Home KRYESORE Rama e konfirmon: Në makinën e prokurorit u gjetën dokumente të vjedhura

Rama e konfirmon: Në makinën e prokurorit u gjetën dokumente të vjedhura

“KÇK është organizatë kriminale, me gjykatë dhe prokurorë që janë shërbëtorë, bashkëpunëtorë edhe dhe tutorë të krimit të organizuar. Janë një kancer në sistem që me fillimin e vettingut ka hyrë në fazën e vetë më agresive. Janë njerëz që e dinë që nuk kanë shans ta kalojnë vettingun, sot po shfaqen më hapur se sa deri më dje. Sot ata nuk e kanë më jetën përpara në kuptimin e karrierës, por kanë vetëm kohën e mbetur deri sa të dalin në Vetting. Prandaj motoja e tyre, e thotë ata është kap ça të kapësh”.

Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në prezantimin e paketës Speciale Anti-KÇK. Por Rama duke marrë shembuj konkret, mori përsipër të bëjë edhe punën prokurorit apo dhe të gjykatësit.

“Rasti i Durrësit është një rast shumë flagrant. Për fat të mirë e solli rastësia, që u gjendën në një makinë prokurori dhe një nga eksponentët e krimit të organizuar dhe në bagazhin e makinës dokumentet e vjedhur të prokurorisë. Ato që për një kohë të gjatë i vendoseshin nga fronti kundër reformës në drejtësi në kurriz Donika Prelës. Ndërkohë u gjendën në atë… Tani çfarë duhet të bëjmë ne këtu, duhet të rrimë të presim vettingun. Për shkak të faktit se kriminelët kanë shpatullat e ngrohta kanë një mungesë ekstreme kujdesi për të fshehur gjurmët”, tha Rama, për prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoja, të cilit iu bë atentat.

Po ashtu në media dolën zëra se në makinën e tij ishin gjetur dokumente të vjedhura nga prokuroria e Durrësit, por as organi i akuzës as policia deri tani nuk e ka konfirmuar këtë detaj. Megjithatë e bëri kryeministri Rama këtë të hënë.

Rama pranoi edhe situatën e rëndë në hipotekën e Vlorës.

“Një kriminel merr peng hipotekën e Vlorës dhe policia nuk arrin dot të veprojë, për shkak se gjykatat prokuroria nuk veprojnë”, tha kryeministrin./ Opinion.al

Share: