Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Nuk ka reflektim nga kritikat, “ligjet” miratojnë paketën “Anti-shpifje”

Nuk ka reflektim nga kritikat, “ligjet” miratojnë paketën “Anti-shpifje”

Të gjitha kritikat dhe sugjerimet si të faktorit ndërkombëtar ashtu dhe të përfaqësuesve të mediave në vend duket se kanë rënë në vesh të shurdhër. Komisioni i Ligjeve ka miratuar në parim paketën “Anti-shpifje” të propozuar nga qeveria.

Paketa “Anti-shpifje” ka pësuar disa ndryshime nga se ishte paraqitur në fillim nga qeveria, ndryshime që janë pasqyruar dhe miratuar nga Komisioni i Ligjeve.
Ndryshimi i parë ka të bëjë me regjistrimin ose jo të operatorëve që ofrojnë shërbime online, dhe ashtu siç kishte sugjeruar edhe OSBE, regjistrimi i tyre nuk është më i detyrueshëm, por do të lihet të vlerësohet nga vetë operatorët.

“Regjistrim i operatorëve mediatikë online, nuk është i detyrueshëm, por mundësi që u ofrohet dhe regjistrimi i tyre është mundësia për të përfituar nga iniciativat fiskale.”-u shpreh Klotilda Bushka, relatorja e kësaj paketa.

Ndryshim tjetër ka të bëjë me anëtarët e Këshillit të Ankesave, që tashmë zgjedhja e tyre do të bëhet me konkurrim, e AMA do të jetë ajo që do të përcaktojë kriteret dhe do të hapë konkursin.

Në një tryezë me gazetarët, kreu i PD-së Lulzim Basha e quajti “shkelje të vijës së kuqe” miratimin e paketës anti-shpifje që pritet të kalojë në Kuvend këtë javë.
“Akt i paprecedent jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë hapësirës europiane. Kjo është vazhdimi i një ofensive të pandërprerë kundër medias dhe lirisë së shprehjes. Pa lirinë e medias nuk ka liri politike. Këtu jemi si partnerë, në një interes, atë të informimit të qytetarëve. Mosinformimi dhe keqinformimi i tyre është një nga objektivat strategjikë të këtij Kryeministri dhe kësaj qeverie, të ngushtojë çdo ditë hapësirën e informimit të qytetarëve. Kjo për ne është e papranueshme, është një vijë e kuqe, siç di të ishte në çdo vend sado pak demokratik”, tha Basha gjatë një takimi me një panel gazetarësh.

Kreu i PD tha se nuk do ta njohë këtë ligj dhe do ta shfuqizojë atë menjëherë sapo partia e tij të ketë drejtimin e vendit.

Ai tha gjithashtu se synimi i opozitës është që të krijojë një kuadër ligjor i cili, siç tha Basha, “do të varrosë mundësinë e çdo qeverie nesër për ta trajtuar pushtetin e katërt, si një shtojcë të pushtetit, ose një bezdi që i duhet mbyllur goja”./ Opinion.al

Share: