Home KRYESORE Çdo dite i mjafton barra e saj …

Çdo dite i mjafton barra e saj …

Nga Dom Gjergji Meta

Çfarë do të thotë?

Një nga “armiqtë” e jetës shpirtërore është babëzia e kohës.

Ne duam në pak kohë të bëjmë shumë gjëra e ngaqë nuk ia arrijmë na kap ankthi. Babëzia e bën kohën të ikë shpejt. Reagimi ndaj kohës që ikën shpejt është, ose një shfrenizëm plot ankth, ose paralizim i punës së përditshme. Në të dyja rastet, edhe pse na duken të kundërta, kemi të bëjmë me një marrëdhënie të keqe, të shformuar, me kohën.

Prandaj është i nevojshëm disiplinimi i kohës. Disa njerëz e kanë një pjesë të kohës të kronometruar nga punëdhënësi, kurse të tjerë duhet ta rregullojnë vetë atë. Në të gjitha rastet është e nevojshme të displinojmë kohën dhe ta jetojmë atë në përditshmërinë e saj, pa ankth. Çdo dite t’i mjaftojë barra e saj.

Disiplinimi megjithatë nuk është një fantizëm i tepruar. Duhen menduar apo shënuar patjeter oraret e çdo ditë dhe koha që ne i japim punës, njerëzve, kënaqësive tona, ushqimit, etj, por e nevojshme edhe që çdo ditë të zgjedhim e të vendosim të jetojmë duke i dhënë një kuptim asaj që bëjmë.

Prandaj në mëngjes, pak minuta në heshtje dhe lutje Zotit, para se të zhytemi në ritmin e botës jashtë shtëpisë tonë e ndihmon ditën tonë. Mund të lutemi për personat që do takojmë, për ato që lëmë në shtëpi, për gjërat që kemi nevojë e i kërkojmë Zotit të na bekojë ditën.

Po ashtu kur kthehemi dhe mbyllim ditën tonë pak minuta të tjerë falenderojmë për ditën e kaluar, për njerëzit e takuar, kërkojmë falje për gjëra apo sjellje të gabuara që kemi bërë e ia dorëzojmë trupin e mendjen tonë Zotit në gjumin e natës.

Kjo gjë e përditshme mund të ridimensionojë, duke i dhënë një kuptim të ri kohës, punës dhe krejt jetës tonë.

Ditë të bukur!

  • dom Gjergji
Share: