Home KRYESORE 8 nentor / Dita e arrestimit / Nga Visar Zhiti

8 nentor / Dita e arrestimit / Nga Visar Zhiti

Dy libra, “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, 1029 faqe “burgologji”, ku janë treguar të gjitha ç’munda, me dhëmbje dhe emra, arrestimin, hetuesinë, gjyqin, burgjet e rënda të Spaçit e Qafë Barit, punën skllavëruese në miniera, dhuna, spiunët, vrasjet, poezitë e fshehta, revoltat e të burgosurve, pastaj dalja nga burgu, përndjekjet sërisht, kundërshtimi mes kërcënimeve për të mos u bërë bashkëpunëtor i Sigurimit, lëvizjet e para për ndryshimet në vend, shpresat, demokracia e vrazhdë, demonkratura, deri dhe ceremonitë presidenciale si epilog, ku janë dekoruar edhe ish të burgosurit për qendresën, por dhe ish zyrtarë të dhunës së gjithfarllojtë, edhe mentale, për shërbimin me devocion regjimit.
​Kështu ishte koha, thuhet, por kohën e bëjmë ne dhe ne na bën koha. Paqe me historinë tonë,. Dhe drejtësi patjetër.
​Ndërkaq nga “Rrugët e ferrit”, kreu i parë i tij, po sjell bashkimin e disa paragrafëve, që tregojnë arrestimin tim, në 8 nëntor, që është dhe data e themelimit të asaj partie, që u bë shkaktarja e gjithë burgologjive të zymta të Shqipërisë.​ * * *

​Më arrestuan në ditë feste, më 8 nëntor, në mesditë. Përkujtohej themelimi i partisë që drejtonte vendin dhe, afërmendsh, kjo ishte ndër festat më të rëndësishme dhe më e rënda, sigurisht. Dikur Partia kishte qenë Komuniste; ilegale në kohën e luftës, e kalitur në atentate, tradhtira, masakra e mister, ndërroi veç emër dhe u bë e Punës më vonë.
​- Ej, ti, ec me ne! – U thirra keq, e ndjeva… Një arrestim, jo shumë larg urës së madhe, ku ujërat e dy Drinave, i Ziu dhe i Bardhi, megjithatë nuk dremitnin. E dija që vinin nga matanë kufirit, njëri nga Maqedonia, gjithë shkumbërima hakërruese, me vorbulla, që, sa më gjatë ecte për këtej, aq më tepër nxihej, sikur merrte nga hallet tona, kurse tjetri vinte nga Kosova dhe mbetej i bardhë prej vegimeve. Përtej ngrihet mali i parë me emrin pikëllues Pikëllimë. Nën hijen e tij, te një lokal pa emër, teksa po pija kafe me regjisorin e Teatrit të Kukullave, isha thirrur jashtë me rreptësi.
​- Ej, ti, ec me ne! – m’u përsërit… e njihja thirrësin… e mbante dorën të rrasur në xhepin e xhupit dhe një si tytë formësohej aty. Revolveri… Edhe regjisori i kukullave shtangu si kukullat e veta, që m’u fanitën për një çast, tallëse si e keqja, atje në studion e tij, ku kisha shkuar për ta takuar. Donte të shkruaja diçka për teatrin e tij…
​- Futu! – gati më shtynë.
​Në ndenjësen e pasme të makinës, në anë, qe strukur një polic (po ky, çne?!), që nxinte si perdja e zezë mbi xhamin e mbyllur. Dhe menjëherë ndjeva një të shtyrë. Operativi gjatosh u shtrëngua pas meje duke u palosur. Ajo thirrja e tij me kërcëllimë dhëmbësh u përsëdyt rrapëllyeshëm me mbylljen e derës. Heshtje dhe pezm për pak çaste. Një qenia e trashë, që rrinte e plandosur para, u kthye përkëtej. Me ballë tmerrësisht të ngushtë, aq sa dukej sikur flokët e sertë i fillonin fill mbi vetullat.
​- Je i arrestuar! Ti!
​- Pse? – u trondita.
​- Ta tregojmë atje…
​- Vërini prangat! – Befas, i pashë duart e mia të shtrënguara me hekura, aq shpejt m’i vunë, polici sigurisht, kurse operativi, po në atë çast, gati m’i shkuli jakat, teksa i shikoi me zell e kompetencë, se mos kisha helm në to.
​…Të jetë rrëmbim… “Gazi i degës” shkrofëtiu përhumbshëm dhe pastaj ngarendi egërshan nëpër ankthin gjithë xixëllima të padurueshme. Pallatet shembeshin pas meje, pa zhurmë, në shurdhëri. Pse u kthyem prapë? Jo, po iknim, por pallatet ishin tmerrësisht njëlloj. S’e kuptova ku ndaluam, pse i ngjitëm ca shkallë, ç’pati që bërtiti një shkurtan përtej një tryeze, ndërsa mua, pa m’i hequr prangat, më kontrollonin, duke më marrë gjithçka, stilografin, paratë e pakta, letrat nëpër xhepa, mbanin procesverbal për to, këpucët, çfarë, hiqi, edhe rripin, kërkonin medoemos të kisha orë. Ku e ke orën, ë? S’kam, s’u besoj orëve, dhe pastaj zbritëm shkallët. Shkallë prapë. Sa më poshtë shkonim, aq më tepër pakësohej drita, derisa edhe shkallët u bënë prej terri.

Share: