Home Gjeo-Ekonomia Konferenca e Donatorëve, Presidentja e KE: Marrëveshje për transparencë

Konferenca e Donatorëve, Presidentja e KE: Marrëveshje për transparencë

Pas përfundimit të Konferencës së Donatorëve, kryeministri i vendit Edi Rama ka mbajtur një konferencë për mediat së bashku me Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.

Presidentja e Komisionit Europian gjatë fjalës së saj u ndal dhe në transparencën e investimit të shumës prej 1.15 miliardë euro. Ajo tha se në të ardhmen do të nënshkruhet një marrëveshje ku do të përcaktohen parimet e transparencës së llogaridhënies.

Kemi rënë dakord të kemi një marrëveshje, ku do të përcaktojmë parimet e transparencës së llogaridhënies. Duam që kjo shenjë e jashtëzakonshme solidariteti me popullin shqiptar të investohet në mënyrën e duhur, transparente, llogaridhënëse dhe për këtë jemi të gatshëm të dërgojmë ekspertët tanë, për ta zbatuar në mënyrën e duhur. Marrëveshjen do ta nënshkruajmë së bashku me Ramën”,-tha Presidentja e KE.

Pas kësaj, Rama tha; “Bixhozi është ndaluar në Shqipëri, por pashë shumë njerëz sot që vinin baste. Dëgjova njerëz që vinin baste, se do të ishte gjithçka katastrofë, por e humbën bastin. Mos vini bast, kur bëhet fjalë për mua, qeverinë time dhe marrëdhënien tonë me botën. Pasi thanë se kjo do të ishte një katastrofë, kur kontributet po rriteshin, thanë se nuk mund t’i menaxhojmë, por ne do t’i menaxhojmë siç duhet. Ndaj ju them mos të shqetësoheni.”

Ndërkohë, Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen u pyet dhe në lidhje me procesin e hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Ursula von der Leyen tha se ka ardhur koha që të filloj hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

 “Ka ardhur koha që ne të fillojmë të hapim bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë. Ne iu kemi kërkuar shumë gjëra dhe ata i bënë të gjitha. Tani na takon ne të jemi një partner i besueshëm dhe të punojmë për qëllimin”,-tha Presidentja e KE./ Opinion.al

Share: