Home KRYESORE Armë dhe mijëra euro, çfarë deklaroi Vladimir Gjuta pas ndalimit nga Garda

Armë dhe mijëra euro, çfarë deklaroi Vladimir Gjuta pas ndalimit nga Garda

Vladimir Gjuta, i cili është liruar vetëm para 5 ditëve nga burgu është shoqëruar sot sërish në polici. Sipas informacioneve, Vladimir Gjuta ndodhej pranë selisë së Partisë Socialiste, ku po zhvillohej mbledhja e Kryesisë, ndërkohë që është ndaluar nga forcat e gardës.

Gjuta ka tentuar të futet me forcë në selinë rozë, në momentin që brenda ka qenë kryeministri Edi Rama. Qytetarët që kanë parë ngjarjen, kanë thënë se Gjuta ka qenë i armatosur, në momentin që ka tentuar të hyjë në selinë e PS, por deri më tani, ky informacion nuk është konfirmuar nga policia. Sipas të dhënave, Vladimir Gjuta ka pasur me vete pëveç armës dhe 120.000 euro.

Pas ndalimit, Gjuta ka thënë se ndodhej në zonë për një transaksion financiar dhe se për këtë arsye ishte i armatosur.

“E mbaja pistoletën pasi do të ktheja në lekë shumën e eurove”- ka deklaruar Gjuta.

Vladimir Gjuta u lirua nga paraburgimi 5 ditë më parë, pasi u arrestuar për plagosje ndaj kushëririt të tij. 40-vjeçari përfundoi në pranga më 4 janar të këtij viti, pasi kishte rrahur me çekiç duke i thyer dhëmbët kushëririt të tij. Më herët Gjykata e Tiranës, dha për Gjutën vendimin për mjekim të detyruar në psikiatri. Ndërsa së fundmi ai u la në detyrim paraqitje.

Gjuta nuk është i panjohur për drejtësinë shqiptare dhe policinë. Kohë më parë, ai ka kanosur edhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për të cilin dyshohet se është autori i vendosjes së lëndës plasëse në farmacinë e babait të tij, Bashkim Tahirit./ Opinion.al

Share: