Home Gjeo-Ekonomia ALBININ NË TIRANË NUK E PYESIN, POR E MARRIN NË PYETJE!

ALBININ NË TIRANË NUK E PYESIN, POR E MARRIN NË PYETJE!

Nga Emin AZEMI

Gazetarët në Tiranë, shumica prej tyre, nuk e pyesin Albin Kurtin për temat që atyre iu duken interesante, por e marrin në pyetje, ose siç do të thuhej në Kosovë, e qesin ‘në shoshë e dërmol’. Kjo madje është një diferencë që e dallon gazetarin profesionist nga një tjetër që këtë zanat e ka prioritetin  e fundit.

Ende nuk po dihet saktësisht se pse kjo po ndodhë kështu. Pse po praktikohet kjo farë ‘gilotine’ televizive ndaj një njeriu i cili me asgjë nuk ka kontribuar në acarimin e skenës mediatike, kudo qoftë ajo në Shqipëri, Kosovë a gjetiu. Po, pra, pse po ndodhë kjo?  Nga kureshtja dhe mosdurimi, apo nga teprica e pasionit që kanë njerëzit paragjykues?

Nëse shkon sipas këtij ritmi dinamika e marrjes në pyetje, nuk besojmë se do të ketë edhe shumë hapësirë për pyetje të zakonshme, por shumë përmbajtësore, që do t’i bëhen Albiniit kur  do të bëhet kryeministër, sepse ata që e kishin ndërmend të pyesin, tani po nguten të prejudikojnë, kështu që ata me vullnet të plotë po vëtëpërjashtohen  nga një proces i rëndësishëm që quhet mediatizim i temave e problemeve politike.

Nuk ka ndodhur në të kaluarën që një kryeministri apo një lideri politik t’i bëhet ‘anamneza’ mediatike, me kaq ngulm, pavarësisht se ‘pacienti’ gëzon shëndet të mirë. Një interesim kaq pasionant për të analizuar çdo thënie e veprim të Albin Kurtit gjatë qëndrimit të tij në opozitë dhe lidhja në formë prejudikimi i  këtyre thënieve e veprimeve me praktikat e tij qeverisëse në të ardhmen, por pa marrë një shpjegim plotësues nga vetë autori i këtyre thënieve e veprimeve, flet për një zhvendosje totale të diskursit profesional gazetaresk, që parapëlqen inxhinjeringun mediatik  si metodë për deformimin e figurës publike  të një personi të rëndësishëm.

Mediat gjithsesi duhet të jenë kritike edhe para marrjes së një përgjegjësie, cilido qoftë politikan. Mediat madje duhet të këmbëngulin që analizat  e tyre të shoqërohen me fakte e argumente, që do të merren për bazë në shqyrtimet e ardhshme krahasuese. Por nëse krejt këto biçim analiza e debate jepen më tepër si ‘qasje autoriale’ të atyre që Albin Kurtin e kanë ndjekur copa-copa  dhe asnjëherë nuk e kanë kapur thelbin kauzës së tij, atëherë rezulton që funksionin i kritikës publike të jetë pa efekt, ose shprehur në gjuhën medicinave, ‘terapia’ që përdoret nuk jep kurrfarë rezultati, sepse vazhdohet të kurohet ‘pacienti’ i shëndoshë.

Deformimi i figurës së Albin Kurtit në sytë e opinionit publik do të del i pasuksesshëm, sepse ata që e kanë marrë mundin ta kryejnë këtë ‘operacion’ të vështirë, do të ballafaqohen me një profil tjetër politikani, i cili më tepër është i interesuar për atmosferë të shëndoshë mediatike, se sa për oligarki moçalesh mediatike. Figura e Kurtit është profiluar në kujtesën e publikut me një dorë që ka qenë larg kujdesit mentorial të oligarkëve mediatik të Prishtinës e Tiranës, prandaj edhe pyetjet që i drejtohen atij aktualisht tingëllojnë disi të pazakonta, për të mos thënë armiqësore.

Ata që i drejtohen Albin Kurtit nëpër studio televizive, ama bash hiq s’iu intereson se si do të përgjigjet ai. Atyre më tepër iu intereson ta thonë mospajtimin e tyre, ta dëgjojnë zërin  e tyre të brendshëm që iu thotë mos ta dëgjojnë çka flet Albin Kurtin, por ta kundërshtojnë atë me çdo kusht dhe mundësisht të flasin njëkohësisht, atëherë kur fillon të flet Kurti.

Sepse stili maxhupçe i debateve të tilla është të mos e lënë bashkëbiseduesin të flet, por të tregohet superior ai që pyet. Shihe ti absurdin. Vetëm në këtë mënyrë roli i zhurmuesit merr një konotacion të ri, kurse deformimi i figurës publike i bashkëbiseduesit, sipas tyre, quhet mision i suksesshëm. Por, megjithatë, ky është një mision i dështuar që në start. (koha.mk)

Share: