Nxënësit e zonave më të prekura i kthehen sot bankave të shkollës.
Procesi mësimor do të rinisë në Tiranë, Durrës, Vorë dhe Kurbin pas një ndërprerje dy javore për shkak të tërmetit të 26 nëntorit. Ministria e Arsimit bën me dije se janë së paku 30 shkolla jashtë funksionit por janë marrë të gjitha masat e duhura për zhvendosjen e 15 mijë nxënësve në shkolla të tjera deri në një moment të dytë kur të krijohen kushtet për të zhvilluar procesin mësimor normalisht.
Sa i përket Universitetit të Tiranës, rektori Koni ka njoftuar me një urdhër të brendshëm se mësimi do të fillojë në datë 10 dhjetor. Kjo është bërë pas informacionit për inspektimin e sigurisë teknike të ambienteve të fakulteteve.
Universiteti i Mjekësisë dhe Universiteti i Politeknikut kanë shtyrë procesin mësimor edhe për javën e ardhshme. Sipas njoftimeve zyrtare të të dy universiteteve procesi mësimor është pezulluar deri më datën 13 dhjetor.
Sa i përket Universitetit Aleksandër Moisiu në Durrës, mësimi do të rifillojë ditën e sotme pas një konference në nder të 51 viktimave që shkaktoi tërmeti i 26-nëntorit, 24 prej të cilëve humbën jetën nën gërmadhat e godinave të shembura në Durrës. /Opinion.al