Home KRYESORE Kurti takon Thaçin por nuk merr mandatin për qeverinë: Pres LDK-në

Kurti takon Thaçin por nuk merr mandatin për qeverinë: Pres LDK-në

Unë dua sa më parë të takohem me LDK, që të fillojmë fazën e re të bisedimeve në mënyrë që të konkludojmë një koalicion. Për mua takim duhet të kishim, qysh dje, qysh sot. Unë përherë kam pritur dhe kam insistuar për takime sa më të shpeshta. Uroj dhe dëshiroj që kjo të ndodh sa më shpejtë”.

Ishte kjo deklarata e Albin Kurtit për LDK-në, pas takimit që pati me Presidentin Hashim Thaçi këtë të hënë.  Takimi i sotëm me Presidentin nuk ishte për të marrë mandatin për formimin e qeverisë, sipas Kurtit, por ishte një takim i shkurtër “konsultativ pa efekte juridike”.

Ai kërkoi që ne ta bëjmë propozimin dhe këtë është e nevojshme që ta bëjmë me anë të një kërkese me shkrim. Sa më parë që të mundemi do t’ia sjellim propozimin tonë për kryeministrin e ardhshëm që ai duhet ta mandatojë”, ka thënë Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes edhe njëherë theksoi se është mirë për vendin të ketë një koalicion me LDK-në duke e lënë si opsion të fundit zgjedhjet e reja.  Gjatë ditës sot Kurti publikoi emrat e të përzgjedhurve të tij për ministra nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Për zëvendëskryeministër të dytë të Qeverisë, Haki Abazi, për ministre të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, profesor Blerim Reka, për ministër të Financave dhe Transfereve, profesor Besnik Bislimi, për ministre të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, dhe për ministre të Shëndetësisë dhe Sportit, Arben Vitia”, njoftoi Kurti.

Të dyja këto subjekte politike, LVV dhe LDK, që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit kanë punuar për harmonizimin e një programi qeverisës dhe kanë thënë se në parim janë marrë vesh edhe për ndarjen e dikastereve qeverisëse.

Megjithatë, ato nuk kanë mundur të arrijnë marrëveshje për koalicion qeverisës. Më 26 dhjetor është konstituuar përbërja e re e Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i Kuvendit është zgjedhur Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ky veprim, sipas zyrtarëve të LDK-së, e ka kthyer situatën në pikën zero për sa i përket një marrëveshjeje për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që pjesë e marrëveshjes për koalicion ishte planifikuar të ishte edhe pozita e kryetarit të Kuvendit./ Opinion.al

Share: