Home KRYESORE Kërcënimi i Ramës dhe për të vetët, çfarë është “paketa Anti-KÇK”

Kërcënimi i Ramës dhe për të vetët, çfarë është “paketa Anti-KÇK”

“Paketa Speciale Anti-KÇK” do të krijojë një njësi policore dhe hetuese e cila rrezikon ti mbivendoset SPAK dhe BKH.

Kryeministri Rama ka deklaruar se kjo paketë ligjore do të luftojë “të fortët” të cilët kanë mundur ti shpëtojnë drejtësisë por duke iu referuar draft paktës ligjore duket se synimi është të krijojë një njësi policore dhe hetuese jashtë sistemit të drejtësisë e cila nuk ka asnjë mbikëqyrje përpos Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrit.

Paketa parashikon krijimin e një njësie hetimi brenda Policisë së Shtetit e cila do të varet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Ajo do të ndahet në dy drejtori: Drejtoria e Antiterrorit dhe Drejtoria e Krimit të Organizuar të cilat do të vendosen në një ndërtesë speciale.

Kompetencat e kësaj njësie hetimi përfshijnë çdo krim të kodit penal, grup i strukturuar kriminal, vrasja,plagosja, prostitucioni, trafiku i drogës, vjedhja me armë, falsifikimi, rrëmbimi dhe korrupsioni i çdo zyrtari publik.

Kjo strukturë do të ketë mundësinë të kufizojë lirinë e një individi brenda një territori me anë të një urdhri që vlerësohet jo nga gjykata por nga prokuroria. Ajo gjithashtu do të ketë të drejtën të marrë pasaportën e çdo mjeti udhëtimi. Ky urdhër i bëhet i ditur prokurorit i cili duhet ta dërgojë në gjykatë brenda 48 orëve.

Kjo njësi speciale do të marrë informacion nga çdo institucion publik ose privat duke përfshirë përgjimin e telefonit, navigimin në internet, përgjimin e regjistrave elektronike të subjekte private dhe shtetërore. Ajo që është shqetësuese është se të gjitha këto do të bëhen pa miratimin e prokurorit apo gjykatës. E njëjta gjë vlen edhe për marrjen e informacionit privat si llogari bankare, gjendje civile, prona, aksione biznesi nga subjekte private ose shtetërore.

Përgjimi në vende publike dhe gjurmimi i individit përmes pajisjeve të veçanta duke përfshirë edhe kontrollin fizik të personave do të kryhet vetëm me miratimin e policisë vendore ose me nismën vetjake të oficerit të policisë, me gradën nënkomisar i lartë.

Sipas draft paketës ligjore policia mund të sekuestrojë provat e mbledhura me urdhër të Prokurorit dhe do të përdoren sipas vlerësimit të tij.

Duke patur liri pothuajse të pakufizuar veprimi, e varur drejtpërdrejtë nga qeveria dhe e krijuar me anë të një procesi jo transparent, njësia speciale policore krijon hapësira të shumta për abuzim dhe keqpërdorim.

Reforma në Drejtësi parashikonte që krimi dhe korrupsioni në nivele të larta zyrtare do të hetohej nga SPAK dhe BKH por me ngritjen e kësaj njësie do të ketë shumë pikëpyetje se si këto dy institucione do të veprojnë pasi do të kenë objekt të njëjtë hetimi, vetëm se njëra mund të veprojë drejtpërdrejtë me urdhër të instancave të varura nga qeveria.

“Kush nuk e voton këtë paketë është i përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste”, tha Kryeministri Rama në fund të prezantimit të tij të paktës. /Opinion.al

Draft-Ligji-Paketa-Anti-KCK

Share: