Home KRYESORE Bashkia e Shkodrës institucioni më transparent në Shqipëri për vitin 2019

Bashkia e Shkodrës institucioni më transparent në Shqipëri për vitin 2019

Kam kënaqësinë të bashkëndaj me të gjithë ju, një lajm shumë të mirë për Bashkinë tonë të Shkodrës. Bashkia e Shkodrës është vlerësuar INSTITUCIONI MË TRANSPARENT për vitin 2019, duke merituar çmimin e parë në Shqipëri.
Bashkia e Shkodrës në këtë klasifikim kombëtar pasohet me dy institucionet e tjera: Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Gjykaten e Lartë.
Përgjatë 12 muajve të vitit që lamë pas, Qendra Res Publica ka zhvilluar monitorimin për zbatimin e ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e infomimit”, duke i ndarë insituticionet në 5 kategori kryesore:
• Institucionet kushtetuese dhe ato të pavarura;
• Institucionet qendrore të pushtetit ekzekutiv;
• Institucionet e vartësisë të pushtetit ekzekutiv;
• Institucionet e pushtetit vendor,
• dhe Institucionet e pushtetit gjyqësor.
Nga vlerësimi i pavarur, bazuar në një metodologji të qartë dhe me shumë kritere për tu përmbushur, Bashkia e Shkodrës ka merituar çmimin e parë, të cilin me krenari të natyrshme, po e prezantoj sot para jush.
Çmimi i parë si institucioni me transparent për vitin 2019, është një vlerësim shumë i rëndësishëm jo vetëm për Bashkinë e Shkodrës por edhe për bashkëqytetarët tanë dhe natyrisht, edhe mediat e gazetarët.
Një falenderim publik për të gjithë ju që, me pasqyrimin e punës së Bashkisë Shkodër, per ngritjen e trajtimin e problematikave, edhe me vërejtjet e kritikat tuaja, duke i dhënë zë qytetarëve dhatë një kontribut të vyer që transparenca me publikun dhe me mediat të jetë në shkallën maksimale, më e larta në të gjitha institucionet e Shqipërisë për vitin 2019.
Para rreth 5 viteve, pikërisht transparenca me publikun dhe me mediat, me të gjithë të interesuarit, ka qenë prioriteti i programit dhe i punës sonë. Sot, jemi të kënaqur që, si administratë, institucioni i Bashkisë Shkodër dhe unë si kryetare e Bashkisë, ia kemi dalë jo vetëm të mbajmë premtimin, por duke qenë të parët në nivel kombëtar.
Ky çmim shumë i rëndësishëm për Bashkinë e Shkodrës dhe qytetarët, është një vlerësim por edhe një përgjegjësi më e madhe që të vazhdojmë të përmirësohemi vit pas viti, duke iu dhënë mundësi publikut të bëhet pjesë e bashkëqeverisjes reale përmes parimit të transparencës së pakufizuar.
Dua të siguroj bashkëqytetarët tanë, mediat, gazetarët por edhe të gjithë publikun shqiptar, se do të vazhdojmë të punojmë fort për të zhvilluar Shkodrën tonë, pavarësisht vështirësive që mund të na dalin rrugës. Gjithmonë, në ndërveprim me qytetarët dhe me transparencë të pandërprerë.

Share: