Zona Lezhë -Ulqin përgjatë gjithë bregdetit është me sizmicitetin më të lartë në vend me një magnitude maksimale 7.0 sipas hartave të mikrozonimit që kanë hartuar profesorët e sizmiologjisë, Prof.Dr.Eduard Sulstarova, Prof.Dr.Shyqyri Aliaj, Prof.Dr.Siasi Koçiu dhe Prof.Dr.Betim Muço. Në rast tërmeti zona mund të pësojë dëmtime katastrofale për shkak se, është në nivelin e detit me një truall tërësisht ujor.
Edhe pse tashmë gjendja dihet, bregdeti i Shëngjinit madje edhe këneta pranë saj po mbushet me shpejtësi me pallate shumëkatëshe.
Me poshtë në hartat bashkëngjitur, shihet qartë se në hyrje të qytetit të Shëngjinit gjendet këneta e Kënallës, e cila shtrihet nga bregu i detit deri në kufi të rrugës që lidh qytetin aksin kombëtar. Këneta, e cila është sot është mbushur me ujë, muaj pas muaji po mbushet me gurë dhe inerte dhe mbi të po ndërtohen pallate shumëkatëshe.
Deri para pak viteve këneta e Shëngjinit ishte një zonë e pashfrytëzuar dhe e mbushur me pisha, por sot zona ka ndryshuar kryekëput me ndërtesa të larta dhe të ngjeshur njësoj si në zonën e Golemit.
Zona e Shëngjinit po merr një zhvillim urban të frikshëm vit pas viti, teksa urbanistët dhe sizmologët pohojnë se cilësia e trojeve në këtë zonë është shumë më e keqe se në Golem. Për shkak se qyteti është nën nivelin e detit dhe trualli është shumë i lëngëzuar.
Në këto zona edhe sasia e hekurit nuk është e mjaftueshme për të siguruar anën sizmike, pasi hekurat në themele amortizohen shumë shpejt nga sasia e lartë e ujërave. Çeliku dhe betoni në këto zona duhet të jenë të një cilësie shumë të lartë pohojnë inxhinierët dhe ndërtesat duhet të jenë me mbrojtje të lartë sizmike.
Urbanistët kanë pohuar se në Lezhë para viteve 1990 nuk lejoheshin ndërtesa më shumë se 4 kate, ndërsa në disa zonë brenda qytetit ku sot janë ngritur pallte mbi 15 kate nuk lejoheshin fare ndërtime.
Por, në Shqipëri sëmundja e harresës është kthyer në kronike. Pas dy ditësh në qendër të Durrësit, edhe pse kolonat e një karabinaje të re janë dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit, punëtoret vijojnë të hedhin beton për të ngritur katin e shtatë. /monitor