Home KRYESORE Faik Konica, “kryelëronjësi i gjuhës sonë”, “stilist i përkryer”, polemisti i athët...

Faik Konica, “kryelëronjësi i gjuhës sonë”, “stilist i përkryer”, polemisti i athët dhe atdhetari i pashoq

Nga Albert Vataj

“Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar më qartë në këtë dhé. Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë menjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri” ishin këto fjalët e fundit që tha, ishte ky amaneti që la i madhi Faik Konica, atë ditë dhjetor para se të shuhej.

Prologu

Jeta e shqiptarit të madh, Faik Konica është e mbushur përplot episode, ku secila prej tyre është një histori e veçuar, një shkrepëtimë në ngulmin antikonformist, një kuraj e një mendimtari të kalibrit ndërkombëtar. Pakkush në historinë e shqiptarëve mund ta mbërrij dijen dhe arsimin e këtij njeriu, kontributin dhe vetmohuesen atdhetare të këtij përkushtuesi. Nuk ra në kurthin e asnjë kompromisi, nuk u përfshi në asnjë marrëveshje për të cilën të kaplohej në pendim. Bëri më shumë armiq se sa pati idhujtarë. Sepse pati guximin të thoshte disa të vërteta të hidhura për shqiptarët, disa kuvendime troç që janë kaq reale edhe sot. Pavarësisht se ai kërkoi më të mirën, prej farës së cilës i përkiste dhe këtë e bëri si një mësonjës i rreptë, shqiptarët edhe sot vazhdojnë të lëngojnë prej atyre plagëve, prej asaj së keqeje që më shumë se armike e të tjerëve, ishte dhe mbeti e vetë shqiptarëve.

Fikja e një ylli

15 dhjetorin e vitit 1942 ndali zemra e “njeri me kulturë të lartë” siç mëton për të Fan Noli, “enciklopedia shëtitëse”, siç preferoi ta cilësonte erodicionin e tij Apolineri. Faik Konica ishte ndër personalitete shqiptare kontributi dijetues i të cilit kaplot më të epërmet maja. 67-vitet e jetës, 15 mars të vitit 1875 kur ai erdhi në jetë në Konicë dhe 15 dhjetor të vitit 1942 kur u shua, ai i mbushi përplot me akte krijuese dhe kontribuese, mëtonjëse për shqipërinë e shqiptarët nëpër botën e thundrës së rëndë të harrimit për këtë komb dhe këtë racë, për këtë potencial të pamatë kumtimi. Ai ishte eseist, botues, gazetar, themelues i kritikës letrare shqipe, diplomat, veprimtar politik, polyglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

Në atë kur Konica vdiq Shqipëria ishte përfshirë nga lufta, dhe trupi i pajetë i tij u varros në Boston, përkohësisht. Me këtë rast, Fan Noli mbajti një elegji për mikun e tij dhe premtoi përmbushjen e amanetit. Gjithësesi, sistemi komunist që u vendos në Shqipëri pas luftës ndaloi jo vetëm emrin dhe veprat e Konicës, por edhe kthimin e eshtrave në tokën që e lindi dhe për të cilën bëri kaq shumë. “Noli dhe “Lamja i vogël” (Selfulla Maleshova) nuk mund të bënin gjë. Eshtrat e Konices u kthyen në atdhe vetëm pas 53 vjetësh, më 1995, me rastin e 120 vjetorit të lindjes.

***

“Albania”, botim i Konicës, kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propogandoi për vite me radhë 1897-1909 programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë.

***

Guillaume Apollinaire për Faik Konicëm
Ndër njerëzit tepër të veçantë që kam njohur e që më kujtohen me kënaqësi të madhe është padyshim Faik Konica. Ai Lindi në Shqipëri 40 vjet më parë në një familje që ka ruajtur besimin e krishterë. Ky shqiptar “chkipe” studioi në Francë. Në moshën 20 vjeçare ai pati rastin të behej një prift i “Grande Chartre”, por ai nuk e bëri këtë. Pak nga pak besimi i tij do të humbte dhe do të kthehej në indiferencë, madje gjer në antiklerikalizëm, ç’ka na kujton atë të Merimée-së. Por ai vazhdoi studimet e tij dhe meqë ishte një atdhetar i madh, Konica u kthye në Shqipëri, ku sipas thënieve të tij ishte dënuar dy herë me vdekje, në mungesë, për komplot ndaj pushtetit otoman. Ai u rikthye në Francë ku e njohu në një mënyrë të shkëlqyer gjuhën dhe letërsinë franceze dhe u lidh me të gjithë ata që e admironin Shqipërinë. Megjithatë, liria që gëzonte në Francë i dukej e pamjaftueshme dhe kështu shkoi të vendosej në Bruksel në rrugën “Albanie”, për të themeluar revistën erudite Albania, ku u muar me politikë dhe akoma më shumë me letërsi, histori, filologji, etj.
Pjesën më të madhe të jetës së tij ai ja kushtoi lëvizjes kombëtare shqiptare, duke e pastruar gjuhën shqipe nga termat e pasakta apo parazite. Plot pathos, në pak vite ai përpunoi një gjuhe të bukur, të pasur dhe të zhdërvjelltë.

Arshi Pipa për Konicën

Faik Konica! Kush nuk e njeh? Emni i tij asht njeni prej ma të dashunvet. Po mbushet afër nji gjysë shekulli qysh kur ky emën tingëlloi për herë të parë në veshët e Shqiptarëvet. Vinte që larg, nga nji vënd i huej dhe delte për me mprojtë të drejtat e Atdheut. “Albania” quhej ky za, dhe ishte, në shkretin e kulturës shqiptare, nji “vox clamans in deserto”. Ç’atëherë nami i Konicës u vendos në fronin ma të naltin e mendjes shqiptare. Dhe si hypi nji herë nuk luejti ma.

Gjatë gati nji gjysë shekulli fjala e tij erdhi ndër veshët tonë, ndër mendjet tona, me intervale herë ma të shkurta here ma të gjata. Jo e shumtë, jo e shpeshtë, ma fort e rrallë… rrallë e për mall. Dhe gjithherë e ndrrueshme, gjithherë e freskët. Dhe kur vinte, mbassi kishte shkapërcye kontinente e oqeane, kishte tinguj të nji mendësije së ndryshme, prendimore, ma të qartë, e qi ma se nji herë i u-dukshin të çuditshme botës së vjetër shqiptare. E sigurisht Konica qe mendja ma e ndrituna e gjithë historis sonë letrare. Noli punoi shumë ma tepër e ma me fryt. Por Konica qe për cilsin. Të tjerë dhanë punën: ai dha tonin. Aristokrat i lindun. Sugjeroi, drejtoi, zakonisht i ndjekun me nderim. Por ndodhi shpesh qi nuk e kuptuen. Atëherë u idhnue, talli ashpër, shau.

Epilogu i një memuari

Konica ishte dhe mbeti figura më e madhe, jo vetëm e historisë sonë kombëtare, por edhe e letërsisë, e përkthimit dhe e gazetarisë, polemikës, por edhe e gjuhësisë.

Faik Konica kishte kërkesa të larta ndaj letërsisë dhe shkrimtarëve. Duke i vështruar në raporte të drejta përmbajtjen dhe formën, si dy komponentë që s’mund të ndahen nga njëri-tjetri, ai i jepte përparësi formës si e vetmja mënyrë për të shprehur sa më mirë përmbajtjen. Në këtë vështrim i kushtonte rëndësi të madhe gjuhës shqipe, pasurimit dhe përpunimit të saj. Ai vetë dha shembullin e një mjeshtri të vërtetë të gjuhës. Me të drejtë Noli e quan atë “kryelëronjësi i gjuhës sonë” dhe “stilist i përkryer”.

Faik Konica zë një vend të merituar në letërsinë tonë të Rilindjes dhe të Pavarësisë, jo vetëm si publicist dhe kritik letrar, por edhe si shkrimtar me individualitet të spikatur krijues. Megjithëse trashëgimia e tij e mirëfilltë letrare është e kufizuar, ai ka vepra me vlera të çmuara.

Share: