Një operacion i sinkronizuar i forcave të rendit në Belgjikë, Spanjë, Holandë, Gjermani dhe Francë, i dha një goditje të fuqishme një rrjeti shqipfolës të krimit të organizuar.
25 vetë kanë përfunduar në pranga prej blicit ku u angazhuan 600 punonjës policie. Goditja ndërkufitare është rezultat i një hetimi kompleks, njoftoi Policia e landit të Saksoni-Anhaltit.
Sipas këtij njoftimi hetimet janë zhvilluar që nga viti 2017 nga policia lokale belge në Anvers në bashkëpunim me Policinë Federale belge, Gardën Civile spanjolle dhe policinë holandeze.
Të dyshuarit mendohet, se janë pjesë e një tregtie të gjerë të drogës mes Amerikës së Jugut dhe Europës përmes anijeve të kontejerëve. Drogat janë futur kontrabande nëpër kontejerë dhe janë shpërndarë në mbarë Europën me automjete të pajisura me rafte të fshehura në mënyrë të rafinuar.
I njëjti grup dyshohet se ka menaxhuar edhe plantacione kanabisi në Spanjë dhe në Gjermani, ku e kultivon dhe e përhapnin kanabisin, përpara se ta shpërndanin atë për shitjet e mëtejshme në vende të tjera eurpoiane, thuhet ndër të tjera në komunikimin për mediat të landit të Policisë së Saksoni Anhaltit.
Gjatë arrestimeve janë kontrolluar 30 objekte, gjashtë plantacione kanabisi, 60.000 Euro, mjete të shumta komunikimi si dhe armë e municione. Operacioni është mbështetur nga Europoli.
Top Channel