Home Gjeo-Ekonomia BE e quan parajsë për kriminelët,Rama në projektin që “shet nënshtetësinë”

BE e quan parajsë për kriminelët,Rama në projektin që “shet nënshtetësinë”

Tre kryeministra morën fjalën në sallën e një hoteli me pesë yje në Londër këtë javë, ku i ofruan njerëzve më të pasur të botës ‘pasaporta të arta’ dhe nënshtetësinë e vendeve të tyre në këmbim të qindra mijëra paund investime ose kontributeve fikse.

Kështu e ka hapur artikullin e saj ditën e sotme gazeta prestigjioze ‘The Guardian’ e cila shkruan për një event të mbajtur në Londër në të cilin ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Rama i cili ka lançuar programin e nënshtetësisë nëpërmjet investimeve duke premtuar gjithashtu edhe ‘10 vite përjashtim nga taksat’.

“E di që ka shqetësime për këtë lloj programi. Në të njëjtën kohë unë besoj fort se kjo është rruga e duhur dhe kjo është ajo që duhet të bëjmë. Padyshim që ka rreziqe por ne nuk mund t’ja mohojmë vendit tonë dhe të ardhmes sonë potencialin e madh që ka ky program’ ka cituar The Guardian kryeministrin Rama.

Ai ishte në këtë event i shoqëruar nga kryeministri i Malit të Zi,  Duško Marković dhe kryeministri i Shën Lucias, ishull në Karaibe, Allen Chastanet.

Megjithatë kjo nismë nuk shihet me sy të mirë nga Bashkimi Europian. Në artikull citohet zëvendës presidentja e ardhshme e Komisionit Europian, Věra Jourová, e cila thotë se kjo skemë rrezikon ta kthejë BE-në në një parajsë sigurie për kriminelët, të korruptuarit dhe paratë e pista.

Në një reagim të mëparshëm ajo e ka cilësuar shitjen e pasaportave si “të rrezikshme”, “problematike” dhe “të padrejtë”, duke shtuar: “Vetëm të qenit i pasur nuk duhet të japë kaq lehtë të drejtën për të përfituar nga nënshtetësia e një vendit të Bashkimit Europian…nëse në një vend një person i rrezikshëm merr nënshtetësinë, ai merr nënshtetësinë për të gjithë Europën. Ndoshta duhet ta rinegociojmë të gjithë sistemin”.

The Guardian përmend disa nga rastet kur disa vende të Bashkimit Europian i kanë dhënë nënshtetësinë sipas kësaj skeme, disa njerëzve me të shkuar problematike. Ndër ta janë një biznesmen i arratisur nga Malajzia pasi ishte përfshirë në një skandal mashtrimi dhe një person nga Izraeli i dënuar për pastrim parash dhe i konsideruar shumë i rrezikshëm nga autoritetet e SHBA.

Sipas Ben Cowdock, studiues në fushatën kundër korrupsionit të Transparency International në Mbretërinë e Bashkuar, ka shtim të rasteve të elitave të korruptuara të cilat përdorin blerjen e pasaportave sipas kësaj skeme për të përfituar qëndrim në Europë.

“Shitja e nënshtetësisë ka benefite të dyshimta ekonomike ndërkohë mundëson një dalje për ata me xhepat e thellë dhe një të shkuar që duan ta fshehin. Ka dyshime serioze nëse përfitimi me garanci i nënshtetësisë duhet të lejohet të vazhdojë ose jo”, citohet Cowdock në artikull.

Mësohet gjithashtu se kryeministri Rama gjatë qëndrimit të tij në Londër ka ndejtur në hotelin Roseëood ku një natë kushton më shumë se 2000 paund sipas The Guardian.

Gazeta prestigjioze shkruan se ka kërkuar një koment nga kreu i qeverisë Shqiptare por nuk ka marrë përgjigje.

Për të lexuar të plotë artikullin e The Guardian klikoni KËTU /Opinion.al

Share: