Home KRYESORE Athina, Maqedonasit dhe Çamët!

Athina, Maqedonasit dhe Çamët!

Nga Artur Nura

Kujtojmë se ish kryeministri i ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Nikola Gruevski, ndersa ne detyre, gjeti mënyrën më të mirë të mundshme për të ndërkombëtarizuar çështjen e maqedonasve të larguar me dhunë nga trojet e tyre në Greqi në vitet 1946–1949. 

Letrës së tij publike të asaj kohe, ish kryeministri i Greqisë, Kostas Karamanlis, iu përgjigj qartë dhe prerazi, duke i thënë homologut maqedonas se të kërkosh politikisht nga e shkuara të drejtat e maqedonasve është – sipas tij – t’i shmangesh thelbit të problemit për të ardhmen e integrimit në NATO dhe BE! 

Në atë kohë ministrja e Jashtme e Greqisë, Doras Bakojanis, gjithashtu duke mbajtur të njëjtën linjë me Kryeministrin e saj, informoi partnerët euroatlantikë për këtë tentativë – sipas saj – anakronike maqedonase me sytë nga e shkuara.

Por, në letrën e tij, Gruevski nuk kërkonte veçse standarde evropiane për maqedonasit: kthim në territoret e tyre, kthim të titujve të pronësisë dhe padyshim status pakice brenda Greqisë. dhe, kjo ndodhte për më tepër kur burime të ndryshme në media bënë me dije se edhe familja e Nikola Gruevski, i përkiska kësaj pjesë të popullsisë maqedonase të Greqisë!

Reagimet nga Evropa dhe NATO ishin dhe janë bërë publike dhe ata kanë qartësuar se një problematikë e tillë ka dimension vetëm bilateral, por askush prej tyre nuk tha, siç thotë Athina që kjo çështje nuk ekziston! 

Askush nuk mund të harrojë se argumentet e Athinës në lidhje me emrin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë kanë të bëjnë gjithashtu me historinë e së shkuarës dhe traditës së shtetit grek, i cili ka territore me të njëjtin emër deri sa e detyroi këtë te fundit te ndërronte edhe emrin e saj sipas orekseve te Athinës. 

Pertej kesaj dhe faktit qe me Marreveshjen e Ohrit midis Greqise dhe Maqedonise tashme te Veriut, kjo temë delikate është lënë jashtë axhendës për mjaft kohë, kjo kauze nuk vdes sepse kjo popullsi ka prej kohësh një parti politike zyrtare në Greqi… 

Rasti i çamëve 

Historia e maqedonasve në parim është e ngjashme me atë të popullsisë çame të dëbuar po më dhunë nga trojet e tyre në Greqi rreth viteve 1944–1945 dhe këta të fundit që me ardhjen e pluralizmit në Shqipëri nuk kanë reshtur së kërkuari drejtësi për rastin e tyre. 

Kërkesat e tyre janë në mënyrë perfekte të njëjta me ato që Kryeministri maqedonas, Gruevski, kërkonte në letrën e tij drejtuar Kryeministrit grek, Karamanlis: kthim në trojet e tyre në Greqi, titujt e pronësisë dhe status pakice. 

Z. Shpëtim Idrizi, dhe Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet u bejne thirrje autoriteteve shtetërore shqiptare të impenjohen për rastin e çamëve dhe respektimin e të drejtave të tyre, por vete bejne shume pak ose aspak. 

Sipas opinionit tim personal kësaj popullsie kompakte në disa dimensione i duhet akoma shumë punë për të bërë të mundur të “detyrojnë” Kryeministrin shqiptar, kushdo qofte ai Edi Rama apo Lulzim Basha, të bëjë diçka të ngjashme me atë të Gruevskit për maqedonasit për rastin e tyre. 

Ç’duhet bërë? 

Besoj se të gjithë e dimë se në politikë njihet vetëm rruga e imponimit. Shpëtim Idrizi dikur në një emision televiziv mjaft të ndjekur në TV Klan tha se çamët nuk duhet të shohin të majtë dhe të djathtë, por të gjejnë të gjitha rrugët e mundshme pa dallim krahu politik, por sic thote Populli nga e Thena ne te bere eshte nje lume i tere dhe ne rastin e Idrizit duket edhe oqean i tere!

Por, a nuk duhet vallë që z. Idrizi ta nisi nga vetja? Indrizi që është krenar për traditën e tij familjare çame nuk duhet të flasë në veten e tretë për çamët. Ai duhet të mendojë çfarë duhet të bëj personalisht që të jetë përfaqësues parlamentar i tyre vetëm me vota te çameve!

Ndryshe nuk vlen! Historinë domethënëse te partisë se pare Çame e ka, Partia për Drejtësi dhe Integrim. Një akt i tillë i përgjegjshëm moralisht dhe politikisht do të sillte një risi në historinë e Komunitetit Çam, i cili nuk është pa probleme. Për më tepër, kjo mund të ofronte mjaft intelektuale të tjerë çamë, të cilët për arsye të ndryshme qëndrojnë akoma larg kauzës. 

Kështu pas këtij hapi të përgjegjshëm padyshim që do të kishim të bënim me një nisje të re, e cila do të mund të bënte që çamët të përfaqësoheshin institucionalisht në Parlamentin e ardhshëm të shtetit shqiptar, duke iu imponuar politikës zyrtare të Tiranës në lidhje me çështjen e tyre të drejtë. 

Vetëm me fjalime dhe qëndrime brenda organizimeve të tjera politike nuk mund të bëhesh kurrë eficent për t’iu imponuar Tiranës, jo më Athinës dhe padyshim bindur komunitetin ndërkombëtar. Kjo duhet nisur nga formati intelektual dhe politik i Komunitetit Çam. Të tjerat mund të marrin udhën e drejtë vetëm paskëtaj.

Ne koalicion me PD apo PS pas kësaj arritje te një bashkimi te mundshëm te te gjithë çameve, kjo do kishte rendësi te dorës se dyte… Te dyja partitë e mëdha do ta kërkonin me ngulm një koalicion me partine e te gjithë çameve…

Share: