Home KRYESORE Ju o të mjerë, mos mendoni se e mbroni kombin dhe fenë...

Ju o të mjerë, mos mendoni se e mbroni kombin dhe fenë islame më mirë se…

Abdulla Mehmeti

PA VATAN NUK KA IMAN!

Në periudhën e Rilindjes Kombëtare, atdhetarëve të shquar, atyre që e donin kombin dhe atdheun, që e afirmimin çështjen kombëtare nëpër botë, për të siguruar përkrahje dhe aleatë në interes të çështjes shqiptare, që përpiqeshin e luftonin për pavarësinë e Shqipërisë, kudo që vepronin, në Bukuresht, Sofje, Egjipt, Itali, Evropë, SHBA dhe në të katër anët e botës, edhe vëllezërve Frashëri me shokë, që vepronin në qendër të Perandorisë Osmane, në Stamboll, kurrë nuk u ka shkuar ndër mend që pasardhësit e tyre, në emër të “çështjes kombëtare”, madje edhe të “bashkimit kombëtar”, do të hapin QENDRA SHQIPTARE ISLAMIKE në shumë qytete dhe shtete të botës, në SHBA, Evropës dhe gjetiu, në vend se të hapin qendra KULTURORE, ARSIMORE, SHKENCORE DHE INFORMATIVE KOMBËTARE, INSTITUTE DHE SHKOLLA SHQIPE, siç vepronin rilindësit tanë!

Shumica e këtyre patriotëve me bateria turke, arabe dhe iraniane, dikur kanë qenë komunistë të përbetuar, njerëz AntiZot, marksistë-leninistë dhe bashkëpunëtorë të agjenturave të huaja. Të tillë ka edhe sot. Të tillët, nëse e dinë se nuk mund ta mashtrojnë Zotin, pse duhet ta mashtrojnë botën dhe t’i mashtrojnë shqiptarët?!

Afirmimi i shqiptarëve nëpër botë, sipas përkatësisë së tyre fetare, në asnjë mënyrë nuk i kontribuon çështjes kombëtare, më së paku sot, kur rinia shqiptare kudo në botë jeton me ëndrrën e madhe të bashkimit kombëtar, jo të ndarjes mbi baza fetare!

Askush, në asnjë shtet demokratik të botës nuk ua ka ndaluar shqiptarëve të drejtën e besimit, predikimit dhe manifestimit të besimit fetar islam, por shqiptarët nuk kanë interes të përhapin propagandë fetare nëpër botë, në interes të asnjë besimi!

Ju o të mjerë, mos mendoni se e mbroni kombin dhe fenë islame më mirë se Hoxhë Hasan Tahsini, Sami Frashëri, Ismail Qemali, Vehbi Dibra, Rexhep Voka, Hazif Ali Korça, Hoxhë Idriz Gjilani dhe shumë atdhetarë e mendimtarë të tjerë, pjesëtarë të besimit islam, që kurrë besimin fetar nuk e kanë nxjerrë para interesit kombëtar!

Pa vatan (shtet), nuk ka iman (besim), por mund të ketë vetëm interesa personale e grupore, apo t’i shërbeni propagandës së huaj sllave dhe greke nëpër botë, kinse shqiptarët janë fundamentalistë islamikë dhe mbetje të otomanizmit!

Ku e kemi dhe si e kemi ne shtetin tonë sot (vatanin), që kaq ju paska mbetur preokupim çështja e përhapjes dhe forcimit të islamit nëpër botë, para shteteve të fuqishme arabe, para Turqisë, Arabisë Saudite, Iranit, Egjiptit, Sirisë, Libisë, Irakut, Katarit, etj.?!

Vrajeni mendjen pak, ose vrajeni veten, para se ta koritni tërë kombin para botës!

Share: