ARTUR NURA, gazeta Standard, 18/09/2008 |
Papa Ratzinger i Vatikanit ndërsa ishte në vizitë zyrtare në Francë dhe në një meshë të madhe, u bëri thirrje besimtarëve katolikë të hiqnin dorë nga materializmi. Ky apel publik më se i drejtë, më shumë se katolikëve që ndiqnin meshën, u përkiste të tjerëve që mund ta dëgjonin këtë apel nëpërmjet edicioneve të ndryshme të lajmeve dhe ndërsa lexonin shtypin. Shumë prej këtyre të fundit protestuan rrugëve të Francës kundër politikave konservatore të Vatikanit ndaj planifikimit familiar dhe përdorimit të kondomëve. Ata argumentonin se nevoja e një planifikimi familiar dhe kontrollit të lindjeve të padëshirueshme, përveç të tjerash, lufton edhe varfërinë dhe krijon një ekuilibër social më të shëndetshëm të familjes dhe shoqërisë. Në fakt, po në Francë Papa Ratzinger në ato mesha që realizoi atje, u bëri thirrje edhe më të pasurve që të ndihmojnë më të varfrit dhe kjo, sipas tij, për të pasur një botë më të mirë, më humane për të gjithë dhe për të ruajtur dimensione të domosdoshme për shoqërinë! Pak a shumë, ndoshta për ironi të asaj të cilën nuk e kuptojmë si duhet, po në të njëjtat ditë në Indonezi, një vend me shumicë myslimane, vdesin më shumë se 21 persona vetëm sepse shtyheshin për të marrë një ndihmë prej 3 deri 4 dollarë nga të pasurit të cilët gjatë periudhës së muajit të madhërueshëm të Ramazanit duhet të ndihmonin njerëzit më në nevojë, pra të varfrit. Është e qartë se thirrjet e institucioneve të kultit pavarësisht nëse kristiane apo myslimane, pavarësisht nëse në Azi apo Evropë, ato janë në sinkron me nevojat e shoqërisë të cilat janë përgjithësisht të pandryshueshme në thelbin e tyre. Një dimension i tillë njerëzor pa dyshim që tregon se bota sado e madhe duket, po në të njëjtën kohë është edhe e vogël. Gjithashtu, sa e bashkuar është në nevoja sociale, humane dhe kulturore është edhe e ndarë në zona besimesh fetare dhe bindjesh që në fund të fundit presupozojnë arritjen sa më pranë përsosmërisë, Zotit apo Fuqisë së Mbinatyrshme. Për fat të keq, kjo ndarje e botës në besimet kristiane dhe myslimane është nënvijëzuar më shumë se kurrë pas 11 shtatorit të tmerrshëm kur dy kulla simbol të SHBA-ve u shembën duke ndikuar kështu drejtpërsëdrejti në të gjitha zhvillimet socio-politike globale. Një ngjarje e tillë pa dyshim që ishte dhe është politike, por në të u përfshinë individë të cilët pa dyshim ishin të indoktrinuar, manipuluar dhe përdorur në emër të një bindje të madhe… A duhet reflektuar? Personalisht, gjykoj se besimi te një fuqi e mbinatyrshme dhe fetë gjithashtu e ndihmon shoqërinë njerëzore të ruajë disa kufij të lejueshëm të cilët mbajnë ekuilibra të domosdoshëm për individin. Por, po ashtu besoj se institucionet e kultit të cilat praktikisht janë zëdhënësit teorikë të këtij instrumenti të rëndësishëm midis tokës dhe qiellit, njeriut dhe shoqërisë, të njohurës dhe të panjohurës, duhet që të evoluojnë në komunikimin me njerëzit dhe me shoqërinë. Përndryshe, sigurisht që situata do të precipitojë akoma më keq dhe rënia e numrit të praktikantëve nuk do të jetë më modeste, e klerikëve gjithashtu, dobësimi i vetë besimit do të rrezikonte dhe sigurisht shoqëria do të bëhej më materialiste, ndoshta do të prishte ekuilibra më të rëndësishëm se kaq. Modestisht, besoj se nuk mund të vazhdohet akoma me të njëjtat metoda të shekujve të kaluar në komunikimin e institucioneve të kultit dhe një shoqërie në evolucion të vazhduar dhe të pamenduar më parë. Është thelbësore të kuptohet se ashtu siç predikohet nga institucionet e kultit, duhen dëgjuar edhe ata të cilëve u predikohet. Besoj se edhe priftërinjtë apo hoxhallarët nuk janë ata të shekujve të kaluar, ndaj duhet konsideruar pa dyshim fakti që shoqëria njerëzore ka bërë hapa gjigandë. Një sugjerim modest dhe dashamirës… Parimisht, besoj se nuk mund të predikohet antiplanifikimi familjar dhe njëkohësisht të predikosh antivarfërinë, kur tashmë është e vërtetuar se kjo e fundit dominon vendet ku kjo kulturë e veçantë shkencore mungon! Besoj po ashtu se vendet me shumicë myslimane ku varfëria dominon shumicën e shoqërive përkatëse, do të duhej të mendohej për një lloj laicizmi të përshtatur sipas nevojave, kulturave dhe mundësive të tyre. Një nga nevojat më të rëndësishme do të ishte gjithashtu edhe komunikimi midis feve ku në të shkuarën një rol domethënës ka pasur Papa Vojtila dhe sigurisht që duhet ta vazhdojë këtë rrugë pasardhësi i tij, Ratzinger. Besoj apriori që nëse Papa Ratzinger do të vazhdonte rrugën e nisur nga paraardhësi i tij, Papa Vojtila, pa dyshim që bota sot do të vazhdonte një rrugë më të mirë dhe shoqëria njerëzore do të kishte një ekuilibër më afër së mirës njerëzore dhe padyshim asaj hyjnore. Ndoshta njerëzimi do ta cilësonte hyjnore këtë rrugë e cila pa dyshim do t’i afronte më shumë mirësi, ekuilibër, mirëkuptim dhe pse jo më shumë demokraci fetare dhe socio-politike e cila do të jepte më pak mundësi për individë të indoktrinuar, manipuluar që marrin jetë njerëzish në emër të vet Zotit, siç ata besojnë… |