Gjatë vizitës së djeshme në Tiranë, kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte takoi edhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Detaje nga ky takim nuk u bën të ditura por sot Basha ka bërë një postim në Facebook lidhur me takimin e tyre. Ai thotë se e ka falenderuar kryeministrin italian për bashkëpunimin dhe shton se nuk mund të lejojë që Shqipëria të izolohet duke lënë të kuptohet se në temën e diskutimit ka qenë kriza politike dhe përplasja me mazhorancën.
“Gjatë takimit me Kryeministrin e Italisë, Z. Giuseppe Conte, e falenderova për kontributin që vendi i tij ka dhënë veçanërisht në luftën ndaj krimit, lëndëve narkotike dhe sigurisë për vendin tonë. Nuk mund të lejojmë më që të na sundojë krimi dhe paligjshmëria. Nuk mund të lejojmë më që për shkak të një njeriu, të izolohet një vend i tërë! Koha për ndryshim!” shkruan Basha.
Më herët gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Rama, Conte i bëri thirrje politikës shqiptare të ulet për të zgjidhur krizën politike në vend dhe theksoi se mazhoranca duhet t’i propozojë opozitës një platformë për zgjidhjen e krizës dhe se dialogu duhet të zhvillohet pa kushte nga të dyja palët. /Opinion.al