Home KRYESORE Të gjitha prapaskenat e konfliktit Veliaj-Ndroqi

Të gjitha prapaskenat e konfliktit Veliaj-Ndroqi

Nga Politiko.al

Prej javësh marrdhëniet mes kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj dhe pronarit të Ora TV, Ylli Ndroqi janë tendosur duke shkuar deri në kërcënime. Burime të Politiko.al thonë se raportet mes tyre kanë qenë jo të lehta, dhe ato përmirësoheshin dhe keqësoheshin duke ndjekur një kurbë që lidhej me pasyrimin në ekranin e Ora News të aktiviteteve të Bashkisë.

Të njëjtat burime pohojnë se kryebashkiaku nuk ishte i kënaqur me mbulimin mediatik që merrte nga Ora TV dhe këtë ia ka shprehur pronarit të TV me telefonata apo mesazhe. Burime në Bashkinë e Tiranës, që nuk duan të identifikohen, thonë se pronari i Orës e shtonte kriticizmin ndaj Bashkisë nëse Veliaj nuk i ‘akordonte’ favoret e kërkuara, ndërsa burime pranë pronarit të Televizionit theksojnë të kundërtën, se kryebashkiaku acarohej kur kronikat e lajmeve ishin të pafavorshme.

Raporti mes pronarit të Oras dhe kryebashkiakut ka arritur pikun e konfliktit kur Ora TV ka njoftuar kontraktimin e një firmë daneze e cila do të sjellë në Shqipëri një pajisje smart, me emrin Dynatest, që kontrollon cilësinë e rrugëve. Në kronikat e Orës është lajmëruar kjo nismë e televizonit duke sqaruar se qëllimi është kontrolli i të gjitha rrugëve të Tiranës, me qëllim identifikimin e cilësisë dhe shkeljeve të mundshme nga ndërtuesit dhe institucionet.

Nismën e ka mbështetur edhe Spartak Ngjelanë një bisedë në studion e Ora TV, por edhe blogeri Genc Sejko në Facebook.

Kundërsulmi ka ardhur përmes gazëtes ‘Dita’, që konsiderohet e afërt ‘editorialisht’ me Veliajn, e cila botoi një shkrim ku i referohej ‘burimeve diplomatike’, sipas të cilave një pronari televizoni në Tiranë i është refuzuar viza amerikane. Burime të afërta me stafin e ‘Ditës’ thanë se porosia ka ardhur nga ‘Sheshi Skënderbej”.

Një gazetar i Ora News i është referuar konfliktit mes bosit të tij dhe kryetarit të Bashkisë në disa postime në Facebook duke përmendur togfjalëshin ‘çunat e rrugës së Elbasanit’. Burime të Politiko thonë se ky ka qenë nënteksti i një shkëmbimi mes Veliajt dhe Ndroqit, ku kryetari i Bashkisë me ‘çunat e rrugës së Elbasanit’ ka patur parasysh Ambasadën Amerikane. Pak ditë më vonë gazeta Dita botoi lajmin e shpalljes ‘non grata’ të një pronari televizioni, duke ‘e zgjatur kërënimin’ me ‘në vijim publiku do të informohet në detaje mbi rastin’.

Mediat e tjera nuk e kanë ‘shumëfishuar’ ‘lajmin, edhe për faktin se sulmi ishte indirekt, përjashto gazetën ‘Tema’ të Mero Bazes, e cila më vonë e ka hequr lajmin nga faqja.

Një njohës i medias dhe i politikës në Shqipëri i tha Politiko se kjo është një taktikë e njohur në raportet mes pronarëve të medias dhe politikanëve: kritikat shtohen kur refuzohen favoret, dhe zerohen kur ato përmbushen.

Veliaj është kritikuar vazhdimisht si ‘firaun’ i hapësirës mediatike duke shpërndarë favore dhe akses në fonde për mediat tradicionale apo të reja. Një perceptim i ngjashëm ekziston edhe për pronarët e medias, të cilët e shmangin misionin që ka gazetaria në këmbim të përfitimeve financiare që u rrjedhin nga politika./politiko.al

Share: