Një lojë e pakuptimtë nga publiku dhe plot kunja apo nëntekste që shkëmbehen vetëm midis pak njerëzve po zhvillohet rreth atij që dy muaj më parë u konsiderua si shantazhi seksual ndaj ambasadorit të BE, Soreca.
Ai është shfaqur këtë të enjte në “Open” tek Eni Vasili, për të folur për herë të parë për këtë çështje: ‘Nuk doja që ti jepja rendësi lajmeve të rreme. Lajmet e rreme janë të këqija, shpifja është e keqe, për ata që ndajnë lajmë të këqija, pas ca kohësh kjo lloj sjellje e keqe u shkon kundër’ tha ai.
Por ajo që nuk mori vesh publiku është se përse kur ka pasur këtë filozofi, vendosi të flasë dy muaj më pas? Këtë pikpyetje të çuditshme e bën më të fortë edhe një fakt tjetër. Ambasadori vendosi të prononcohet vetëm një ditë më pas, asaj për të cilën e akuzuan në media se kishte një marëdhënie jashtëmartesore për të cilën ekzistonte një video. Personazhi i dytë, Romina Kuko, zv ministre e brendëshme pzti zgjedhur të martën, emisionin Vizioni i Pasdites për të thënë:‘Përgjithësisht një nga rreziqet më të mëdha që i paraqitet demokracive kudo është politika pa parime, me goditje nën brez ku ti denigron kundërshtarin, nuk ke argumentin e duhur për të luftuar kundërshtarin. Është një shprehje që thotë Margaret Thatcher në mos gaboj; Sa mirë që të merren personalisht për mua se nuk kanë asnjë argument politik për tu marrë’ tha ajo duke folur për këtë temë?
Atëherë pyetjet që shtrohen janë? A është vallë koincidencë që të dy personat e akuzuar vendosën të flasin me dy muaj vonesë në të njëjtën kohë? Apo mos këtu nuk ka asgjë të rastësishme dhe ata e bënë këtë vetëm pasi u siguruan se filmime nuk ekzistojnë?
Sikur këto dilemma të mos mjaftonin në lojë është future edhe presidenti Ilir Meta, i cili u përfol se qëndronte pas këtij shantazhi, pasi thashethemin e përhapën njerëz dhe media shumë pranë tij.
Ndonëse marrëdhëniet e vështira të Metës me Sorecën dihen, ndonëse edhe dje para se të priste Këshillin e Europës presidenti ironizoi shprehjen e ambasadorit: “Ndiq paratë” ai zyrtarisht i ka dalë në mbrojtje diplomatit.
Reagimin e kreut te shtetit e ka bere me dije zedhenesi i tij, Tedi Blushi, me nje shenim ne faqen e vet ne rrjetin social Facebook. “Presidenti Meta duke shprehur solidaritetin e Tij të plotë me ambasadorin e BE, si edhe me një zv/ministre të Qeverisë, e cila mësohet se gjithashtu është përfolur paturpësisht në këtë çështje, bën me dije se shumë shpejt do t’i kërkojë zyrtarisht institucioneve të drejtësisë, Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, të nisin menjëherë hetimet për zbardhjen pa asnjë vonesë të autorëve dhe urdhëruesit të këtij shantazhi të dënueshëm ndaj dy autoriteteve”-thuhet në reagim.
Po pse duhej kjo ndërhyrje e kreut të shtetit për një problem kaq banal? Mos vallë Meta donte të shuante zërat se prapa shantazhit qëndronin falangat e tij? Apo në të kundërt duke kërkuar hapje hetimesh ai donte ti jepte edhe njëherë peshë zërave se jo vetëm lidhja e fshehtë por edhe videoja për të ekziston ?
Kjo lojë me shumë porta vështirë të dekriptohet.
Ajo nisi që në datën 18 nëntor 2019 në gazetën Koha Jonë.
Pasi shpërtheu konflikti mes presidencës dhe kryetarit të KED, për gjykatën kushtetuese, dhe pasi Ilir Meta akuzoi disa ambasadorë paloaço si shërbyes të Ramës, në treguan politik dhe mediatik u hap dhe pandehma e disa videove shantazhuese pre e të cilave mendohej se kishin rënë diplomatë të huaj. Vetë drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu e ngriti disa herë këtë pyetje në programin e tij, madje duke i mëshuar nëntekstit se bëhej flajë për video erotike. Në sintoni më të ishin edhe gazetarët e ftuar prej tij
“Do ketë video plot këto ditë, nga ato me shantazhe”, theksoi gazetari Artan Hoxha. Ndërkohë gazetarja Klodiana Lala ia ktheu: “Nuk bëhet fjalë për një video të vetme. Janë disa video që janë duke u përpunuar. Janë zëra zyrtarë nga Presidenca që na i kanë thënë. Nuk ka të bëjë më mbledhjet e KED, unë mendoj se shkon edhe përtej kësaj”.Një gazetë shumë pranë këtij institucioni, Koha Jonë, hodhi dyshimet e para për ekzistencën e një videoje ku një ambasador i huaj kryen marëdhënie seksuale me një zyrtare të administratës të lartë shqipëtare.
Por nëse në treg filloi të qarkullonte emri i Sorecas, pa nxjerrë atë të zv ministres, Koha Jonë vazhdoi me një aluzion që e tejkalonte cakun e fakteve. E përditshmja që ruan burime të dorës së parë nga presidenca botoi një lajm, ku ambasadori i BE dukej në foto përkrah zv ministres Romina Kuko dhe ku theksohej se “Takimet e ambasadorit Soreca në këtë ministri janë të vazhdueshme…”
Kaq u desh që lajmi të merrte dhenë dhe thashethemi të shpërthente. Për disa kohë ai u la të shuhej sipas motos të vjetër që çudia nuk zgjat shumë ditë. Vetëm tani, tre muaj më pas dy protagonistët e përfolur e kanë përgënjeshtruar atë me vonesë. Ndërssa më e çuditshmja vetë presidenti ka kërkuar edhe më me vonesë që kjo çështje të hetohet. Të gjitha palët më shumë sesa kthjelltësi, kanë mbjellë konfuzion.
©Lapsi.al