Home KRYESORE Alvin në Romë/Lleshaj: Terrorizmi nuk duhet të ketë vend në shoqëritë tona

Alvin në Romë/Lleshaj: Terrorizmi nuk duhet të ketë vend në shoqëritë tona

Alvin Berisha, 11-vjeçari shqiptar i cili ndodhej në një nga kampet e Sirisë, ditën e sotme është kthyer në Romë. Po ashtu, në momentin e ardhjes së Alvinit pranë babait dhe motrave të tij, ka qenë i pranishëm dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Lleshaj falënderoi të gjithë ata që ndihmuan në këtë operacion, për të cilin tha se u ndoq drejtpërdrejt nga kryeministri italian Giussepe Conte dhe kryeministri shqiptar Edi Rama.

Ministri theksoi se operacioni i shpëtimit të vogëlushit shqiptar nga Siri tregoi që terrorizmi dhe ekstremizmi nuk kanë vend në shoqërinë tonë. Ndërkohë ai theksoi gjithashtu se shpëtimi i vogëlushit po përdoret politikisht për të përcjellë mesazhe të rëndësishme.

 “Gjithçka erdhi pas takimit të dy kryeministrave Conte e Rama në Romë, operacioni u ndoq nga ata të dy drejtpërdrejt. Aspekti diplomatik përfshiu dy ambasadat në Romë dhe ambasadën italiane në Bejrut. Ka pasur një aspekt të rëndësishëm policor ku janë angazhuar policitë e dy vendeve dhe së fundmi por jo nga rëndësia ka qenë aspekti humanitar ku janë angazhuar Kryqi i Kuq ndërkombëtar dhe Gjysmëhëna e kuqe. Nuk dua të hyj në detaje të operacionit por kam ardhur për të shprehur mirënjohjen e qeverisë shqiptarë për të gjithë aktorët e përfshirë. Së pari, për autoritetet policore të Italisë e Shqipërisë, për presidentin e Kryqit të Kuq italian e Ndërkombëtar dhe presidentit të Gjysmëhënës së kuqe siriane. Po ashtu dua të përshëndes autoritetet diplomatike që u përfshinë në këtë operacion. Ishin autoritetet libaneze që mbështetën me gjithë kapacitetet e tyre operacionin në terren. Rasti ka marrë një vëmendje të madhe dhe natyrisht lind pyetja nëse po përdoret politikisht. Dhe unë them po. Po e përdorim politikisht për të dhënë disa mesazhe të rëndësishme që duhet të vlejnë si eksperiencë pas këtij operacioni. Alvin Berisha është një nga ato rastet që duhet të na tregojë se terrorizmi, ekstremizmi nuk duhet të ketë vend në shoqëritë tona. Edhe një herë faleminderit, për mbështetjen e jashtëzakonshme që mundësohet që një djalë i ri shqiptar dhe italian të kthehet i lirë për të vazhduar jetën në liri”,-tha Lleshaj./Opinion.al

Share: