetmi që shikonte potenciale të pashfrytëzuara midis dy vendeve që kanë patur një të kaluar pozitive bashkëpunimi në fusha të ndryshme të ekonomisë.
Por nga përvoja ime modeste e pasqyruar edhe në libër vërej se edhe qarqet akademike kineze ndjekin me interes ecurinë e Shqipërisë dhe mundësitë e rritjes së bashkëpunimit. Konkretisht studjuesja kineze Long Jing, zëvëndësdrejtoreshë e Qëndrës për Studimet Europiane të Instituteve të Shangait për Studimet Ndërkombëtare, vinte në dukje në një intervistë që pata me të më 12 shkurt 2018, duke iu referuar Shqipërisë në kuadrin e mekanizmit ‘16+1’, theksonte se ky vend nuk është një ‘qoshe e harruar’ për Kinën. “Unë kam besim se Shqipëria do të arrij të gjej tiparin dhe pozitën e saj unike në kuadrin e këtij mekanizmi”, Zonjusha Long vuri në dukje.
Do ti mbyll këto shënime me cfarë është e dukshme në librin ‘Kina, një Vështrim Shqiptar’: përpjekja e vendosur e të gjithë ambasadorëve, të cilët kanë qënë në Shqipëri nga 2010 e këtej, për të zgjëruar bashkëpunimin dypalësh, një dëshirë e shprehur qartësisht në cdo rast që kam patur të kem intervista apo biseda me ta. Këtë mesazh e ka dhënë edhe Ambasadori i tanishëm Zhou Ding dhe do ta citoj një paragraf të një leksioni që ai mbajti në Universitetin Mesdhetar në Tirane në maj të këtij viti: “Si ambasadori i Kinës në Shqipëri, unë pres të bashkëpunoj më ngushtë me Shqipërinë për të ushqyer pemën e miqësisë tradicionale Kinë-Shqipëri, për më shumë fryte të reja. Unë pres që profesorët dhe studentët e pranishëm të bëhen misionarë të miqësisë Kinë-Shqipëri, dhe gjithashtu nxitësit e kontribuesit për prosperitetin dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë”.