Home KRYESORE Dhuna seksuale, Vasfije Krasniqi: Nuk i harroj dot fytyrat e dhunuesve të...

Dhuna seksuale, Vasfije Krasniqi: Nuk i harroj dot fytyrat e dhunuesve të mi, Kosova dështoi me mbrojt viktimat

Nga afm 

“Nuk i harroj dot fytyrat e dhunuesve të mi”. Janë këto fjalët e Vasfije Krasniqit e cila me lot në sy tregoi për emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, momentet e tmerrshme të përdhunimit të saj nga focat serbe gjatë luftës në Kosovë. Krasniqi, një ndër gratë e para që mori guximin të flasë publikisht për dhunën seksuale gjatë asaj lufte, u shpreh se ende sot ndjen dhimbje sa herë që kujton atë ngjarje.

“Nuk është diçka që harrohet. As fytyrat e tyre nuk i harroj dot. Njëri prej dhunuesve ka qënë polic në Kosovë deri në 2017-ën. Ka qënë me të vërtetë shumë e vështirë dhe as sot nuk e kam të lehtë me fol për rastin që ndodhi. Është një rast i vështirë dhe më dhemb zemra sa herë që flas. Por duhet të tregohet”

Vasfije Krasniqi ishte vetëm 16 vjeç, atë natë të 14 prillit të vitit 1999 kur dy policë serbë mësynë në shtëpinë e saj.

“Ata kërkuan babën dhe vllezërit por ata nuk ishin. Ishim të gjitha gra dhe vajza, me nanën e gruan e axhes. Pasi pa dokumentin tim tha që unë duhet të shkoja me ta në polici për një deklaratë se ku ndodhen baba dhe vëllezërit. Unë bëra rezistencë dhe rroka nanën, por ata më tërhoqën me forcë. Me kapën prej flokësh e më futi në makinë por nuk shkoi në një stacion të policisë, por në një fshat serbësh ku ushtruan dhunë ndaj meje”.

Sipas Komisionit Shtetëror për Verifikimin e Viktimave të Dhunës Seksuale janë 700 gra të cilat janë dhunuar gjatë luftës në Kosovë. Por Krasniqi tha se numri i tyre i vërtetë është shumë më i madh.

“Numri i vajzave dhe grave të dhunuara seksualisht gjatë luftës është shumë më i madh se ai që raportojnë institucionet, besojmë se është rreth 20 mijë në total. Ka shumë gra që më kanë kontaktuar dhe janë të gatshme me rrëfy atë që u ka ndodh por druhen nga shoqëria dhe familja se çfarë do të mendojnë”.

Edhe pse e vendosur ti shkojë deri në fund për të vënë drejtësinë në vend, Krasniqi u shpreh e zhgënjyer me shtetin e Kosovës.

“Kemi ndjenja të mërzisë në këtë përvjetor të pavarësisë. Për atë që kemi shpresuar, ka qënë një ëndërr krejt ndryshe siç e kemi imagjinu ne Kosovën të lirë. Është derdh shumë gjak për të. Rastin tim e kanë dit familjarë dhe shoqëria. Por kur dështoi drejtësia, kur kuptova që Kosova si shtet nuk është tub o kurrgjo për viktimat, mora guximin për me tregu se çfarë më ka ndodh”.

bitchmagazine.al

Share: