Kryeministri Rama ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në qytetin e Laçit.
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave mëngjesin e sotëm, Rama tha se mirëkupton opinionin e kreut të opozitës dhe se ndan të njëjtin shqetësim me të se Laçi përfshihet në perimetrin e zonave të dëmtuara rëndë nga tërmeti.
“Mirëkuptoj opinionin e kryetarit të opozitës, se Laçi përfshihet në këtë perimetër, them se na përputhen shqetësimet dhe idetë. Ne sot duhet të përfshijmë edhe zonën e prekur të Laçit në të njëjtin program.
Ka filluar puna për pastrimin e hotspoteve në Durrës dhe Thumanë. Është bërë shembja e godinave të rrezikshme në Thumanë, ku ishim mbrëmë deri vonë. Po ashtu edhe në Durrës ka nisur puna për pastrimin e gërmadhave, ku nuk ka më operacion kërkim-shpëtimi”, tha kryeministri Rama.
Kreu i opozitës, Lulzim Basha ishte dje në Laç nga ku bëri thirrje për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme pasi dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 Nëntorit ishin të mëdhaja dhe se shumë qytetarë kanë ngelur të pastrehë. /Opinion.al