Ja cili është Qazim Mulleti, Prefekti i vërtetë i Tiranës, ai që u denigrua nga diktatura dhe vijon të keqkuptohet edhe sot
Nga Albert Vataj
Qazim Mulleti është një personazh i pazakontë në historinë e qytetit të Tiranës. Arti i diktaturës u rrek ta denigronte një personazh të spikatur. Grotesku dhe sarkazma, manipulimi dhe tjetërsimi, arritën të ngulitin thellë në vetëdijen e shqiptarëve një Qazim Mullet, jo vetëm si vegël të italianëve, por edhe steriotipin e një zyrtari qesharak që drejtonte Tiranën e asokohshme. Pakkush nga ne kanë dijeni mbi dimensionin kulturor që zotëronte Qazim Mulleti i vërtetë, ai që mundi të vijonte të shpërfaqej në dritë përmes fakteve dhe dëshmive pas viteve ’90.
Prologu
Ndërsa ende në vetëdijen tonë ka mbetur i ngulitur Qazim Mulleti i “Prefektit”, ai i vërteti, dijeshumi, i shumëshkolluari dhe i shumëemancipuari, ai që zotëronte turqisht, osmanissht, arabisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, latinisht, serbo-kroatisht dhe greqisht e ka ende të vështirë t’i mbivendoset profilit grotesk që arti i turmës promovoi për 40 vite dhe vijon të promovohet më pafytyrësi edhe sot.
Komedia “Pefekti”
Cilin prej nesh nuk e ka parë komedinë “Prefekti”, interpretimin brilant të “Artistit të Popullit”, Robert Ndrenika. Një punë e Besim Levonjës, komedia “Prefekti” përqesh dhe tallet me prefektin e Tiranës gjatë kohës së pushtimit fashist, Qazim Mulletin dhe një vartës të tij që ishte drejtues i policisë së Tiranës po në atë kohë, Mon Kukaleshi. Kjo komedi bazohet në stereotipa dhe krijon vetëm të tilla. Tiranasit e vjetër apo autoktonë paraqiten si injorantë, të korruptuar, fetarë (kjo në atë kohë kishte kuptim negativ duke qenë se shënjestronte reaksionarët dhe njerëz që gjithsesi ishin kundër rrymës së asaj kohe); fshatarët që banonin afër Tiranës si të trashë, fanatikë etj.
Edhe një personazh nga Luma (veriu) që arrestohet gabimisht, paraqitet në mënyrën më të keqe, si analfabet që shiste salep me ibrikë në duar dhe ishte gati të denonconte këdo para autoriteteve.
E folura në dialekt ose me fjalë të huazuara e personazheve është bërë me qëllim shumë e fortë, për të stigmatizuar grupet shoqërore nga vinin personazhet e komedisë. Këto stereotipa gjenden edhe në filmat e tjerë të prodhuar gjatë kësaj kohe.
Qazim Mulleti i vërtetë
Qazim Mulleti lindi në lagjen “Sulejman Pasha” në Tiranë, më 20 dhjetor 1893 – 28 gusht 1956 Vicolo delle Grotte Romë. Ka qenë prefekt i Tiranës gjatë pushtimit fashist.
Studimet e para i kreu në Manastir, i vazhdoi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe së fundmi kreu studimet e larta në kolegjin perandorak “Gallata Saraj” të Stambollit, me medalje ari. Ai ishte poliglot. Dinte turqisht, osmanissht, arabisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, latinisht, serbo-kroatisht dhe greqisht. Hobi i tij ishte hipizmi, koleksionimi i suvenireve, – ku në shtëpinë e vet, një kat e kishte shndërruar në muzeum të posaçëm, – si dhe patinazhi në akull. Në 1912-ën, bashkë me shumë studentë të tjerë shqiptarë merr pjesë në ngritjen e flamurit në Tiranë dhe Vlorë. Në 1914-ën është një ndër katër adjutantët e Princ Vidit. Largohen së bashku në Vjenë, ku jetoi aty deri në vitin 1920. Aty, me ndërhyrjen direkte të mareshalit austriak Trolman, i cili mbulonte rajonin e Ballkanit, Qazim Mulleti vijoi studime specializimi shtesë në fushën e diplomacisë ushtarake të luftës. Në vitin 1920 merr pjesë në Kongresin e Lushnjës. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës u pengua të hynte në Durrës, ku kishte destinacionin për të ushtruar funksionet e saj, pasi Kongresi e kishte zgjedhur Kryeqytet. Me ndërhyrjen e dajës së Qazimit, Mytesim Këlliçit, Abdi Toptanit dhe Qazim Mulletit, si dhe të delegatëve të tjerë të Tiranës në kongres, qeveria u vendos provizorisht në Tiranë. Shumë patriotë të Tiranës hapën shtëpitë e tyre në dispozicion të qeverisë së re. (Një shtëpi e Mulletëve u bë Ministria e parë e Bujqësisë). Më vonë, në bisedat e Kuvendit Kombëtar, Qazimi mbron dhe argumenton pse Tirana duhet të ishte Kryeqytet i Shqipërisë. Pozita gjeografike, strategjike dhe klimaterike ishin më të favorshme se ato të qytetit të Durrësit. (Tirana, de jure u bë Kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1925). Në shtator të vitit 1920, është Komandant i Forcave Vullnetare kundër Serbisë. Më 25 Prill – 3 maj 1921, ai merr pjesë në Kongresin për Bashkimin Kombëtar në Vlorë, si përfaqësues i Tiranës, në të cilën funksiononte shoqëria patriotike “Vllaznia–Zgjimi”, së bashku me z.Hafiz Ibrahim Dalliu dhe z.Musa Maçi, si përfaqësues të shoqërisë “Lidhja Kombëtare” dhe z.Avni Rustemi të shoqërisë “Bashkimi”. Në Qeverinë e Sulejman Delvinës dhe Fan Nolit, pati një detyrë të rëndësishme, si prefekt në Dibër. Mbas dështimit të Revolucionit largohet nga Shqipëria. Në fillim vendoset në Zara të Jugosllavisë, ndërsa më vonë në Vjenë, ku ndenji si emigrant politik deri në vitin 1931. Kur ishte në Vjenë, pikërisht në vitin 1929, ai martohet me Hajrie Kusin, me të cilën pati vetëm një djalë. Reshiti, bashkë me të ëmën, Hajrien, vuajtën për 45 vjet në kampet e përqendrimit të Tepelenës, Savrës, Gradishtit, Porto Palermos, etj. Zj.Hajrie vdiq në vitin 1980, kur ishte në kampin e përqendrimit në Savër të Lushnjës .
Tironsa me të gjitha: të folme, shtëpi të vjetra, zakone dhe tapi. Tapitë u kanë mbetur si relike, zakonet dhe e folmja si traditë, ndërsa shtëpitë e vjetra si rrënoja.Qysh prej 13 vjetësh në kërkim të rrënjëve materiale (shtëpive dhe pronave të vjetra) pinjollët e sotëm të familjes Mulleti po i ndërtojnë themelet e tyre të reja në Tiranë duke varrosur të vjetrat nën pallate shumëkatëshe.
Shtëpitë e Qazim Mulletit, Ali Mulletit, Tanush Mulletit, janë në agoni. Ndërkohë që shtëpia ku pati jetuar më gjatë prefekti i Tiranës së viteve ‘40 është varrosur para një viti nën një pallat që vazhdon të hedhë shtat aty në rrugën “Qemal Stafa”. Si shtëpitë e vjetra, edhe pinjollët e familjes Mulleti në Tiranë janë të paktë. Nga Sulejman Mulleti tek Qazim Mulleti dhe i biri Reshit Mulleti, që vazhdon të jetojë në Tiranë, prej familjes Mulleti, trashëgimtarët nuk kanë qenë të shumtë, por kanë mbërritur deri në ditët tona. Ndryshe nga Tafajt që kanë aktualisht në Tiranë 900 pinjollë, Mulletët kanë shumë më pak dhe vetëm tetë trashëgimtarë meshkuj. I gjen pothuajse të gjithë në Tiranën e vjetër, në rrugën “Qemal Stafa”. Ajo është mëhalla e tyre, askush nuk e vë në dyshim. Por ndoshta edhe për pak kohë. Derisa gjeneratat e reja të mos gjejnë më aty asnjë gjurmë të tyre veç ndonjë pllakate, që e varur në një pallat të ri nuk thotë më asgjë sado impresionuese të jetë përmbajtja e saj. Kur të jenë shembur edhe rrënojat e fundit të shtëpive 300 -vjeçare të trashëgimtarëve Mulleti. Kur lagjia nuk do të ketë më një personazh të gjallë si Reshit Mulleti (djali i Qazim Mulletit) që vjen vërdallë si dinosaur i lodhur në mëhallën e Mulletëve dhe nuk e qasin as në shtëpinë ku ka lindur i ati. Kur nostalgjikët do ta kenë vështirë të gjejnë në gjithë Tiranën një shtëpi të vjetër muze si ajo e Ali Mulletit, plot kontradikta: që ka mbajtur brenda Qazim Mulletin, por edhe Enver Hoxhën, që ka qenë konsullatë austriake por edhe Ministria e parë e Bujqësisë shqiptare, si edhe shtëpi e dhjetëra Mulletëve. Ivzi Mulleti, 67 -vjeçar, djali i Ali Mulletit, i cili nga ana tjetër ka qenë djalë xhaxhai me Qazim Mulletin, tregon historinë e kësaj shtëpie muze, e cila tanimë i ka ditët e numëruara, pasi çelësat e saj i janë dorëzuar tashmë ndërtuesve.
Reportazh nga rrënojat
Portikut të oborrit i është vënë dryni. Në prag gjetëm një lypës që ngrohet në diell me gjithë rraqet e veta në qese plastmasi. Kur të shembet shtëpia ai do të gjejë një prag tjetër për t’u shullyer në diell, ndërsa aty do të ketë zgjatur hijen e vet pallati i ri. Pllakati që përkujton vetëm një pjesë të historisë së asaj shtëpie, atë komuniste, ndoshta do të zhvendoset në murin e pallatit. Muret e qerpiçit me siguri do të bien shumë shpejt dhe çatia gjithashtu. Nën to do të varroset edhe historia që na rrëfen Ivzi Mulleti dhe që nis para rreth 300 vjetësh. Bëhet fjalë për kohën kur u ndërtua kjo shtëpi, e cila ka gjasa të jetë një nga më të vjetrat e Tiranës. Ivzi Mulleti thotë se shtëpinë e ka ndërtuar gjyshi i tij, Mahmut Mulleti. “Në këtë shtëpi ka jetuar babai im, Ali Mulleti dhe shumë nga ne të tjerët”, – tregon Ivziu. Në vitin 1914 sipas tij, shtëpia ka qenë konsullatë austriake dhe është dhënë vazhdimisht me qira deri në vitin 1944. Në 1924 ajo ka qenë Ministria e parë e Bujqësisë. Ka banuar aty patrioti Dervish Hima si edhe Et’hem Toto. Më vonë ka qenë bërthama e parë e shkollës femërore, mandej shkolla “Avni Rustemi”. Ka banuar aty vetë Bahri Omari dhe po aty është fshehur gjatë luftës Enver Hoxha. Pikërisht ky interval historik ia ka ndryshuar fatin shtëpisë dhe i ka blatuar atë pllakatën ku shënohet se në vitin 1943 shtëpia ka shërbyer si bazë ilegale për komunistët dhe si e tillë i ka mbijetuar shembjes gjatë regjimit komunist, kur nuk i ra plani. Plani i ka mbërritur tani ndërsa në 1944 aty banuan familjarët përkohësisht. Deri në vitin 1951 aty banoi (në katin e dytë) intelektuali Zyhdi Herri, i cili më vonë u pushkatua. “Pastaj historia është e njohur. Ne na nxorën nga shtëpia dhe na morën edhe bahçen e pasme ashtu si edhe 12 dyqanet”, – tregon Ivziu. I vetmi rikonstruksion i shtëpisë është ai i vitit 1987 kur Ivzi Mulleti tregon se u riparua vetëm çatia. “Tani çdo gjë ka marrë fund. Shtëpia do të shembet”, – përfundon pinjolli i familjes Mulleti.
Shit Mulleti, pinjolli 74 -vjeçar i Mulletëve që jeton ende në Tiranë
Ata që e njohin komedinë “Prefekti” e dinë edhe se ajo është një karikaturë komuniste e Qazim Mulletit, i cili në të vërtetë nuk i ngjet aspak Qazos së filmit që bërtet: “pu pu pu, ku na jan mështjell i tuf budallejsh ne ktu qe do na haj kalera nanji dit prej ktyne”! Por i biri i Qazim Mulletit, Reshiti 74–vjeçar, thotë se “Qazimi nuk është as ashtu si e qisin kta t’sotmit”. “Ai ishte njeri i thjeshtë. Unë e mbaj mend se ai u largua kur unë isha 14 vjeç. Ishte serioz, i ditur. Nuk njihte nëntë gjuhë të huaja siç e nxjerrin ca historianë por kishte mbaruar shkollën “Zosimea” në Janinë dhe studimet e larta në Gallatasaraj në Stamboll ku qe dekoruar me medalje ari ndërsa dy vitet e fundit të studimeve i bëri në Vjenë”, – tregon Shit Mulleti siç e thërrasin të gjithë në mëhallën e vjetër, ku ai është rikthyer tanimë të jetojë. Shiti është 74 vjeç dhe tani ka marrë një apartament në pallatin që është ndërtuar në vend të shtëpisë së vjetër të Qazim Mulletit. Ai është nostalgjik për të shkuarën aq sa mund të jetë çdokush për fëmijërinë e vet, aq më tepër kur ajo ka qenë e shkëlqyer. Megjithatë 60 vjetët e tjera të Reshitit nuk rodhën si 14 të parat. Së bashku me nënën Hajrie Mulletin, ai është internuar në Kavajë e Tepelenë dhe vetëm pas ‘90 u kthye në Tiranë ku jetoi për një kohë të gjatë në shtëpinë e Tanush Mulletit. Përveç disa fotografive në sëndukun e tij nuk ka gjë tjetër nga reliket e familjes. Të gjitha ia kanë marrë. Madje edhe koleksionet e armëve të të atit, Qazim Mulletit si edhe koleksionet e filatelisë pas të cilave Shiti thotë se ishte i apasionuar i ati. Shitit, padyshim nuk i vjen keq thjesht për këtë. Por për të gjithë jetën e shkuar në internim së bashku me nënën e cila “shiti edhe byzylyqet e bizhuteritë e pakta që i kishin mbetur për të mbijetuar” dhe që vdiq në vitet ’80 në Savër. Ndërkaq Qazimi kishte vdekur shumë më përpara në moshën 62 -vjeçare në Itali ku jetoi si emigrant politik. Ai nuk u rimartua më atje, as e shoqja në Shqipëri dhe i biri Shiti nuk është martuar kurrë.
Ndjesa e “Prefektit”
Në një intervistë të të tetorit të vitit 2012 i madhi Robert Ndrenika në lidhje me një nga rolet më të spikatura, atë të Prefektit është shprehur:
Roli i Qazim Mulletit tek “Prefekti” është edhe më delikati. Duhet të them se përveç emrit, ai rol ka pak të përbashkëta me personazhin historik. Nuk dua ta përligj Qazim Mulletin e vërtetë, por pak a shumë edhe prefekti, në konceptin tim, ka qenë një pushtetar, i cili ka brenda vetes një karakter popullor që rron edhe sot e kësaj dite. Kujtoj shprehje të tij, si për shembull “pas kaq muajsh, jeni bërë të gjithë komunista”, më pas thuhej “po ndenje kaq muaj në burg me hajdutët, je bërë edhe ti hajdut” etj. Injorancë ka pasur edhe më vonë, në kohën e komunizmit. Madje ka qenë ajo injorancë e disa zyrtarëve, që më frymëzoi edhe për rolin, pasi unë Qazim Mulletin nuk e njihja fare. Ky ka qenë në fakt një tipar i intepretimit tim. Pra që nisesha në rolet e mia, nga psiko-fizika e personazheve të epokës time, me qëllim që ta bëja sa më real dhe të afërt personazhin, për publikun e kohës. I qëndroj mendimit se shoqëria njerëzore është e ndërtuar në mënyrë të tillë, që epokat, regjimet dhe sistemet i ngjajnë njëri-tjetrit. Ka një cikël ulje-ngritjesh që përsëriten pafund. Fenomene si ato që dalin tek “Prefekti”, janë në fakt universale, përtej sistemeve. Arti dhe kultura vetëm i evidenton dhe mundohet të japë mesazhin që duhen korrigjuar. Pra, edhe kur kam luajtur Prefektin, kisha parasysh aktualitetin. Qazim Mulletit, siç thashë i njihja vetëm etapat kryesore të jetës, që ishte fanolist, antizogist, më pas kolaboracionist etj. Roli i tij në komedi, ishte ai i një zytari kuisling, i cili do me çdo kusht të mbajë një pushtet që e ndjen se po i lëviz.
Në këtë pikë, dua të shtoj një element që e ndjej të rëndësishëm. Në këtë histori që lidhet me rolin tim të Prefektit, mua më vjen keq dhe më duhet t’u kërkoj falje dy personave: gruas dhe djalit të Qazim Mulletit. Që të dy ata panë një kalvar të padrejtë vuajtjesh dhe padrejtësish nëpër internimet. Më vjen keq për ta, shumë më tepër se për Qazim Mulletin vetë, pasi ai iku në Itali dhe i la këtu, përfundon aktori i madh
Besim Levonja ai që shkroi “Prefektin”
Duke qenë personazh i komedisë dhe njeri real i tragjedisë, Shiti kurrë nuk hodhi baltë mbi Prefektin- komedi dhe autorin e saj, Besim Levonja. Fliste me respekt për të si njeri dhe krijues. Ai thoshte se, e kishte takuar autorin kur e kishte vënë në skenë për herë të parë shfaqjen dhe mbante mend këtë përgjigje nga Levonja: “Ajo është komedi, Reshit, dhe aty mund të ngacmohet kushdo. Sot ndoshta nuk e kupton, por më vonë do të më japësh të drejtë”. Pas kaq vitesh që ajo kryevepër është rregjistruar dhe transmetuar në televizion, ne sërish e shohim dhe qeshim me situatat brilante e batutat plot humor. Gjatë diktaturës, prefekti ishte “disidenti” ynë artistik që na propagandonte të vërtetën se: “nuk osht komunizmi për kët tokë. Kjo farë e keqe, nuk mbin këtu”. Historia e provoi. Vetëm ata që shkruajnë në gjininë e humorit dhe satirës mund ta kuptojnë sa të vërteta profetike vuri në gojën e prefektit Qazim Mulleti, autori Besim Levonja. Ndiqni me vëmendje tekstin e kësaj komedie dhe do të vini re se personazhi “negativ” thotë ato të vërteta që koha i vërtetoi plotësisht. E thënë ndryshe, Besim Levonja, ka meritën e jashtëzakonshme sepse nuk krijoi një vepër të mirëfilltë disidente, por personazh real disident që, edhe pse i rënë nga ofiqet dhe i emigruar në Itali, aty në skenën e teatrit, paralajmëronte sërish popullin e vet për mortajën komuniste që e priste. Me ato fjalë, batuta, mendime, ironi dhe humor që thoshte prefekti në atë komedi për komunizmin, pas viteve `90 kur erdhi demokracia, u mbushën gazetat me sharje… por, pas pilafit. Besim Levonja i vuri në gojën e prefektit ato fjalë para 40 vitesh. Me qëllim ose jo, ne nuk e dimë. Por në dimë që ky personazh u bë mishërim i atyre të vërtetave që gjatë luftës e kishin munduar popullin shqiptar. Historia e vërtetë popullore ruan një respekt për prefektin e Tiranës, Qazim Mulleti. Ndërsa historia politike ka tjetër mendim. Si personazh i komedisë ai u bë i dashur dhe profetik nëpërmjet kësaj vepre brilante skenike. Sot, prefekti më ngjan me një njeri pozitiv i cili ka të drejtë të mburret se tha i pari rrezikun e vërtetë që do i sillte komunizmi këtij populli. Bashkë me të, sigurisht edhe autori i saj, Besim Levonja.
Kjo penë e artë që i fali popullit të tij një kryevepër të vërtetë të humorit dhe satirës, njëherazi përjetësoi dhe e bëri të pavdekshëm Prefektin e Tiranës të atyre viteve, Qazim Mulleti. Nëse nuk do e kishte kthyer në personazh, cili nga ne do e njihte sot emrin e Qazim Mulletit? Pothuajse askush. Si fati i shumë të tjerëve. “Prefekti” i Qazim Mulletit është mishërim i humorit tonë, konflikteve familjare, tarafeve, allishverisheve e tolerancës. Situatat e bukura, teksti, fjalori, karakteret, dhe interpretimi mjeshtëror, e bënë këtë vepër të rrojë sa të ketë jetë kinemaja dhe ekrani. Robert Ndrenika ka qenë 35 vjeç kur ka interpretuar atë rol të pavdekshëm. Aktori nga Himara luajti tiranasin autokton në mënyrë mjeshtërore. Berti edhe me këtë rol do të mbetet i paharruar nga të gjithë brezat që e kanë shijuar dhe po e shijojnë edhe sot këtë komedi. Në krah të tij interpretojnë Behije Çela, Gjon Karma, Ndrek Shkjezi, Sulejman Pitarka, Esma Agolli, Ilia Shyti. Gjithë këto emra të mëdhenj tani nuk jetojnë më. Për fat jetojnë dhe gëzojnë shëndet të mirë, jo vetëm prefekti Robert Ndrenika, por edhe Drita e Fatos Haxhiraj, Agim Brojka, Anastas Kristofori, Mërkur Bozgo, Besa Imami, Vangjel Toçe, etj. Sigurisht, edhe regjizori i madh Pirro Mani. Kjo komedi dhe ai rol vazhdon të jetë sot e kësaj dite një ëndërr për “Nderin e Kombit” Reshat Arbana. Do isha i lumtur ta kisha interpretuar edhe sot “Prefektin”, thotë aktori i madh.
Rrënjët – Ilir Mulleti: “Ne, pinjollët e themeluesit të Tiranës”
Ilir Mulleti, 37 vjeç, një nga pinjollët e tjerë të Mulletëve tregon historinë e familjes, për të cilën është interesuar duke shfletuar histori dhe gërmuar në arkivë. Ai pretendon se së bashku me pinjollë të tjerë Mulleti është një ndër pasardhësit e themeluesit të Tiranës, Sulejman Pashë Bargjini (Mulleti). Ruan një pemë historike prej një degëzimi të së cilës dëshmojnë origjinën e tyre nga Sulejman Mulleti krahas familjes Tirana dhe Kërçiku. “Flitet për tre degë të dala nga familja Bargjini që janë Mulleti, Tirana dhe Kërçiku. Këto janë të dokumentuara, aq më tepër që ne kemi edhe një tapi të vitit 1918 dhe që na vërteton prona të cilat i kemi trashëguar pikërisht nga Sulejman Pasha”, – shprehet Ilir Mulleti, i apasionuar pas historisë së Tiranës dhe të familjeve të vjetra kryeqytetase, sidomos atyre të bejlerëve, ku bën pjesë edhe familja e tij.
Në shkrimin ” Qazim Mulleti udhëhoqi bandën e agjentëve të Gestapos, në masakrën e 4 Shkurtit në Tiranë” të Doc. Kadri DINGU shkruhet: Skenari i kësaj masakre ishte miratuar në mbledhjen e 16 janarit 1944 që ishte zhvilluar në zyrën e kryeministrit të Qeverisë Shqiptare kuislinge, Rcxhep Mitrovica, ku kishin marrë pjesë Xhafer Deva, ish-komandanti i Xhandarmërisë Kadri Cakrani, komandanti i forcave të Ballit Kombëtar, Qazim Mulleti, ish-Prefekt i Tiranës, një oficer madhor gjerman dhe të tjerë. Operacioni do të mbahej shumë sekret dhe do të fillonte në orët e pasdites së 3 shkurtit 1944 dhe do të përfundonte në orën 5 të mëngjesit të datës 4 shkurt 1944. Ky operacion do të drejtohej nga Xhafer Deva dhe Kadri Cakrani.
Në këtë operacion terrorist forcat e Gestapos gjermane nuk do të merrnin pjesë, pasi në një dokument të Komandës së Përgjithshme të Korparmatës XXI gjermane thuhej: “Grupet nacionaliste sot natën do të ndërmarrin një kundër-reaksion.
Të gjithë pjesëtarët e trupës gjermane në postat e shërbimit të qëndrojnë jashtë kësaj grindjeje. Ky ishte një mashtrim, që synonte t’i paraqiste forcat gjermane të ardhura në Shqipëri jo si pushtuese, por si kalimtare, si nevojë e sigurimit të krahëve gjermanë në jug të Ballkanit dhe të sigurimit të rrugëkalimit të këtyre forcave për në veri të Evropës.
Por më vonë, në dokumentet gjermane të zbuluara, vërtetohet se në krye të drejtimit të këtij aksioni ka qenë oficeri i Gestapos gjermane, Haufmanlagen, përfaqësues personal i Hitlerit në Shqipëri. Nga Qeveria Demokratike e Shqipërisë, në vitin 1945 i është kërkuar shteteve të mëdha të koalicionit antifashist anglo-sovjeto-amerikan, që ky person të gjendej dhe të gjykohej për krime lufte.
Forcat që do të merrnin pjesë në këtë operacion përbëheshin nga xhandarmëria dhe nga policia sekrete kuislinge dhe nga forcat e Regjimentit mercenar “Kosova”, që kishin ardhur në Shqipëri për ta shpëtuar atë nga regjimi komunist dhe nga forca të armatosura të Ballit Kombëtar. Ata vepruan të organizuar në grupe me nga 10 – 15 vetë dhe në drejtime të caktuara. Në krye të tyre ishin agjentët e Gestapos, Qazim Mulleti, Osman Kukaleshi, Xhelal Staravecka, Seit Matja dhe drejtues kryesorë të Organizatës së Ballit Kombëtar të Tiranës, Halim Begeja, Halil Mëniku, Seit Demneri, Arif Merepeza, Osman Kazazi, Zige Hatipi dhe të tjerë. Sipas skenarit, operacioni filloi në orët e pasdites së 3 shkurtit 1944 dhe kjo vërtetohet edhe nga njoftimi i bërë nga ATSH, ku thuhej; “Në orët e para të kësaj dite, disa grupe terroriste kanë tentuar të bëjnë atentat kundër qeverisë, personaliteteve të larta shqiptare, kundër Xhaferr Devës e Kadri Cakranit dhe kanë sulmuar automobilat e tyre me bomba dhe revolverë”. Në këto përpjekje u vranë disa atentatorë. Duke marrë shkas nga këto atentate të inskenuara, Xhelal Staravecka dhe Kadri Cakrani me agjentët e tyre në Tiranën e Re arrestuan qytetarë të pafajshëm, të cilët ishin duke shkuar nga puna në shtëpitë e tyre dhe i pushkatuan! Këta ishin Todi Shkurti, Vangjel Capo, Hasan Çeliku dhe Jani Koçi. Këtë krim e justifikuan, se gjoja ata paskëshin vrarë një tregtar të quajtur Fahri Osmani dhe kishin plagosur disa qytetarë të tjerë!
Një fakt që e kompromenton Qazim Mulletin
Fill pas kësaj ngjarjeje qindra forca të Xhandarmërisë, të Policisë dhe të Regjimentit mercenar “Kosova”, të armatosur gjer në dhëmbë, vendosën patrulla nëpër rrugët e Tiranës dhe nga kjo kohë u vendos ndalim-qarkullimi. Duke filluar nga ora 2.00 e natës dhe deri në mëngjesin e ditës së 4 shkurtit u bastisën qindra shtëpi, u arrestuan mbi 500 qytetarë, prej të cilëve 84 u pushkatuan. Shumica e të pushkatuarve ishin antifashistë, aktivë të Frontit Nacionalçlirimtar, të rinj komunistë dhe disa punëtorë që dolën të shkonin në punë që herët në mëngjes. Nga të pushkatuarit pati edhe me kombësi italiane, si dhe 4 të burgosur politikë malazezë, që, me gjakun e tyre, lagën sheshet dhe rrugët e Tiranës. Kështu ndodhi nata e Shën Bartolomeut Shqiptar, ku Tirana u gjakos, por nuk u mposht.
Në mëngjesin e 4 shkurtit 1944, kufoma të vrarësh, të mbytura me gjak, ishin kudo nëpër rrugët dhe sheshet e Tiranës. Kështu, para Sahatit dhe Xhamisë ishin 12 punëtorë të pushkatuar, nga këta 4 ishin punëtorë italianë. Në fund të Bulevardit, afër maternitetit, ishin 4 malazezë të pushkatuar, ish të burgosur politikë të nxjerrë nga burgu. Në Rrugën e Pishës ishin 3 të pushkatuar. Para Xhamisë, në Rrugën e Kavajës, ishin 3 të pushkatuar. Në sheshin para Hotel Parkut dhe në Rrugën e Elbasanit ishin 4 të pushkatuar. Para Xhamisë së Met Fires ishin 3 të pushkatuar. Në rrugën e Shën Gjergjit ishin 7 të pushkatuar. Shumë viktimave të vrarë u ishin prerë gishtat e duarve dhe u ishin zhvatur unazat dhe dhëmbët e florinjtë! Kufomat e të pushkatuarve qëndruan deri në orën 10.00, pastaj, me makina, Xhandarmëria ato i dërgoi në morgun e spitalit.
Nga dokumentet arkivale rezulton, se nga 84 të pushkatuarit të identifikuar vetëm 29 viktima. Dhe këta ishin; Ramiz Treni e Sitki Çiço – antifashist, të dy profesorë në gjimnazin e Tiranës, Xhemal Sojli, Harito Harito dhe Dr. Stefan Pano – antifashistë dhe aktivistë të Frontit Nacionalçlirimtar, Fadil Rada, vëllezërit Maliq dhe Haki Huta, Sulejman Vrapi, Gjergj Legisi, Islam Alla, Fiqiri Greblleshi clhe Ali Visha (trupat e të cilëve u gjetën në lumin e Tiranës), aktivistë të Rinisë Komuniste dhe pjesëmarrës të njësiteve guerile; Vinçenco Apoli dhe Raxhioner Raversi – të dy antifashistë italiane, Gjergj Marangozi – antifashist malezez, David Kohen – çifut, Mina Thome nga Vlora, i marrë nga hotel Parku, Vangjel Capo, Vasil Muzina, Petro Prifti, Sokrat Tako, Mihal Koço, Dhirnitër Toma, Emrullah Korja, Todi Shkurti, Osman Borigi, Kurt Uka, Lake Kolonja e Hasan Çeliku – punëtorë.
Ja ç’tregon Havaja, nëna e Fadil Radës, për natën e 4 Shkurtit 1944: “Isha vetëm në shtëpi me djalin e Vogël, Fadilin, se dy djemtë e tjerë, Ademi e Isufi, ishin partizanë. Në orën dy të natës xhelatët e armatosur thyen derën dhe më morën Fadilin. U ngjita pas djalit tim, por katilët më shtyn dhe më shkëputën nga ai, “Lidheni qenin!”’ bërtisnin Qazim Mulleti e Osman Kazazi. Dhe mua më përplasën në fund të oborrit, nga ku dëgjova për herë të fundit zërin e Dilit tim të shtrenjtë, duke më thëne: “Nënë, shko në shtëpi”. Për dy ditë radhazi, me bukë në gji e kërkova nëpër Tiranë, që t’i jepja për të ngrënë, por nuk e gjeta. Ah, unë e zeza. Pas dy ditësh shokët e tij ma sjellin trupin, që e kishin gjetur në një gropë jashtë Tiranës, në rrugën e Elbasanit. Por nënëzeza nuk e njoha Dilin, se e kishin copëtuar xhelatët. Lotët për të s’m’u thanë kurrë”. (Marrë nga gazeta “Bashkimi” e datës 4 shkurt 1945).
Kjo nëne trime tiranase ka qenë e arrestuar nga Kuestura në vitin 1943, kur u vra Xhorxhi Martini, të cilin e kishte strehuar të plagosur në shtëpinë e saj. Ndërsa trupat e dy vëllezërve, Maliq e Haki Huta, aktivistë të Rinisë Komuniste dhe të Frontit Nacionalçlirimtar nuk janë gjetur. Edhe sot e kësaj dite nuk dihet ku janë varrosur! Në një bisedë që kam bërë me vëllain e tyre për nënën, Mehmet Shkëmbi, kam mësuar se ai ka qenë së bashku me vëllezërit e tyre në shtëpi natën e 4 shkurtit 1944, kur ata u arrestuan. Ai tregon: “Ishte ora 3 pas mesnatës, ku mbi dhjetë xhandarë me në krye Osman Kazazin dhe një farë kapter Selimi goditën portën me qytat e pushkëve dhe me të thirrura kërkonin që ta hapnim derën. Në shtëpi ishin baba, nëna, dy motrat dhe tre vëllezërit. Shtëpia dhe rruga e Kazazëve ishte e rrethuar nga forcat e xhandarmërisë dhe ne nuk kishim mundësi që të dilnim nga rrethimi. Në fillim hezituam ta hapnim portën, por pasi dëgjuam edhe zërin e ish-kryeplakut të lagjes, Xhemal Zola, e hapëm. Me egërsi shtazore ata hynë në shtëpi dhe na arrestuan të tre vëllezërve, na lidhën duart dhe i thanë babës, se do të na çonin te Xhafer Deva.
Qazim Mulleti, antizogisti që bashkëpunoi me të gjithë pushtuesit
Hamza HatikaIsh-prefekti i Tiranë u arratis nga Shqipëria më 9 shtator të vitit ‘44, shtatë ditë para se partizanët të çlironin Shqipërinë shkruan Ilir Bushi. Ish-Prefekti i Tiranës gjatë kohës së pushtimit nazifashist, Qazim Mulleti, ka ikur nga Shqipëria më 9 shtator 1944, pra 7 ditë para se kryeqyteti të çlirohej nga forcat partizane. Ikja e tij ishte detyruar nga fakti se Qazim Mulleti ndodhej në listën e të dënuarve me vdekje nga shtabi qendror i komunistëve.Kush ishte Qazim MulletiQazim Mulleti u lind në lagjen “Sulejman Pasha” në Tiranë, më 20 dhjetor 1893 dhe vdiq më 28 gusht 1956, kur ishte 63 vjeç. Thuhet se jeta e tij i është përkushtuar rregullimit të jetesës së qytetarëve të Tiranës, ndërsa vdekja e tij ka ndodhur nga marazi, që pas çlirimit, ai gjendej në listat e personave që ishin dënuar me vdekje nga komunistët. Në atë kohë, ai jetonte në Itali, ndërsa familja e tij persekutohej në Tepelenë, ndërkohë që, vëllai i tij, gjendej në burg.Qazim Mulleti ka qenë Prefekt i Tiranës, por edhe Kryebashkiak, i saj, gjatë pushtimit fashist. Në fakt Enver Hoxha nuk e ka përmendur shpesh emrin e Qazim Mulletit, madje pas shfaqjes së komedisë së Besim Levonjës, me titullin “Prefekti”, Hoxha ka kërkuar disa rishikime të dramës. Ku toni i talljes ndaj Qazimit, duhej retushuar. Sepse Qazim Mulleti, nuk ishte as frikacak, as i pashkolluar dhe as jo humanitar. Hobi i tij ishte kalërimi me kuaj dhe mësimi i gjuhëve të huaja.StudimetStudimet e para i kreu në Manastir, i vazhdoi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe së fundmi kreu studimet e larta në kolegjin perandorak “Gallata Saraj” të Stambollit, me ‘Medalje Ari’. Ai ishte poliglot dhe dinte turqisht, osmanisht, arabisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, latinisht, serbo-kroatisht dhe greqisht. Hobi i tij ishte hipizmi, koleksionimi i suvenireve, ku në shtëpinë e vet, një kat e kishte shndërruar në muzeum të posaçëm, si dhe patinazhi në akull. Në 1912-n, bashkë me shumë studentë të tjerë shqiptarë merr pjesë në ngritjen e flamurit në Tiranë dhe Vlorë.Në 1914-n është një ndër katër adjutantët e Princ Vidit. Largohen së bashku në Vjenë, ku jetoi aty deri në vitin 1920. Aty, me ndërhyrjen direkte të mareshalit austriak Trolman, i cili mbulonte rajonin e Ballkanit, Qazim Mulleti vijoi studime specializimi shtesë në fushën e diplomacisë ushtarake të luftës. Në vitin 1920 merr pjesë në Kongresin e Lushnjës. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës u pengua të hynte në Durrës, ku kishte destinacionin për të ushtruar funksionet e saj, pasi Kongresi e kishte zgjedhur Kryeqytet. Me ndërhyrjen e dajës së Qazimit, Mytesim Këlliçit, Abdi Toptanit dhe Qazim Mulletit, si dhe të delegatëve të tjerë të Tiranës në kongres, qeveria u vendos provizorisht në Tiranë. Shumë patriotë të Tiranës hapën shtëpitë e tyre në dispozicion të qeverisë së re. (Një shtëpi e Mulletëve u bë Ministria e parë e Bujqësisë). Më vonë, në bisedat e Kuvendit Kombëtar, Qazimi mbron dhe argumenton pse Tirana duhet të ishte Kryeqytet i Shqipërisë. Pozita gjeografike, strategjike dhe klimaterike ishin më të favorshme se ato të qytetit të Durrësit. Në shtator të vitit 1920, është Komandant i Forcave Vullnetare kundër Serbisë. Më 25 Prill – 3 maj 1921, ai merr pjesë në Kongresin për Bashkimin Kombëtar në Vlorë, si përfaqësues i Tiranës, në të cilën funksiononte shoqëria patriotike “Vllaznia–Zgjimi”, së bashku me Hafiz Ibrahim Dalliu dhe Musa Maçi, si përfaqësues të shoqërisë “Lidhja Kombëtare” dhe Avni Rustemi të shoqërisë “Bashkimi”. Në Qeverinë e Sulejman Delvinës dhe Fan Nolit, pati një detyrë të rëndësishme, si prefekt në Dibër. Mbas dështimit të revolucionit largohet nga Shqipëria. Në fillim vendoset në Zara të Jugosllavisë, ndërsa më vonë në Vjenë, ku ndenji si emigrant politik deri në vitin 1931. Kur ishte në Vjenë, pikërisht në vitin 1929, ai martohet me Hajrie Kusin, me të cilën pati vetëm një djalë. Reshiti, bashkë me të ëmën, Hajrien, vuajtën për 45 vjet në kampet e përqendrimit të Tepelenës, Savrës, Gradishtit, Porto Palermos, etj.. Hajria vdiq në vitin 1980, kur ishte në kampin e përqendrimit në Savër të Lushnjës. Por Qazim Mulleti ka edhe një sekret tjetër, sepse gjatë qeverisjes së Zogut ai kishte emigruar në Vjenë dhe Paris, apo Romë. Kjo për faktin se Zogu e kishte dënuar me vdekje atë, si pjesëmarrës në atentatin ndaj tij, së bashku me vëllanë e tij, që më vonë fitoi pafajësinë. Mbas dështimit të atentatit kundër Mbretit Zog, në 1931-in, Qazim Mulleti dënohet nga mbretëria shqiptare me “Vdekje në mungesë”. Pas kësaj ishte dënuar edhe në Vjenë me dy vjet burg, për bashkëpunim në atentatin kundër mbretit Zog. Pas përfundimit të burgut ai shkon në Paris, ku u bashkua me të vëllanë, Hysniun, i cili gjithashtu, ishte dënuar nga mbretëria me vdekje, megjithëse, s’kishte lidhje fare me atentatin në fjalë. Hysniu në atë kohë vazhdonte studimet për Inxhinier Bankar. Së bashku filluan të merren me biznes privat, ku hapën një restorant, i cili saktësisht ndodhej në rrugën Nr.5, pikërisht pranë Harkut të Triumfit. Në Paris, Qazim Mulleti zgjidhet Kryetar i Emigracionit Politik jashtë atdheut, organizatë që ishte njohur nga Lidhja e Kombeve. Miqtë dhe shokët e tij ishin: Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Mustafa Kruja, Ernest Koliqi, Dom Lazër Shantoja, Eqerem Vlora, Dom Frano Karma, Qazim Kondi, etj..Pas pushtimitPas pushtimit të Shqipërisë, pra më 7 prill 1939 dhe pas ikjes së Zogut, Zogut, Qazim Mulleti u kthye në Durrës, pas 15 vjetësh emigracioni. Por ai ndenji vetëm disa vjet sepse më 9 shtator iku përsëri jashtë Shqipërisë për të mos u rikthyer më. Gjatë kësaj kohe, pra gjatë pushtimit fashist, ai kreu, detyrën e Kryetarit të Bashkisë dhe Prefektit të Tiranës. Në fakt Qazim Mulleti kishte një ndjeshmëri të lartë e kuptoi fare mirë se e ardhmja e Shqipërisë punonte për komunistët. Madje, Bahri Omarin, kunatin e Enver Hoxhës e paralajmëroi një ditë duke i thënë: Ti Bahri, të keqen do ta kesh nga vetë kunati yt, të cilin e pret dhe e përcjell në shtëpi.Më 9 shtatorIshte data 9 shtator kur Qazim Mulleti iku nga Shqipëria. Me vete ka marrë edhe djalin e ish-ministrit të kohës së Zogut, Sali Viçiterrni, që quhej Nazim Viçiterrni. Në shtëpinë e tij, Qazimi ka lënë vëllanë e tij, Hakiun, duke e këshilluar të mos lëvizte nga shtëpia dhe nga pronat e Mulletëve. Para ikjes, ai njoftoi ballistët dhe legalistët se luftën e kishin të humbur dhe se në fuqi do të vinin komunistët, që kishin arritur një organizim të mirë me çetat e maleve. Ai lajmëroi vëllanë e tij që të dorëzonte makinën në prefekturë, por atë makinë pas 4 muajve e përdori Koçi Xoxe.Rruga e Qazim MulletitNga Shqipëria shkoi në Vjenë, ku u dorëzua te amerikanët. Ai kishte me vete 700 napolona flori dhe disa pare turke dhe austriake. Aty Qazimi pati disa peripeci me vëllanë e tij, Nazimin, i cili ishte në kampin e robërve dhe pasi liroi vëllanë, ikën nga Vjena, drejt Romës dhe më pas Nazimi shkoi në Zvicër. Qazim Mulleti u vendos në Romë dhe nuk iku më që andej, derisa vdiq në 28 gusht të vitit 1956.Si informohej Qazimi për fëmijëtQazimi ishte informuar për të gjithë persekucionin e pashembullt që kishte filluar mbi familjen e tij, dhe shprehte një dëshpërim të jashtëzakonshëm. Ai kishte marrë vesh që edhe ishte futur në burg. Dhe për këtë Qazimi fajësonte veten. Por ai kishte marrë vesh që na kishin sekuestruar edhe shtëpinë. Nga Roma, Qazimi i dërgonte ushqime, veshmbathje, ilaçe, etj., familjarëve të tij, në mënyrë të fshehur. Këto i ka dërguar rregullisht, deri në vitin 1956 kur ai vdiq.Vdekja e ish- Prefektit të TiranësSipas informacioneve që janë deklaruar nga familjarët e tij, gjatë intervistave mediatike, Qazimi vdiq në Romë, në 28 gusht 1956 pas një infarkti. Ka qenë një drekë lamtumire për shokët e tij që do të iknin në Amerikë. Dreka bëhej në Vatikan. Në atë drekë kanë qenë Eqerem bej Vlora, Mentor Çoku, etj.. Tashmë ata i kishte miqtë më të mirë. Kur pa që komunizmi nuk po binte, që familja e tij, gruaja dhe djali rraskapiteshin në Tepelenë si të internuar, vëllai ishte në burg, shtëpia ishte sekuestruar e në Shqipëri nuk vinte dot, tashmë edhe shokët që kishte po i iknin në Amerikë dhe po mbetej vetëm fare, kjo tregonte që po i hiqte fare shpresat të ritakohej me njerëzit e tij dhe rrëzimi i komunizmit po zgjaste, në këto mendime pra, ai ka rënë menjëherë përtokë nga infarkti.Familjarët e Qazim MulletitE shoqja, Hajria, ka qenë një grua e mirë dhe urtë, aspak e ngjashme me atë që paraqet Besim Levonja, në komedinë Prefekti. Ajo ishte me të vërtetë trimëreshë ka pasur një kulturë të admirueshme dhe e ka mbajtur gjithmonë lart emrin e të shoqit, duke e përmendur me krenari të jashtëzakonshme, megjithëse, jetuan fare pak bashkë. Por pas arratisjes së Qazimit, ajo së bashku me Reshitin, djalin e saj u internuan. Të dy kanë vuajtur jashtëzakonisht. Në fund të jetës së tij, Reshiti jetoi pranë “Pazarit të Ri”, ku ndodhen e disa nga pronat e tyre. Reshiti jetoi në baraka, se në shtëpitë e të atit të tij jetonin të tjerët, dhe si arriti të merrte shtëpinë e vet në vitin 2005, ditën që hyri në shtëpinë e të atit, u emocionua së tepërmi dhe duke pasur edhe problemet e shëndetit, vdiq. Pra, ai vdiq ditën e parë që hyri në shtëpinë e të atit. Të dy, nënë e bir, kanë qenë të internuar në Savër, Tepelenë, Gradisht, Porto Palermo, etj.. Madje, është nisur nga internimi pa marrë leje dhe pa pyetur askënd dhe ka shkuar në Ministri të Brendshme, ku ka kërkuar takim me Kadri Hazbiun. Sigurisht, ia kanë penguar, por ajo ka insistuar dhe ka bërtitur se donte të takonte ministrin. Kadriu pas kësaj ka urdhëruar menjëherë që ta lejonin. Kur është përballur me të, ajo ka shkarkuar të gjitha bateritë, ku me të bërtitura i ka argumentuar ligjin dhe të drejtën e saj për të marrë pensionin që i takonte. Kështu Hajria u bë e internuara e parë që mori pensionin kur ishte në internim. Ajo vetë ka vdekur në vitin 1980, kur ishte 70 vjeç dhe u varros në internim. Sipas një gazetari të njohur shqiptar, Qazim Mulleti përbën një rast shumë ndryshe nga të tjerë të përbuzur e të dënuar për një gjysmë shekulli, edhe për një rrethanë tjetër të fatit të tij, nga më të rrallat në faqe të globit. Përveç masës së ndëshkimit klasik stalinist, si për asnjë shqiptar e njeri tjetër ai u ndëshkua nga pushteti politik i kohës edhe me një dënim të pazakonshëm, gati-gati të papërfytyrueshëm e të paimagjinueshëm edhe për shtatë rrathët tmerrues të ferrit dantesk. Ishte një shpikje persekutimi e përdhune mjaft djallëzore dhe shumë e sofistikuar. Para saj edhe qelia e mbushur gjer në brez me ujë apo prerja e mishit copa-copa nuk janë asgjë. Vegla torturuese që u përdorën kundër tij ishte një vepër artistike. Ndërsa në historinë e botës dhe të vetë artit krijimet janë thurur për t’u dhënë kënaqësi shpirtrave! Nuk qe libër apo dramë, poemë apo film. Ishte një komedi.Dingu: Qazim Mulleti moripjesë në skenarin e 4 shkurtitSipas veteranit Kadri Dingu, “skenari i kësaj masakre ishte miratuar në mbledhjen e 16 janarit 1944 që ishte zhvilluar në zyrën e kryeministrit të Qeverisë Shqiptare kuislinge, Rcxhep Mitrovica, ku kishin marrë pjesë Xhafer Deva, ish-komandanti i Xhandarmërisë Kadri Cakrani, komandanti i forcave të Ballit Kombëtar, Qazim Mulleti, ish-Prefekt i Tiranës, një oficer madhor gjerman dhe të tjerë. Operacioni do të mbahej shumë sekret dhe do të fillonte në orët e pasdites së 3 shkurtit 1944 dhe do të përfundonte në orën 5 të mëngjesit të datës 4 shkurt 1944. Ky operacion do të drejtohej nga Xhafer Deva dhe Kadri Cakrani. Në këtë operacion terrorist forcat e Gestapos gjermane nuk do të merrnin pjesë, pasi në një dokument të Komandës së Përgjithshme të Korparmatës XXI gjermane thuhej: “Grupet nacionaliste sot natën do të ndërmarrin një kundër-reaksion.Të gjithë pjesëtarët e trupës gjermane në postat e shërbimit të qëndrojnë jashtë kësaj grindjeje. Ky ishte një mashtrim, që synonte t’i paraqiste forcat gjermane të ardhura në Shqipëri jo si pushtuese, por si kalimtare, si nevojë e sigurimit të krahëve gjermanë në jug të Ballkanit dhe të sigurimit të rrugëkalimit të këtyre forcave për në veri të Evropës.Por më vonë, në dokumentet gjermane të zbuluara, vërtetohet se në krye të drejtimit të këtij aksioni ka qenë oficeri i Gestapos gjermane, Haufmanlagen, përfaqësues personal i Hitlerit në Shqipëri. Nga Qeveria Demokratike e Shqipërisë, në vitin 1945 i është kërkuar shteteve të mëdha të koalicionit antifashist anglo-sovjeto-amerikan, që ky person të gjendej dhe të gjykohej për krime.
Epilog
Kjo figurë ende e padeshifruar plotësisht vijon të ngjall interes. Ndonëse vazhdon të përplaset sa në baltën e komedisë “Prefekti” sa në muret e të pavërtetave të plota dhe të vërtetave të diskutueshme, gjithsesi mbetet një motivim për të hulumtuar, një shkas për ta trajtuar. Kurrë nuk është vonë për të qartësuar pamjen e vërtetuar historikisht dhe bashkë me të për të nxjerrë në dritë ata të vërtetë, me gjithë madhështinë dhe problematikën. Gjeneratave duhet ti bëhet me dije se Historia e Shqipërisë ka nevojë urgjente të rishikohet. Personazhet e saj duhet të kenë vërtetësi dhe kjo të mundësohet përmes ballafaqimit të fakteve jo pasioneve të shpenguara të vokacioneve të diktaturës që duket se yshtin ende pjesë të rëndësishme të vetëdijes sonë kombëtare dhe e degdisin gjykimin historik në shpërthime histerie dhe çoroditje.