Home KRYESORE Femra përballë shoqërisë dhe Mass-medias! Burrneshat dhe Liberalet!

Femra përballë shoqërisë dhe Mass-medias! Burrneshat dhe Liberalet!

Nga Artur Nura

Një nga emisionet televizive më të ndjekura, trajtoi revistën “Jeta” dhe dimensionin femëror të znj. Ina Rama, ish kryeprokurore e Republikës së Shqipërisë të shfaqur në të.

Në ekran u shfaqën poza fotografike në të cilat znj. Rama i kishte bërë me mjaft shije sipas një përzgjedhjeje profesionale. Për drejtuesit e emisionit në fjalë znj. Rama nuk duhet të kishte bërë këtë gjë dhe të merrej me dosjet e shumta që ka në Prokurori!

Kjo e thënë thjesht do të thotë se individi nga momenti që merr një detyrë të caktuar, duhet të heqë dorë nga të gjitha të drejtat e tij humane dhe në këtë rast gjinore! Ai, në këtë rast ajo, nga ai moment duhet të jetojë kudo në çdo çast të jetës vetëm si zyrtare e ngrysur!

Pa dyshim që sipas mendimit tim modest, ky është një opinion dritëshkurtër i cili nuk përkon me nivelin e lartë cilësor të programeve të po të njëjtit kanal televiziv. Opinioni në fjalë duhet të përkojë vetëm me nivelin provincial të një pjese të shoqërisë shqiptare i cili paraqitet dramatik për gjininë femërore.

Për fat të keq, ky rast tregon se në momente të caktuara edhe instrumente të opinionbërjes që zakonisht i paraprin politikëbërjes (kjo e fundit po tenton t’i japë më shumë hapësirë femrës shqiptare në legjislativin shqiptar) në këtë rast u shfaq paragjykuese dhe një hap pas politikës.

Sigurisht që në jetën publike në çdo moment kemi të bëjmë me përgjegjësi intelektuale të caktuara të cilat nëse nuk i realizojmë, konvertohen në kosto sociale dhe kulturore për pjesë të caktuara të shoqërisë sonë në zhvillim.

Një vajzë në Elbasan…

Para disa ditësh, në faqet e kronikës të shtypit shqiptar lexova që një vajzë e re, pasi kishte kaluar një mbrëmje të gëzuar me dy miq të saj nën shoqërinë e konsumit të alkoolit, nuk mbante mend fundin e asaj mbrëmjeje!

Të nesërmen ajo ishte paraqitur në polici duke kërkuar t’i vërtetonin nëse ata miqtë i kishin rrëmbyer ose jo virgjërinë! Mosprekjen e kësaj pjese trupore asaj (sipas gazetës) ia vërtetoi një mjek ligjor.

E thënë thjesht, ajo vajzë dhe familja e saj pa dyshim kërkonin të dinin nëse një pjesë krejtësisht modeste e biologjisë së saj ishte prekur ose jo! Për të vërtetuar këtë gjë, asaj iu desh që pjesën më intime të trupit të saj t’ia ofronte për kontroll një mjeku ligjor.

E thënë troç, e gjithë kjo ngjarje e rëndë tregon se formimit të caktuar të një pjese të shoqërisë sonë, në këtë rast asaj familjeje dhe vajzës së tyre, u duhej që kur të vinte çasti i një martese të mundshme, vajza të kishte hemorragjinë e nevojshme.

Pra, ajo dhe shumë prej këtyre vajzave lejojnë të bëhet çdo gjë me trupin e tyre (kjo edhe për kënaqësinë e tyre të natyrshme), por kurrsesi të humbin virgjërinë, të cilën e ruajnë me fanatizëm për burrin e ardhshëm!

“Burrnesha” të tillë që, jo me vullnetin e tyre e marrin këtë status social-shpirtëror, ka shumë shoqëria jonë, por pakkush trajton botën e tyre komplekse e cila herë pas here ballafaqohet me drama të rënda psiko-sociale…

Ngjarje të tilla janë përgjegjësi e të gjithëve…

Falsitet apo i drejtë ky realitet mbizotëron në mjaft pjesë periferike të shoqërisë si nga pikëpamja urbanistike, ashtu edhe kulturore. Kjo ndodh ndërsa në metropole pa dyshim që realiteti është krejt i kundërt me të, ndoshta i tepruar nga e njëjta pikëpamje psiko-kulturore.

Por dallimi midis të kundërtave pa dyshim bëhet dramatik për adoleshencën e njërës palë, e cila rrezikon të burrnizohet pa vullnet individual dhe nën presionin e vazhdueshëm shoqëror mbizotërues të provincës!

Këtu roli i mass medias si mjet më divulgativ është shumë i nevojshëm! Kjo është edhe detyrë parimore e këtyre instrumenteve publike siç janë televizionet dhe radiot. Nëse arrijmë të paragjykojmë një grua që respekton feminilitetin edhe pse drejton një institucion të caktuar publik, pa dyshim që nuk mund ta arrijmë ta realizojmë këtë detyrim moral dhe kulturor.

Për fat të keq, kështu arrihet në nivelin e asaj pjese periferike të shoqërisë e cila respekton virgjërinë seksuale, duke injoruar virgjërinë shpirtërore dhe intelektuale! Kjo ngjason me mendimin e dikurshëm që femrën e donim njësoj si meshkujt: të punonte me tri turne, të rrinte me kostum doku burrash të llojit kinez, te merrte detyrën dhe të mohonte të gjitha nevojat dhe dëshirat personale natyrale prej gruaje dhe të mendonte vetëm për partinë, popullin heroik dhe punëtor…!

Share: