Z. Goro, ky vit shënon 30 vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, një nga ato ngjarje epokale, kur gjithësecili e kujton “ku ishte dhe çfarë po bënte në ato momente”. Nëse ju vjen ndërmend, ku ndodheshit dhe cili ka qenë përjetimi juaj në atë kohë, mbi ngjarjet që po shpaloseshin, me shembjen e barrierës që ndante më dysh Berlinin, Gjermaninë, Evropën dhe Lindjen me Perëndimin?Publicisti, shkrimtari dhe njëkohësisht gazetari i mirënjohur, Z. Robert Goro, ka folur me bota.al në lidhje me tranzicionin e Shqipërisë, që nga momenti i shembjes së Murit të Berlinit. Me syrin e një profesionisti të medias, që ndonëse e ka zhvilluar aktivitetin e tij në Greqinë fqinjë, nuk ia ka ndarë asnjëherë vështrimin zhvillimeve të kësaj ane të kufirit. Një distancë që e ka ndihmuar të jetë edhe më objektiv, se shumë prej kolegëve të tij në Tiranë, që me dashje apo pa dashje kanë qenë të përfshirë në vorbullën e dinamikës së ngjarjeve të këtyre tre dekadave.
Me një karrierë të gjatë në revistën e famshme satiro-humoristike Hosteni, Z. Goro ka punuar më pas, nga viti 1993 deri në 2011 si korrespondent i seksionit shqip të radios BBC.
Goro ka qenë bashkëpunëtor i gazetave dhe revistave më të rëndësishme shqiptare gjatë këtyre më shumë se 20 viteve, ndërkohë që për shumë vite ka drejtuar të përjavshmen në gjuhën shqipe “Gazeta e Athinës” dhe “Tribuna”.
E mbaj mend shumë mirë, pse kam qenë në kombinatin poligrafik, duke korrektuar bocat e gazetës “Puna” bashkë me vajzën që doja e që pas dy vjetësh u bë bashkëshortja ime… Duhet të ketë qenë ose e hënë, ose e enjte, në mbrëmje. Dola jashtë për një cigare, kur vjen një prej linotipistëve dhe me sy të qeshur e me një ton komplotist, më tha: “E pat dhe Muri i Berlinit, ra!”. Fillimisht nuk e besova, por ai nguli këmbë, duke më thënë se sapo e kishte dhënë RAI. Sigurisht që reagimi i parë, edhe për shkak të moshës, ishte entusiazmi. Një entusiazëm ndërkaq, që u shuajt aty për aty, sapo hodha sytë rrotull dhe pashë parrullën e kudondodhur “Ç’do populli bën Partia, ç’thotë partia bën populli”. Te ne nuk ka për të ndryshuar asgjë, mendova me dhimbje e me një lloj xhelozie ndaj gjermanolindorëve, por edhe polakëve dhe hungarezëve, që tashmë kishin bërë hapin e parë drejt një të ardhmeje jo komuniste. Të nesërmen, entusiazmi m’u rikthye, teksa rënia e Murit ishte tema e vetme e bisedës në Tiranë dhe disa nga miqtë e mi më të besuar thoshnin se tani ka ardhur radha e Shqipërisë. Në mënyrë paradoksale bindja e tyre forcohej nga heshtja kokëfortë e regjimit dhe shtypit të kohës që nuk i kushtuan asnjë rresht kësaj ngjarjeje madhore e më tepër – për mendimin tim- simbolike. Mesazhi kryesor që morën shqiptarët ishte se komunizmi nuk është më i pathyeshëm, siç na kishin mbushur mendjen e shumë prej nesh e kishin pranuar si një aksiomë. Gjithsesi, ishte një mesazh shumë i rëndësishëm, që zgjoi apo ngjalli shpresë te shqiptarët, të cilët mund të mos kishin shenja disidence, por që sidoqoftë përditë e më shumë e kuptonin se për gjendjen e mjeruar të vendit nuk ishte faji i “bllokadës borgjezo revizioniste”…
A mendoni që shembja e Murit të Berlinit mijëra kilometra larg Shqipërisë, pati një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ngjarjeve në vendin tonë?
Nuk do të thoshja që pati ndikim të drejtëpërdrejtë. Rënia e komunizmit ishte një efekt domino që nisi me Poloninë, në mesin e vitit 1989 dhe përfundoi me Shqipërinë, një vit e gjysmë më vonë. Muri ishte një nga gurët e dominosë dhe Shqipëria ishte, le ta them kështu, guri i fundit. Por gjithsesi, ishte një mesazh për regjimin, por jo vendimtari. Mendoj se ngjarja që e bëri regjimin e Tiranës të mendohej seriozisht, ishte vrasja e Nikolae Çausheskut, në dhjetor 1989. Pavarësisht se atëherë Ramiz Alia deklaronte që “ngjarjet që ndodhin atje nuk kanë të bëjnë fare me ne”. Por gjykoj që në mendjen e Alisë dhe pjesëtarëve të tjerë të udhëheqjes, të paktën ka regëtirë frika se ata do të mund të kishin të njëjtin fat. Prandaj dhe nxituan të merrnin ato masat gjysmake, duke ngulmuar se “vendi do të demokratizohej, por do të mbetej socialist”… Domethënë diçka si puna e asaj gruas që “është pak me barrë”.
Ka patur shumë kritika mbi mosrealizimin e aspiratave të 1989-ës. Janë kritika të shfaqura në disa vende të Evropës Lindore. Edhe rrugëtimi historik dhe politik i Shqipërisë ka qenë disi i pazakontë (për të thënë më të paktën). Sot, kur ktheni kokën pas, si e shikoni këtë rrugëtim?
Sigurisht që udhëtimi i Shqipërisë ka qenë i pazakontë, dhe nuk e kam fjalën për “shkalafitjen” e 1997-s. Por ka qenë krejtësisht në kahun e kundërt të pritshmërive që pati në fillim -e që mund të ketë ende- shumica e popullsisë dhe jo vetëm elita. Nga gjithë shtetet sovrane të periudhës së ish kampit socialist, jemi i vetmi që ende presim se kur do të kalojmë “pragun” e Bashkimit Europian. Por nga ana tjetër duhet të jemi të ndërgjegjshëm që anëtarësimi nuk është as premio dhe as kompensim solidariteti. Dhe në fakt, mendoj se është bërë shumë -me hir a me pahir- në rrugën e integrimit; nuk më pëlqen që gjërat t’i shoh bardhezi. Por nuk them ndonjë gjë të re po të vërej që mund të bëhej shumë më tepër dhe shumë më mirë. E për këtë natyrisht, përgjegjësinë e kanë ata që na udhëheqin. Por mendoj se më shumë përgjegjësia bie mbi vetë qytetarët që vazhdimisht e vazhdimisht ia kanë dhënë votën dy poleve kryesore që shkëmbehen tash tri dekada në pushtet.
Le të bëjmë një udhëtim pas në kohë, me tridhjetë vite. A jeni në gjendje të kujtoni, si e imagjinonit Shqipërinë pas 2 apo 3 dekadash, në atë vit të largët 1989?
Në 1991, Shqipërinë e imagjinoja motamo siç e aspiroj edhe sot: Një vend normal të Europës Juglindore, me problemet e veta specifike që i dedikohen të kaluarës komuniste, por me një demokraci funksionale; me një ekonomi tregu në kushte optimale dhe një nivel jetese gjithashtu optimal për qytetarët e vet. Edhe pse kam 26 vjet që jetoj jashtë vendit, vij kaq shpesh në atdhe, prandaj kam çdo mundësi që të konstatoj me sytë e mi dhe me mendjen time që asnjë nga elementët që përmenda pak më lart, nuk janë sendërtuar ende në mënyrë të plotë. Pavarësisht që, në pamje të jashtme, vendi dhe sidomos Tirana, ka ndryshuar kaq shumë, saqë “humbet busullën” edhe në rrugët që në rininë tënde i ke shkelur me mijra herë dhe aty gjendet pjesa më e bukur e kujtimeve të tua.
Pavarësisht entuziasmit që përfshiu të madh e të vogël në ato ditë kur Shqipëria linte pas një herë e përgjithmonë 50 vite të regjimit totalitar dhe hynte në një fazë të re, të panjohur, të një shoqërie demokratike, të paktë ishin ata që e ndjenin se rruga që do të ndiqej nuk do të ishte një autostradë, por një garë me pengesa. Pyetja është e drejtpërdrejtë: Çfarë shkoi mirë në tranzicionin shqiptar gjatë këtyre 30 viteve? Dhe çfarë shkoi keq?
Siç thashë dhe më lart, vendi ka ndryshuar jashtëzakonisht dhe unë këtë e konsideroj më shumë si një produkt të vetë zhvillimit të jetës dhe të vitalitetit të jashtëzakonshëm të shqiptarëve, se sa të tranzicionit. Ndodhi që kjo periudhë tranzicioni të jetë sfondi kohor në të cilin ndodhi ky ndryshim tektonik. Përndryshe, 30 vjet tranzicion janë më shumë se një çerek shekulli; vetëm në Egjiptin e lashtë zgjasnin nga një shekull periudhat tranzitore – por kjo ndodhte 2.000 vjet para Krishtit. Ndërsa sot?… Gjithsesi, që të mbetem dhe në kuadrin e pyetjes tuaj, tranzicioni ndikoi në promovimin e ndjenjës së lirisë e të demokracisë – pavarësisht që këto nocione jo pak herë u keqinterpretuan dhe madje u keqpërdorën edhe nga vetë qytetarët.
Nga ana tjetër, kam përshtypjen se në “tranzicionin shqiptar” shkoi keq pikërisht ajo që duhej bërë qysh në fillim dhe që për mendimin tim është zanafilla e gjithë problemeve që pasuan: nuk u realizua ndarja përfundimtare nga e kaluara komuniste. Kjo u tentua të bëhej në ekonomi, me “terapinë e shock-ut” dhe një nga pasojat më shkatërruese që krijoi ishte migrimi masiv i shqiptarëve: punëtorë të kualifikuar, inxhinierë të talentuar, specialistë mjaft të aftë, një armatë të tërë mjekësh, arsimtarësh, pedagogësh etj., u gjendën duke çarë male e dete dhe përfunduan në punëtorë ndërtimi, bujq, shitës ambulantë, pastrues. Mendoj që ishte pjesë ndoshta më aktive dhe më e përgatitur e shoqërisë shqiptare, që brenda një nate mbeti e pa punë dhe pa perspektivë për vete e familjet e tyre. Fakti që pjesa më e madhe e tyre ende nuk po kthehen në atdhe, (me përjashtim të atyre që kthehen si pensionistë ose të vdekur), dëshmon -mendoj- për një tjetër dështim të tranzicionit… Edhe pse nga natyra jam absolutisht kundër radikalizmave, mendoj se në rastin e Shqipërisë së 1990-s, kjo ishte një domosdoshmëri e tipit “më mirë një fund me tmerr se sa një tmerr pa fund”.
Eshtë thënë se vendet e Evropës Lindore, hynë në periudhën post-komuniste duke zgjedhur qasje të ndryshme. Ata shtete që zgjodhën një qasje më radikale ndaj tranzicionit – një lloj “big bang”-u – e përfunduan më shpejt këtë proces (si Republika Çeke dhe Polonia), apo edhe Sllovakia, ndërkohë që shtetet që e “humbën” vrullin dhe zgjodhën një qasje më graduale (Hungaria dhe Sllovenia), mbetën më mbrapa. Sipas këndvështrimit tuaj, cilën qasje zgjodhi Shqipëria. Dhe a ishte e duhura?
