Home KRYESORE Nga cikli “As për mua as për ty”

Nga cikli “As për mua as për ty”

Nga Çapajev Gjokutaj

Thuaji Qaniut, më shkruan një ish studente, që lajthit rendë kur u qan hallin të rinjve se lexojnë pak letërsi.

Vërtet lexojmë më pak, por edhe bukë hamë shumë më pak se sa keni ngrënë ju kur ishit të rinj. Jo se nuk ushqehemi, por e kemi tavolinën plot e mund të ngjërojmë pak e nga të gjitha.

Kështu ndodh edhe me ushqimin shpirtror. Provojmë shumë gjellë, pa lëvizur nga divani. Edhe libra, edhe filma, edhe drama e tragjedi, edhe video me muzikën më të mirë, të sotme e të djeshme, edhe muzetë më të famshëm të arteve figurative, edhe…

Gjyshja më tregon se, në fëmininë e saj botimet me ngjyra ishin ëndërr. Ndaj shpesh adhuronte kokën e Deas, riprodhuar në letër amballazhi të paketës së cigareve.

Nuk po flas për informacionin, vazhdon ish studentja. Ju e merrnit me pikatore, si të ishte ilaç, ne notojmë në të. Interneti ofron kaq shumë informacion, sa problem kemi përzgjedhjen.

Po ta shohësh më thellë, Qaniu nuk ka dhe shumë faj, përfundon ish studentja. Në çdo kohë, brezi i vjetër u ka qarë hallin të rinjve se ‘kjo botë po prishet’. Në fakt është iluzion. Një pjesë të rrënjëve i ka në psikologjinë e moshës së tretë.

Të moshuarit e sotmja i mundon me lloj lloj dhimbjesh, e nesërmja i tromaks. Jo aq me vdekjen, sa me pasigurinë: në ç’shkallë do degradojnë. Këto pakënaqësi e frikëra janë shumë, ndaj për t’i zbutur sadokudo, një pjesë e nxjerrin jashtë vetes dhe me imagjinatë ia veshin kujt mundin, edhe brezit të ri.

Dhe nisin e i qajnë hallin. Në fakt s’bëjnë gjë tjetër veçse qajnë hallet e tyre ose më saktë qetësojnë ankthet e frikërat vetiake.

Kështu më shkruan ish studentja dhe për ca gjëra më ngjan se ka të drejtë, për të tjera jo. Gjithsesi mesazhi i saj më tingëllon pak cinik. Po mbase jam në konflikt interesi🤠

Share: