Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri nuk ka kursyer fjalë të rënda për kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në lidhje me idenë e mini-Shengenit.
Dje në Durrës u mbajt edhe takimi i radhës për mini-Shengenin, në të cilin morën pjesë krerët e shteteve nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia Veriore dhe Mali i Zi.
Nga aty kryeministri Edi Rama edhe njëherë i bëri thirrje Kosovës që të bëhet pjesë e mini-Shengenit ballkanik, pavarësisht faktit se Serbia nuk e njeh Kosovën shtet, madje edhe nuk i pranon as krimet e tmerrshme që ka kryer ndaj popullatës së pafajshme shqiptare gjatë kohës së luftës.
Por, ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë Edita Tahiri përmes një postimi në Facebook ka akuzuar Edi Ramën për mbështetje të kësaj ideje, realizimi në praktikë i së cilës në fakt krijon bërthamën ekonomike për Serbinë e Madhe.
“Se ideja e ‘mini-Shëngenit’ krijon bërthamën ekonomike për ‘Serbinë e Madhe’ këtë gjithë shqiptarët po e shohin, përveç Edi Ramës. E lumtur me reagimet e mençura dhe strategjike të shqiptarëve për të mbrojtur interesat kombëtare dhe për të penguar neo-hegjemoninë serbe në Ballkan”, shkruan ajo.
Nisma për krijimin e mini-Shëngenit u konkretizua në tetor të këtij viti, pasi BE-ja refuzoi të hapë procesin e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ideja e një bashkëpunimi më të ngushtë të shteteve të Ballkanit Perëndimor ishte iniciuar në një samit rajonal në Trieste në vitin 2017, ku vendet pjesëmarrëse ranë dakord për një plan aksion drejt një zonë ekonomike rajonale.
Kjo iniciativë synon lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve si dhe forcimin e nyjave ekonomike në rajon.
Drejtues të shtetit të Kosovës kanë refuzuar ftesat për pjesëmarrje në takimet për mini-Shëngenit ballkanik, duke thënë se krijimi i tij paraqet zgjerim të ndikimit të Rusisë në Ballkan./KosovaPress/