Partia Demokratike ka akuzuar kryetarin e Bashkisë Mat, Agron Malaj, se nuk mund të vazhdojë detyrën për shkak se preket nga ligji i dekriminalizimit. Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, tha se Malaj rezulton se ndodhet në kushtet e ndalimit të ushtrimit të detyrës, pasi është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për armëmbajtje pa leje. Ndërkohë drejtuesi i emisionit Opinion, këtë të enjte, ka lexuar një tjetër denoncim për një kryetar Bashkie.
Blendi Fevziu: Zoti Fevziu ju përshëndes kam diçka me interes për kryetarin e Bashkisë… më jep dhe emrin…ka punuar doganier nga viti 1992deri në vitin 2005 në filan vend. Në nëntor-dhjetor 1996 është ndaluar nga policia për kontrabandë është ndaluar së bashku me filanin, doganier filanin kontrollor filanin, polic filanin dhe ky pesoni. Atëherë u fsheh dhe fizikisht nuk u ndalua. Dosjen e ka o në arkivin e prokurorisë o në polici. Në formularin e dekriminalizimit nuk e ka deklaruar, ka ndryshuar edhe emrin bashkë me mbiemrin nga filani e ka bërë filani… Dhe më ka çuar dhe formularin.
Partia Demokratike publikoi pak ditë më parë një dokument të autoriteteve greke që dëshmon, sipas saj, se kryetari aktual i Bashkisë së Mallakastrës Qerim Ismailaj, është dënuar me 3 vjet burgim në Greqi.
Fillimisht PD denoncoi kryebashkiakun e Shkodrës Valdrin Pjetri, atë të Vorës Agim Kajmakun dhe më pas të Vaut të Dejës, Mark Babani, për të cilin prokuroria është në pritje të dokumenteve të fundit nga Italia dhe Maqedonia e Veriut./ Opinion.al