Home KRYESORE Raporti i Qeverisë konstaton probleme sigurie tek koncesionari i Rinasit

Raporti i Qeverisë konstaton probleme sigurie tek koncesionari i Rinasit

Sistemi i sigurisë në aeroportin e Rinasit vijon të jetë problematik sipas një raporti monitorimi të Ministrisë së Financave.

Nga testimet e bëra rezulton se konçesionari i aeroportit ka përmbushur vetëm 60% të kontratës lidhur me implementimin e sistemit të sigurisë. Kjo pasqyrohet në raportin e datës 24 dhjetor 2019 të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave në bashkëpunim me Autoritetin e Aviacionit Civil.

Për riskun e operimit dhe performancës, ka rezultuar mosimplementim i plotë i sistemit të menaxhimit të sigurisë nga TIA i operimit të aeroportit. Zbatimi i standardeve të sigurisë së aviacionit është konsideruar me risk të mesëm. Aviacioni Civil ka kërkuar nga koncesionari, marrjen e veprimeve korrigjuese dhe është në monitorim të vazhdueshëm të adresimit të gjetjeve lidhur me sigurinë në aviacion”.

Ndërkohë vijojnë negociatat me kompaninë konçesionare kineze të regjistruar në Singapor Real Fortress Limited, përsa i përket disbalancës ekonomike. Një vit më parë, ajo rezulton se ka realizuar 120 milion euro më shumë të ardhura se sa parashikimi në kontratë sipas konstatimit të kompanisë BDO e cila është kontraktuar për të monitoruar të ardhurat e konçesionarit.

Megjithatë, një vit nga nisja e këtyre negociatave, ende nuk është finalizuar gjë, ndërsa diskutimet janë duke u përqendruar në mundësinë e rritjes së cilësisë së shërbimit për ata që udhëtojnë. /Opinion.al

Share: