Home KRYESORE Konservatorët arrijnë fitore historike në Mbretërinë e Bashkuar

Konservatorët arrijnë fitore historike në Mbretërinë e Bashkuar

Partia Konservatore ka arritur një fitore historike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të zhvilluar të enjten në Mbretërinë e Bashkuar.

Teksa numërimi është drejt fundit, ata pritet të fitojnë 364 vende në Parlament, 49 më shumë se në zgjedhjet e fundit të 2017, çka do ti jepte atyre një shumicë prej 78 mandatesh që do të thotë se Boris Johnson do të ketë mundësi të çojë përpara planet e tij për Brexit brenda janarit.

Kreu i Konservatorëve konfirmohet kështu kryeministër për herë të dytë brenda vitit. Ai mori drejtimin e partisë në korrik pas dorëheqjes së Tereza Meit, por zgjedhjet e 12 dhjetorit kanë konfirmuar edhe më tej pozitat e tij.

Sipas projeksionit të BBC, në fund të numërimit, Konservatorët do të marrin 364 mandate, Laburistët 203, SNP 48, Liberal Demokratët 12, Plaid Cymru katër, të Gjelbrit një, dhe Partia Brexit asnjë.

Kjo do të thotë që Konservatorët do të kenë shumicën më të madhe në Westminster që prej fitores në zgjedhjet e vitit 1987 kur kryetare e partisë ishte Margaret Thatcher.

Partia Laburiste, e cila ka humbur mandatet në të gjithë Veriun, Qendrën dhe në Uells, rajone që mbështetën Brexit në vitin 2016, po përballet me humbjen e saj më të madhe që nga viti 1935.

Kryetari i saj Jeremy Corbyn tha se e mbrëmshmja ishte “shumë natë zhgënjyese” dhe ai nuk do të kandidonte në zgjedhje të ardhshme. Corbyn pritet të japë dorëheqjen megjithëse kjo nuk dihet nëse do të jetë e menjëhershme ose do të marrë pak kohë.

Nga ana tjetër, rivali i tij fitimtar, Johnson tha:

“Mesa duket kësaj qeverie Konservatore të Një Kombi i është dhënë një mandat i ri i fuqishëm për ta kryer Brexit-in. Mbi të gjitha dua të falënderoj njerëzit e këtij vendi që dolën të votojnë në zgjedhjet e Dhjetorit që ne nuk donim t’i zhvillonim, por që mendoj se ka rezultuar të jetë një zgjedhje historike që na jep tani, nën qeverinë e re, shansin për të respektuar vullnetin demokratik të popullit britanik për ta ndryshuar këtë vend për më mirë dhe për të nxjerrë potencialin e të gjithë njerëzve të këtij vendi “. /Opinion.al

Share: