Home Gjeo-Ekonomia Piktori nuk do ta bëjë Shqipërinë shtet, por Serbinë me det?!

Piktori nuk do ta bëjë Shqipërinë shtet, por Serbinë me det?!

Nga Kim Mehmeti

Piktorit të ‘Rilindjes’ mundet shumëçka t’i mohohet, por jo e vërteta se si rrallëkush e dinë sa shpifje e gënjeshtra publikohen nëpër mediat shqiptare. E si mundet këtë të mos e dijë kryegënjeshtari, ai që vend pune i ka studiot televizive, nga kryesisht shpërndan lëvdata për vetveten e vjellë gënjeshtra, përbuzje e urrejtje për kundërshtarët e vet politik. Ai që thellë ne vetvete beson se një Shqipërie të vogël i bëjnë mirë dhe i mjaftojnë gënjeshtarët e ‘Rilindjes’, me të në krye.

Si rrallëkush tjetër, Kryeministri i Shqipërisë e ndjenë kundërmimën dhe erën e keqe të ‘kazanit’ mediatik, sepse ai vet është gatesë e tij dhe i dalë nga ky kazan përplot me ‘llome’. Pastaj Piktori më së miri e njehë edhe dyfytyrësinë e gazetarëve, që të propozojnë t’i grumbullosh rreth vetes të gjitha ‘qelbësirat’ për ta mposhtur ‘doktorin’, e pastaj pyesin pse qelbet Shqipëria dhe bëhen se nuk e dinë pse kalbet shteti.

Mbase askush me mirë se Piktori nuk e dinë se ligji i tij ‘Kundër Shpifjes’ kurrë nuk do jetësohet dhe se nuk vlen as pesë lek, por ai atë ua dedikon gazetarëve frikacak e zhurmaxhinj. Si dhe të ngjashmëve me ata që i ka përreth vetes, të cilët janë ‘profesionistë’ e të sigurt në vetveten vetëm kur kanë mbështetjen e të pushtetshmit, të pasurit e të fortit. Pra me këtë ligj ai donë edhe më bindshëm t’i përbuzë publikisht gazetarët e ‘Rilindjes’, ata që paturpshëm e mbrojnë ligjin kundër vetvetes, që të shqyejnë kur ua kritikon Piktorin, por janë mirëkuptues dhe mendjehapur kur shanë çdo gjë shqiptare. Gazetarë që interes më të lartë profesionalë e kombëtarë kanë mbrojtën e xhiro llogarisë personale ku i ruajnë miliona eurot e fituar me pakurrizorërinë e vet.

Piktori si rrallë dikush tjetër e ka kuptuar se kur je burrështetas i paaftë për të ndërtuar shtet, atëherë prodho sa me shumë zhurmë dhe tollovi, sepse vetëm ashtu mund ta mbulosh se je e keqja e vendit. Andaj ligji ‘Kundër Shpifjes’, për Kryeministrin e Shqipërisë ka vlerë vetëm aq sa do nxitë debate televizive dhe zhurmë mediatike. Zhurmë që do e bëjë të padëgjueshme kujën e atyre që humbën të afërmit e vet nga tërmeti, vajin e familjarëve të mbetur pa shtëpi dhe dënesën e prindërve që i përcjellin fëmijët e tyre në kurbet.

Po, Piktori është nga të rrallët që ka të drejtë t’i urrejë gazetaret, sepse disa nga ata e gënjyen se është vlerë kombëtare, edhe pse e dinin se ky popull nuk e meriton të drejtohet nga një njeri i frustruar si ai. Pra Kryeministri i Shqipërisë, si rrallëkush e dinë të vërtetën se media posedon forcë që edhe një lopë ta ngre në rrafshin e vlerës kombëtarë, e le më një piktor të dështuar që ka guxim të del në plazh me prapanicën cullak, prandaj edhe donë të jetë ‘kryeredaktor’ i vetëm i tyre.

Pastaj, duke qenë në pushtet plotë njëzet vite, Piktori si rrallëkush kishte mundësi ta shihte se gazetarët pakurrizorë, e jo ata të dinjitetshmit e të përgjegjshmit, prodhojnë e mirëmbajnë diktatorë e regjime. Ta kuptojë pra se vetëm me ndihmën e atij lloje gazetarësh mund të mbijetojnë edhe burrështetasit si ai.

Dhe rrallëkush si Piktori e ka kuptuar se kur je burrështetas i dështuar, atëherë bënë çmos që mediat të merren me ty, e jo me shtetin që drejton. Sepse vetëm ashtu mund ta mbulosh se vendin e ke shndërruar në shkretëtirë dhe ta fshehësh të vërtetën se shteti është në duart e vëllazërisë politiko-kriminele.

Por sidoqoftë, Kryeministri i Shqipërisë mbetet i përkushtuar në realizimin e projektit serb për ‘Mini Shengenin’ ballkanik edhe pa pjesëmarrjen e Kosovës. Pra, ai vazhdon të takohet me presidentin e Serbisë edhe pse mysafiri i tij nga Beogradit nuk e konsideron krim vrasjen e shqiptarëve. Pastaj ecë e mos thuaj se ndoshta Piktori edhe nuk ka obligim tjetër përpos Beogradin ta bëjë kryeqendër të Ballkanit. Dhe ecë e mos dysho se mbase ai edhe nuk e ka hallin si ta bëjë Shqipërinë shtet, por si ta bëj Serbinë me det e me Durrës!/ https://kosovapost.net/

Share: