Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu ka sugjeruar se marrëdhëniet ndërmjet Moskës dhe NATO-s “jo vetëm që janë ndërprerë, por po degradohen çdo ditë”, duke thënë se përkeqësimi i marrëdhënieve ka nisur rreth “pesë vjet më parë” në kohën kur forcat ruse fshehurazi po ndërhynin në territorin e Ukrainës, që më pas një veprim i tillë u pasua me sanksione të ashpra nga vendet perëndimore.
Këto komente Shoigu i bëri gjatë një emisioni rus, teksa ishte pyetur për marrëdhëniet ndërmjet Moskës dhe aleancës transatlantike.
“Rreth pesë vjet më parë, ne patëm një bashkëpunim mjaft aktiv në Bruksel. Kishim përfaqësuesin tonë atje. Sot, partnerët tanë po tërhiqen nga shumë marrëveshje, qartazi së bashku me amerikanët. Hapësira e sigurisë po bëhet gjithnjë e më e ngushtë”, tha ministri rus.
As agjencia TASS apo Interfax nuk kanë cituar Shoigun të ketë përmendur ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë në vitin 2014, si shkaktar për përkeqësimin e marrëdhënieve Rusi-NATO.
Liderët e NATO-s, në deklaratën e përbashkët pas samitit që u mbajt këtë javë në Londër, thanë se Moska është “kërcënim” për sigurinë.
Ata gjithashtu thanë se “veprimet agresive të Rusisë paraqesin kërcënim për sigurinë euro-atlantike”.