Home KRYESORE 11 shkurt tek Teatri Kombëtar – Zanorja “o” është fjalëkalimi!

11 shkurt tek Teatri Kombëtar – Zanorja “o” është fjalëkalimi!

Gjithkush, që ka lindur e është rritur në Tiranë, e njeh fort mirë peshën emocionale, që mbart zanorja “o” në emrin e kryeqytetit.

Duket se në dialogjet mes njerëzve, kjo zanore shërben si një fjalëkalim, për të hapur disa sirtarë të shpirtit e të mendjes, që për fat të keq janë mbyllur prej kohësh.

Teksa dikush të thotë ” Tirona”, një pjesë e jotja zgjohet dhe rishfaqet kujtesa emocionale në raport me këtë qytet.

Përdorimi i zanores ” o”, në emrin e kryeqytetit nga bashkëbiseduesi, të bën të besosh, se ai e njeh këndin e lojrave, atje tek Rruga e Elbasanit.

Medoemos ka hyrë të luajë tek këndi i pasqyrave dhe është përplasur si mos më keq. Tek e fundit të gjithë përplaseshim atje. Tashmë ai kënd lojrash i përket veçse të shkuarës.

Medoemos ka hyrë në kinematë e qytetit dhe është ulur në ndenjëset prej druri dhe i është dashur fillimisht të dëgjojë propagandën e Partisë, e mandej të shohë filmin. E këto kinema, tanimë i përkasin veçse të shkuarës.

Medoemos, ka qenë në stadium për të parë ndeshjen Tirona- Partizoni dhe teksa kjo e para ka humbur, nuk i ka dalë e keqja për një kohë të gjatë. Tashmë, nga ai stadium, ka mbetur veçse një skelet i hapur, që i ngjan eshtrave të mbetura mbi dhè.

Medoemos, ka qenë në Teatër. Është ulur në atë sallë të lartë e plot dinjitet për shumë vite dhe ka shijuar rolet të ndryshme, jetë të ndryshme dhe fate të ndryshme të vëna në skenë nga artistët.

Teatri është ende atje. Nuk i përket të shkuarës, por të tashmes. Teatri është zanorja “o” tek Tirona.

Nga Tirona, për Tironën, me Tironën kurdo dhe kudo!

Post Scriptum- Mirënjohje Mirela Bogdani Pellumb Vorpsi

Share: