Kryeministri Rama ka zhvilluar sot një takim me 56 gratë që vuajnë dënimin e tyre në Burgun e Grave në Tiranë.
Rama ka qenë i shoqëruar në këtë takim nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Në fokus ka qenë amnistia nga e cila siç njoftoi Rama do të përfitojnë 56 gra, 28 prej të cilave do të lirohen dhe 28 të tjera do të përfitojnë menjëherë ulje me 1/3 e dënimit.
Gjatë fjalës së tij Rama tha se ai ka dashur që numri i grave të liruara të ishte më i madh dhe për këtë pohoi se ka patur debate me bordin e amnistisë. Sa i përket grave që kanë kryer vrasje, kryeministri shtoi se ndërmarrja e këtij akti ekstrem nga një grua do të thotë se ajo ka patur një mijë e një arsye.
“Kam bërë shumë debat me gjithë ekipin e amnistisë sepse do doja të kisha edhe më shumë ulje për ju. Jo për të justifikuar krimet, por për arsyen se unë besoj shumë fort se një grua arrin në atë ekstrem përjet faktit që kryen një krim të rëndë, ka me siguri një arsye, një mijë e një plagë në mendje dhe shumë kujtime të hidhura në trup, që e çojnë në atë pikë. Megjithatë përtej kësaj duhet të them që predispozita e ministres ka qenë maksimale, por edhe kufizimi në këtë pikë i ka të gjithë arsyet legjitime ligjore dhe morale”, tha Rama.
Teksa fliste për përmirësimin e kushteve në Burgun e Grave, Rama vuri në dukje aktivitetet që gratë e dënuara kryejnë ndërkohë që vuajnë dënimin ku një ndër to ishte piktura. Ai veçoi një të tillë në një stendë ku ishin të ekspozuara disa duke premtuar se do ta blinte.
“Ajo piktura, ai portreti poshtë është një kryevepër. Kur të shes një nga pikturat e mija, me ato para do të blejë atë pikturë pasi ajo është një kryevepër.”, tha Rama. /Opinion.al