Menigokoksemia është një bakter që transmetohet me shpejtësi nga një person i infektuar tek një i shëndetshëm dhe nëse nuk kapet në kohë çon deri në humbje jete. Higjiena maksimale është këshilla kryesore e mjekëve për të parandaluar sëmundjen.
Ata thonë se mos neglizhoni temperaturën e lartë, dhimbjet e forta të kokës apo muskujve, por kërkoni ndihmën e mjekut.
“Pas çdo rasti infeksioni mund të fshihet një infeksion tjetër. Nëse ka temperaturë të lartë, dhimbje të forta koke, nëse ndjehet shumë i këputur. Të mos presë dy tre ditë në shtëpi para se të shfaqet në spital”, shprehet mjeku Tritan Kalo për Abc Neës .
Me shenja të ngjashme si gripi shfaqet dhe menigokoksemia. Sëmundja, tregojnë mjekët, përhapet me shpejtësi nga një person i infektuar tek një person i shëndetshëm përmes ajrit, spërklave dhe prekjes. Në këtë situatë specialistët këshillojnë higjienë maksimale dhe paraqitje tek mjeku i familjes e nëse keni të tilla shqetësime.
“Në rastet kur ka ndodhur kjo gjë duhet të bëjmë profilaksi. Më mirë do ishte vaksinimi i popullatës. Kujdesi duhet të jetë shumë herë më i madh sepse meningokoku transmetohet edhe nëpërmjet ajrit”, shprehet mjeku tjetër Gent Stromi.
Aktualisht shërbimi infektiv në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë po përballet me fluks të lartë pacientësh dhe për shkak të gripi dhe virozave në qarkullim. Sipas drejtoreshës së ISHP, ky bakter i rrezikshëm i mori jetën efektivit të policisë rrugore në Tiranë, ndërsa janë në laborator analizat e gjakut të një gruaje që humbi jetën në Durrës./ Opinion.al