Nuk mendoj se ka qenë më determinante qasja, se sa vetë backgroundi social-politik i këtyre vendeve që përmendni dhe të cilat, që prej 15 vitesh janë anëtare të Bashkimit Europian. Ndryshe nga Shqipëria, gjithë ky bllok shtetesh kishte një përvojë liberal-demokratike në periudhën para Luftës së Dytë Botërore, gjurmët e të cilës nuk arriti t’ia shuante sundimi gjysmëshekullor i komunizmit. Prandaj dhe në mjaft prej këtyre vendeve kemi që nga mesi i viteve 1950 revoltat masive që u mbyten vërtet në gjak, por që treguan se tharmi i rezistencës ishte i gjallë dhe aktiv. Ky tharm për mendimin tim, solli në periudhën post-komuniste ekzistencën e një oponence të qytetarëve ndaj lidershipit, duke e detyruar këtë të fundit që të jetë më i përgjegjshëm. Ndërsa në Shqipëri komunizmi shkatërroi që në embrion çdo qelizë rezistence nëpërmjet dhunës sistematike, terrorit psikologjik dhe shplarjes së trurit. Më tej, mungesa e një tradike demokratike dhe institucionale – tentativat që u bënë gjatë viteve 1930 u ndërprenë për shkak të Luftës – mendoj se shpjegojnë vdekjen që pa lindur të disidencës dhe rezistencës së organizuar. Rrjedhimisht, edhe mungesën e oponencës qytetare në ditët e sotme, që është një domosdoshmëri për funksionimin dhe konsolidimin e demokracisë.
93 përqind e shqiptarëve janë pro integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjë që na bën ndoshta popullin më proevropian, në një kohë të lulëzimit të populizmave dhe ekstremizmave. Megjithatë, sot 3 dekada më vonë, Shqipëria “ende pret tek porta”. Pse kjo vonesë? Cilët mendoni se janë faktorët që kanë bërë që ta humbasim “trenin e integrimit” gjatë këtyre 30 viteve.
Mendoj që përgjigjet janë dhënë gjatë pyetjeve të mëparshme. Por mendoj gjithashtu që një faktor bazik ndodhet jashtë Shqipërisë, në atë që gjithkush me eufemizëm e quan “Bruksel”. Nga Brukseli ka një lloj hipokrizie, ka nga pak spekulim, dhe nga pak “fondamentalizëm oskidental” nëse mund ta quaj kështu që lidhet me faktin e një shumice me origjinë myslimane, por në thelb ateiste… Druaj se ka edhe interesa individuale ekonomike, në sensin që të marrurit me një vend kandidat është paksa edhe si pulë që bën vezë të arta… Nga ana tjetër, lidershipi i gjithë Shqipërisë post-komuniste ka ruajtur vazhdimisht pozitat e nxënësit të bindur, për “mos ta prishur” me mësuesin.
Të gjitha këto, mendoj se zhvlerësojnë edhe atë indikatorin e popullit më proeuropian që gjithsesi, nuk është se luan ndonjë rol të madh për burokratët e Berlaymont-it (selia e KE), që e sollën Europën në këtë prizë ekzistencialiste që po përjeton sot.
A mendoni se klasa politike shqiptare në tërësi – në të gjithë spektrin e saj – ia ka dalë që të ngrihet në lartësinë e peshës dhe rëndësisë që kjo periudhë 3-dekadëshe ka në historinë e Shqipërisë?
Absolutisht jo dhe nuk mendoj se ka nevojë për shtjellim të mëtejshëm kjo përgjigje…
Themeli i një shoqërie demokratike perëndimore është sundimi i Ligjit. Sa mendoni se e kemi “ndërtuar” këtë themel gjatë tranzicionit post-komunist shqiptar.
Në fakt, mendoj se tani, në tetor 2019, jemi duke “hapur themelet” – dhe kam parasysh reformën në drejtësi, polici; reformë që mendoj se duhet shtrirë në gjithë fushat e jetës publike; edhe në biznes. Na u deshën 30 vjet që të kuptojmë se kishte të drejtë Bismarku kur thoshte që “me ligje të këqija dhe zyrtarë të mirë, mund të qeverisësh. Mirëpo me zyrtarë të këqinj, as ligjet më të mira nuk mund të të ndihmojnë”… (Dhe ne shumicën e ligjeve i kemi shumë të mira – këtu nuk përfshij ligjin 7501 – falë edhe përshtatjes së detyruar me legjislacionin europian). Por nuk mund të sundojë ligji kur ke avokatë, gjykatës, drejtorë, biznesmenë, deputetë, të cilët në jetën e tyre të djeshme të shihnin në dritë të syrit për t’iu dhënë një kafe ekspres, dhe sot krekosen në mënyrën më të pacipë në makinat e tyre të shtrenjta e kanë nga tri palë shtëpi luksoze.
Nuk ka dyshim se rrugëtimi i vështirë, plot gropa dhe pengesa i Shqipërisë në këto 3 dekada, na ka zbritur të gjithëve me këmbë në tokë dhe na ka bërë më realistë për atë çfarë duhet të presim nga e ardhmja. Çfarë mendoni se rezervon kjo e ardhme për Shqipërinë?
Mendoj që secili prej nesh duhet të pyesë veten: cili është qëndrimi im ndaj të ardhmes së vendit… Vetëm duke u dëshmuar qytetarë aktivë, që e konsiderojmë votën me të vërtetë të shenjtë, mendoj se mund t’i bëjmë mirë vendit; në radhë të parë ta bëjmë për të mirën e fëmijve tanë, që mos të vuajnë dhe ata depresionet tona post-komuniste… Nuk do shumë mend të kuptosh që rruga e ndjekur gjatë këtyre 30 vjetëve nuk ishte më e mira e mundshme. Por meqë nga natyra ime jam një optimist i pashërueshëm, mendoj që e ardhmja do të jetë më e mirë. Jo detyrimisht në sajë të politikanëve. Dhe këtu lejohem të sjell shkurt një bisedë me një nga politikanët kryesorë shqiptarë pak ditë para zgjedhjeve të 29 qershorit 1997. “Ky është shansi i fundit për Shqipërinë”, më tha ai për zgjedhjet. “Më falni, por e keni kryekëput gabim!”, iu përgjigja: “Ky është shansi i fundit për ju. Shqipëria shanset i ka pafund”. Nisur nga fakti që ai tashmë ka shumë vite i tërhequr nga politika, mendoj që pata të drejtë… E pranoj, mund të jetë kontravers ky këndvështrimi im, por nuk kam diçka tjetër…
Një pyetje e fundit: Ku e shihni Shqipërinë, në 2049-ën?
Kërkoj ndjesë, por ndihem më komod të përgjigjem se SI E SHOH SHQIPËRINË NË 2049-n… Ose më saktë, si do të doja ta shihja (renditja është krejt e rastësishme)…
Një vend me një sistem arsimor të të gjitha niveleve, antagonist me ato më të përparuarat europiane.
Një vend ku gjithë shtyllat e jetës shoqërore do të jenë të bazuara në vlerat.
Një vend ku do të prodhohen të paktën pesë filma artistikë në vit dhe ku filmat e kinostudios Shqipëria e Re, do të shfaqen vetëm në evente shkencore.
Një vend që do të ketë tashmë nobelistin e parë në letërsi dhe ky nuk do të jetë detyrimisht Kadareja…
Një vend me nivelet më të larta në Europë të leximit të letërsisë artistike.
Një vend ku gjithë bizneset, përfshirë dhe ato mediatike, do të funksionojnë në bazë të kërkesës dhe ofertës.
Një vend me popullsi të paktën 5 milionë banorë, pasi do të jenë kthyer edhe nipat e emigrantëve të sotëm.
E fundit, por jo për nga rëndësia: Një vend anëtar të Bashkimit Europian (nëse do të ekzistojë deri atëherë), dhe madje nga anëtarët më të respektuar e konstruktivë. / bota.al
Kjo intervistë e Z. Robert Goro është pjesë e serisë së intervistave dhe refleksioneve me titull: “Tranzicioni: Çfarë shkoi mirë? Çfarë shkoi keq?”, një Projekt i Bota.al në bashkepunim me Institutin Shqiptar të Medias, në kuadrin e Programit të Promovimit të Tranzicionit të Republikes Çeke.
Pikëpamjet e shprehura janë të autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit apo partnerit të Projektit.
Çdo portal/gazetë që do të ribotojë këtë material, duhet t’i referohet burimit të tij fillestar (bota.al) duke vendosur linkun përkatës.