Home KRYESORE Video/Shembja e pallateve, si “mbrohet” Drejtori i Institutit të Ndërtimit

Video/Shembja e pallateve, si “mbrohet” Drejtori i Institutit të Ndërtimit

Gazetarët e emisionit Opinion ishin këtë të enjte në disa zona të goditura më rëndë nga tërmeti. Gazetari Blendi Fevziu ishte në Durrës, në një prej zonave më të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Hotele e ndërtesa të shkatërruara thuajse tërësisht janë pasojat e lëkundjeve që i kushtuan jetën dhjetëra personave. Me një konstatim të thjeshtë dhe bazuar dëshmive të banorëve të zonës atje, gazetari thotë se pjesa më e madhe e këtyre hoteleve janë ndërtuar mbi rërë.

Mjafton që të shihni që jeni vetëm pak hapa nga deti dhe çdo gjë është ndërtuar në rërë. Pra këto pallate të cilat në vitin 1999-2000 janë shembur të gjitha ndërtimet e Pandeli Majkos, janë rindërtuar pas viteve 2000, duke bërë ndërtime nga 5 deri në 9 kate krejtësisht në rërë. Pallati që po shihni ka goditje të mëdha në strukturën e ndërtimit, por njëkohësisht edhe në mënyrën sesi është ndërtuar. Ndërkohë në anën tjetër ndodhet një vilë krejtësisht e përmbysur. Vila Verde, e cila thuajse nuk ekziston më, pra kati i parë i cilës nuk ekziston më. Ndërkohë që hotel Ljubjana është krejtësisht i rrënuar. Pjesa më e madhe e këtyre pallateve janë ndërtuar në rërë, direkt në rërë”.

Gazetari Blendi Fevziu thotë më tej se mbetet e panjohur se kush ka dhënë leje për ndërtimin e këtyre ndërtesave dhe a janë bërë ato konform rregullave që kërkon ndërtimi.

Nga ana tjetër, gazetari Mentor Kikia në studion e emisionit Opinion, tha se shumë njerëz i vrau shteti, jo tërmeti. Akuza të forta hodhi dhe në drejtim të Agron Hysenlliu, Drejtori i Institutit të Ndërtimit.

Ky zotëria (i drejtohet Agron Hysenlliut) këtu ka thënë se ndërtimet tona janë të sigurta, u koaliduan dhe nuk kanë probleme, ndërkohë pallatet e plazhit ishin të gjitha të çara. Ky e ka thënë e kemi të filmuar. Inspektorët e shtetit për të mos ngarkuar barrën financiare me dëmshpërblime mbyllën sytë para shumë dëmtimeve dhe treçerekun nuk i dokumentuan fare, sot ato u shembën. Nëse do ishin vënë shiritat e atyre banesave dhe shteti nuk do i kishte lënë njerëzit të ishin futur me dhunë, se prandaj është shteti, nuk do kishin vdekur ata banorë atje”, tha Mentor Kika.

Ndërkohë Drejtori i Institutit të Ndërtimit u mundua të shfajësonte veten, ndërsa në shumë deklarata publike ka thënë se banesat janë të sigurta pas tërmetit të 21 shtatorit.

Agron Hysenlliu: Më takon të shpjegoj nga ana teknike, jo politike se çfarë po ndodh në Shqipëri përsa i përket tërmetit të 26 nëntorit. Në tërmetin e parë ne kemi evidentuar dhe kemi vajtur në terren dhe ai ka pasur një fuqi 5.8. Në tërmetin e parë nga akt-konstatim dhe jo akt-ekspertim duhet ta ndajmë këtë gjë. Në akt-konstatim shkohet verifikohen strukturat, janë në gjendje s’janë në gjendje, kanë thithu kapacitetin e magnitudës së tërmetit dhe kanë pësuar dëme apo jo. Në akt-ekspertim që kemi vajtur, unë nuk kamë qenë në atë kohë në zonën e Durrësit sepse kanë qenë të tjerë njerëz që janë marrë. Kam qenë në zonën e Tiranës, të gjitha objektet që ne kemi vajtur kemi konstatuar strukturat e tyre nuk kanë pasur probleme. Në kur projektojmë, projektojmë si pas një harte sizmike të caktuar nga kushtet teknike që ndodhen në Shqipëri. Këto kushtet teknike janë të vitit ’78, në ndikimin që mund të ndodh në një objekt të projektuar, risku sizmik që është marrë me këto harta sizmike për zona të caktuar është e përcaktuar në këtë hartë. Në Shqipëri ka një ligj për ndërtimet, që një ndërtues do të zhvilloj pronën e tij thërret në cilësinë disa projektues që janë inxhinier të kualifikuar, që mund të jetë kompani apo individ të veçantë dhe këta mbi bazën e kushteve teknike që ndodhen në Shqipëri përpilojnë projektin përkatës. Projekti përkatës përpilohet në kushte të tilla që merret për bazë, toka, lartësia e objektit, intensiteti, zhvendosja e tokës në rast tërmeti, teknologjia që do përdorësh për ndërtimin e këtij objekti. Dhe në këtë mënyrë hartohet projekti përkatës. Këtij projekti i bëhet një kontroll që quhet oponenca teknike për projektimin, që është kryer nga Instituti i Ndërtimit dhe nga Fakulteti i Ndërtimit dhe njerëz të tjerë para vitit 2013. Oponenca teknike nuk është recenë. Recena je bashkë autorë me projektuesin dhe kontrollon projektuesin. Oponenca teknike shikon vetëm kushtet teknike. / Opinion.al

Share: