Home KRYESORE Përfundon mbledhja e parë e Këshillit Politik, ja çfarë u diskutua

Përfundon mbledhja e parë e Këshillit Politik, ja çfarë u diskutua

Ka përfunduar mbledhja e parë e Këshillit politik për Reformën Zgjedhore. Ky organizëm u dakordësua në marrëveshjen mes partive politike 2 ditë më parë.

Mbledhja e sotme u drejtua nga dy bashkëkryetarët e Komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste kishte si përfaqësues deputetin Ervin Bushati, grupi Parlamentar Demokrat, Alban Zenelin, i cili zëvendësoi Myslim Murrizin dhe grupi parlamentar i pavarur nga Nimet Musai.

Opozita e bashkuar kishte 5 përfaqësues në këtë këshill, Oerd Bylykbashi nga PD, Petrit Vasili nga LSI, Mesila Doda nga PDIU, Fatmir Mediu nga PR dhe Vangjel Dule, PBDNJ.

Në përfundim të mbledhjes, deputetja Hajdari theksoi se e rëndësishme nga ky proces është që të kemi një produkt të dakordësuar nga të gjitha palët dhe shtoi se ndryshimi i sistemit është një propozim që është ende në diskutim

U diskutua fakti se roli jonë është kyc në këtë tryezë tregon se ne do japim kontributin tonë. Si bashkëkryetar ne kemi një fuqi prevaluese  veto në produktin final. Ajo që është e rëndësishme për ne është se produkti final duhet të jetë sa më gjithëpërfshirës. Për ne është e rëndësishme një konsesus. Edhe ndryshimi i sistemit është përmendur edhe nga palët e tjera. Ne duhet të kemi një produkt të dakordësuar nga të gjitha palët. Shqiptarët duhet të zgjedhin ata njerëz që duan. Unë mendoj se hapja e listave do ishte shumë pozitive për zgjedhjet e ardhshme. Takimi ishte i sukesshëm. Ne do takohemi, ndoshta edhe përdite sepse duhet punë intensive dhe transparente. Është e vështirë për t’iu shmangur detyrave politike“, tha Hajdari.

Ndërsa përfaqësuesi i PD, Oerd Bylykbashi tha se ekspertët tashmë duhet të punojnë shpejtë për hartimin e draftit dhe theksoi se prioritetet kryesore të Reformës Zgjedhore janë lufta kundër shit blerjes së votave, abuzimi me listat, përdorimi i policisë.

Këshilli i autorizoi ekspertët që të operojnë me konsensus deri në momentin e miratimit dhe ajo që bëmë të ditur, qëndrimi i opozitës do të bëhet publik, kryesore është prioriteti i çështjeve, sipas OSBE; lufta kundër shit blerjes së votave, abuzimi me listat, përdorimi i policisë, por edhe çështjet e tjera pa asnjë përjashtim duke pasur parasysh arritjen e standardeve të OSBE-së. Ekspertët të ecin shpejt për hartimin e reformës” tha ai.

Bashkë-kryetari i komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri deklaroi për mediat se roli për këtë reformë i mbetet përfaqësuesve politik ndërsa nuk përjashtoi se objekt të tavolinës edhe çështjen e sistemit zgjedhor.

Kjo është një tavolinë formale, roli u mbetet përfaqësuesve politikë. Prioritet për këtë grup pune është objekti i punës së komisionit, çështjet e administrimit zgjedhor, pse jo edhe të sistemit. E rëndësishme është që të  fokusohemi. PD-ja ka bërë një kthesë të madhe nga qëndrime te saj ekstremiste dhe unë jam shumë i lumtur, që PD-PS dhe të tjerat u ulën për kompromis” tha ai. /Opinion.al

Share: