Kryeministri I Maqedonisë së Veriut ka deklaruar se zgjedhjet e ardhshme do të mbahen më 12 prill të vitit të ardhshëm.
Pas përfundimit të takimit mes liderëve të partive parlamentare në Maqedoninë e Veriut ai tha për mediat se kjo ishte marrëveshja e arritur me konsensus të të gjitha palëve.
“Propozimi jonë ishte që 22 ose 29 dhjetor të shkojmë në zgjedhje sepse në atë mënyrë në atë periudhë mund ta realizojmë procesin zgjedhor dhe më pas të presim edhe ratifikimin e protokollit nga ana e Spanjës dhe ne të kemi parlament funksional. Kishte reagime nga opozita se nuk mund të ketë 100 qeveri teknike, andaj pastaj u shqyrtua, marsi, prilli, e kështu me radhë dhe me konsensus u vendos që 12 prilli të jetë data kur do të mbahen zgjedhjet”, deklaroi Zoran Zaev.
Pas takimit foli edhe kryetari i Lëvizjes për reforma PDSH, Zijadin Sela. Ai tha se 12 prilli u zgjodh sepse deri atëherë pritet anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO.
“Ne ishim të vetmit që e zbukuruam këtë takim sepse ishim prezent bashkë më një zonjë. Ajo që tanimë është konfirmuar, më 12 prill shkojmë në zgjedhje, ne si parti ishim të gatshëm, por 12 prilli u zgjodh për arsye se deri atëherë presim anëtarësimin e vendit në NATO. Qytetarët më 12 prill kanë shans që ta kthejnë shpresën tek të rinjtë, të cilët kohëve të fundit po braktisin shtetin në pamundësi që të prosperojnë këtu”, tha Sela.
Ndërkohë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti theksoi se takimi i sotëm është një ndër takimet më konstruktive ku njëzëri është vulosur rrugëtimi euro-atlantik i vendit.
“Mund të them se ky është takimet më konstruktive që kam pasur deri më tani, të gjitha partitë politike thanë se alternative e jonë e vetme është Beshkimi Evropian. Kemi biseduar se për vendin tonë është me rëndësi që të bëhet ratifikimi i marrëveshjes për anëtarësim në NATO nga të gjitha vendet që akoma nuk e kanë ratifikuar. Gjithashtu pas ratifikimit edhe Parlamenti jonë të ratifikon si dhe të miratohet Ligji për Mbrojtjen, dhe deri sa u shterren dgjitha argumentet vendosem bashkaarisht që 12 prilli të mbahen zgjedhjet. Me rëndësi është që zgjedhjet të jenë të pranueshme dhe demokratike, të lira sipas gjitha standardeve. Le të fitojë më i miri” tha ai. /Opinion.al